Nga Elton Qyno
Për dy vëllezërit e Iljaz Çalit, 36-vjeçarit që mbeti i vrarë mesnatën e 3 Marsit në autostradën Tiranë-Durrës, të vetmet dyshime bindëse janë se ekzekutimi lidhet me konfliktet për kapjen e galerive të kromit në Bulqizë.
Vëllezërit Zeqir dhe Medi Çali, janë dy njerëzit e fundit që kishte takuar viktima para se të vritej, në rrugën “Themestokli Gërmenji” në një lokal në Tiranë.
Të dy vëllezërit u shoqëruan me shumë urgjencë në polici, ndërsa lajmin për ekzekutimin e vëllait të tyre, me të cilin sapo ishin ndarë, e kanë mësuar përmes televizionit.
Të dy vëllezërit që ndjekin edhe ata ritet fetare të islamit sikundër dhe bënte Iljaz Çali, u kanë pohuar policisë se dy njerëzit me të cilët kanë pasur në mënyrë të vazhdueshme probleme kanë qënë Rrahim Dedja dhe Ilir Çami.
Rrahim Dedja, rezulton të jetë një biznesmen kromi, që zotëron disa galeri në zonën e quajtur “Fushë-Lopë” në Bulqizë. Ndërsa Ilir Çami, rezulton të jetë pronar i kompanisë “Drini Bulqiza”, i cili ka marrë leje shfrytëzimi për galeritë Nr. 45-47 deri gal 29 tek zona “D” në Bulqizë.
Me të dy këta persona viktima Iljaz Çami, i cili prej vitit 2011 zotëronte kompaninë “Çami-Metal”, kishte një konflikt të theksuar për sa i përket gërmimeve të paligjshme që kryheshin në territorin e tij të shfrytëzimit dhe moskthimin e borxheve financiare.
Rrahim Dedja, sipas dy vëllezërve i kishte blerë një sasi prej 2400 ton mineral krom, me vlerë prej 1 milion euro. Kjo sasi financiare sipas vëllezërve Çami, nuk i ishte kthyer dhe për pasojë kishin lindur për më shumë se tre vitesh konfliktet verbale mes palëve.
Rrahim Dedja, rezulton të jetë dhe anëtar në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, ku përfaqëson Partinë e të Drejtave të Mohuara.
Si Rrahimi dhe Ilir Çami, mësohet të jenë shoqëruar në polici, ku dhe kanë deklaruar mbi përplasjet që kanë pasur me Iljaz Çalin dhe vendndodhjen e tyre mbrëmjen kur është kryer vrasja në autostradë.
Pas dhënies së dëshmisë, të dy biznesmenët janë lënë të lirë, duke përjashtuar në mënyrë kategorike implikimin e tyre në këtë ngjarje të rëndë.
Ka shumë gjasa që vrasja Iljaz Çalit, të jetë kryer me pagesë. Nga i njëjti klan që ka kryer dhe vrasjen e Gjin Nikës, mikut të ngushtë të Iljazit. 36-vjeçari Gjin Nika, u ekzekutua në mesnatë e 4 prillit 2014 në Fushë-Krujë pikërisht duke udhëtuar me makinë. Vrasësit i janë afruar paralelisht dhe e kanë qëlluar me kallashnikov, duke e lënë të vdekur në vend.
I njëjti mekanizëm ka ndodhur fiks 8 vite më pas, ku miku i Gjin Nikës, 36-vjeçarit Iljaz Çali, ekzekutohet në mesnatën e 3 prillit, duke hyrë 4 Prilli dhe teksa udhëtonte drejt banesës së tij me makinën e marrë me qera.
Silueta e Iljaz Çalit është parë për herë të fundit në Tiranë, në ambientet e një biznesi sufllaqërie të quajtur “KFC” që ndodhet në afërsi të Ambasadës Amerikane.
Nga kamerat e sigurisë, policia ka konstatuar se Iljazi ka blerë sufllaqe në këtë biznes, dhe është larguar drejt shtëpisë. Produktet ushqimore policia i ka gjetur brenda në makinën e tij. Ndërsa vetë Iljaz Çali, është gjendur i pajetë në sediljen e shoferit.
Të dyja xhamat e parë të makinës “Land Rover”, rezultojnë të thyer, ndërsa viktima ka marë dy plagë të rënda. Në total, në vendngjarje janë gjendur vetëm 3 gëzhoja automatiku, ndërsa nuk ka asnjë gjurmë të makinës së djegur apo qoftë dhe të mos djegur nga autorët e krimit.
Është përfolur se Iljaz Çali kultivonte drogë madje policia i gjeti afër banesës së tij në 2016 rreth 600 kubikë hashashi, por Iljazi në këtë kohë ka qenë në Itali. Realisht për këtë ngjarje dhe për kultivime të tjera droge, Iljaz Çali, nuk ishte dënuar asnjëherë nga gjykata e Krujës.
Nuk dua të nxitohem dhe as të nënvlerësoj punën e policisë, por dielli duket që në mëngjes.
Tanimë ashtu si ngjarja e vrasjes së Gjin Nikës që prej 8 vitesh është pezulluar për për moszbulim autori, ka shumë gjasa që edhe kjo çështje do mbulohet me pluhurin karakteristik që bie mbi kapakët e këtyre çështjeve.