Kryeministri Edi Rama në javët e fundit i është drejtuar qytetarëve me mesazhe që të përballojnë me dinjitet krizën, ndërsa e lidh atë me luftën në Ukrainë.
E ndërsa varfërimi i shqiptarëve është thelluar për shkak të rritjes së çmimeve, që çuan në rritjen e inflacionit, por jo në indeksimin e pagave, Qeveria nuk heq dorë nga shërbimet e luksit.
Ministri Manja duket se do të rinovojë pajisjet e zyrave të administratës, duke zëvendësuar pajisjet ekzistuese me mobilje dhe orendi të tjera, përfshi këtu diktofonë, aparate celulari dhe telefonike, abazhurë etj.
Ndërsa shuma totale e përcaktuar për këtë ankand është rreth 5 milionë lekë të vjetra. Dhe të mendosh se kur zhvillohen tendera për blerjen e pajisjeve të reja shifrat janë shumë herë më të larta.
Në dokumentet e Agjencisë së Prokurimeve Publike, përfshihen të gjitha orenditë që do të shiten, por nuk jepen sqarime se për çfarë arsye ato nxirren jashtë përdorimit. Dhe në një kohë kur qytetarëve iu kërkohet që të kursejnë apo ulin shpenzimet, duket se Qevera po mendon për luksin në zyrat e saj.
Në dokument, përcaktohet se materiali është arrë natyrale, poltronat janë me skelet druri, të dizenjuar me linja të drejta të stilit modern dhe me tapiceri prej lëkure ekologjike.
Divanet tresh apo dysh janë me veshje lëkure. Perdet gjithashtu janë nxjerrë jashtë përdorimit.
Kondicionerë, abazhurë, ndriçues tavoline, diktofonë e celularë janë gjithashtu sendet e tjera që përfshihen në ankand. Dhe normalisht të gjitha këto zëvendësohen me të reja, nëse nuk janë zëvendësuar deri tani.