Ish-deputeti socialist Alqi Bllako pritet të paraqitet këtë të Shtunë në Gjykatën e Posaçme për seancën e konfirmimit të masës së sigurisë.
Ndaj tij, GJKKO ka caktuar arrest me burg në mungesë me kërkesë të SPAK.
Në një njoftim zyrtar, SPAK bëri me dije se masa ndaj Bllakos u ekzekutua në orën 03.30 të së Premtes.
Në hetimin për inceneratorin e Fierit, Bllako akuzohet për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim dhe “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.
Sipas prokurorisë, Bllako ka përfituar rreth 150 mln lekë (të vjetra) ryshfet për të favorizuar kompaninë që fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit në Fier – “Integrated Technology Waste Treatment Fier”.
“…Nga ana e shtetasit Alqi Bllako, me detyre ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë procedurës së shpronësimit të tokës për efekt të ndërtimit të inceneratorit Fier, janë kryer veprime dhe mosveprime të kundraligjshme, duke lejuar me dashje ardhjen e pasojës, shkaktimin e një dëmi në buxhetin e shtetit, prej 16.288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë dhe në këto kushte dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal”… Nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe InfrastrukturCs së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncensionare ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier’ sh.p.k., kundrejt pranimit të një përfitimi të parregullt, në mënyrë të tërthortë, në shumën prej 14.964.900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Për këtë fakt shtetasi Alqi Bllako dyshohet se ka kryer veprën penale të korrupsioni pasiv i funksionareve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendore, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”, shpjegohet në një dokument që SPAK i dërgoi Kuvendit, ku kërkonte autorizimin për arrestimin e Bllakos.
Sipas akuzës, shuma e parave është përfituar nga paga si “Drejtor Kantieri” që babai i Alqi Bllakos ka marrë pranë shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” me aksioner Klodian Zototn – në kërkim për dosjet hetimore të inceratorëve të Elbasanit dhe Fierit.
“Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Edmond Bllako (babai i shtetasit Alqi Bllako), është punësuar me funksionin ‘Drejtori Kantieri’, pranë shoqërisë ‘Integrated Energy BV SPV’ sh.p.k, me aksioner shtetasin Klodian Zoto, e cila është shoqëria koncesionare për objektin ‘Ndërtim landfilli, inceneratorit dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese Tiranë’, nëpërmjet kontratës së punës, datë 25 tetor 2018, bërë ndërmjet shoqërisë ‘Integrated Energy BV SPV’, shpk dhe shtetasit Edmond Bllako, me pagë mujore 6,000 (gjashtë mijë) euro në muaj bazuar në këtë kontratë pune rezulton se shtetasi Edmond Bllako nga muaji tetor i vitit 2018 deri në muajin janar të vitit 2020, ka përfituar shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë”, thuhet në të njëjtin dokument.
Gjykata e Posaçme, me kërkesë të prokurorisë, vendosi të Hënën caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për një apartament në Tiranë, në zotërim të të atit të Alqi Bllakos – Edmond Bllako. Apartamenti është me sipërfaqe 99.48 m2, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro. Sipas SPAK, prona përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.