Nga Boldnews.al
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) njoftoi sekuestrimin e 8 kompanive private, në kuadër të hetimeve të nisura për aferën e inceneratorëve.
Më shumë se gjysma e këtyre kompanive janë me aktivitet të pezulluar apo pa aktivitet prej të paktën tre vitesh.
Hetimet e ngadalta të SPAK-ut, nga ana tjetër, i kanë dhënë mundësinë kompanisë kryesore të skemën, “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos, që, nëpërmjet koncensionarit të Fierit, të marrë mbi 650 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që pronari i saj ishte në arrati.
“Boldnews.al” kreu verifikimet mbi statusin e 8 shoqërive private të sekuestruara së fundmi, të cilat dyshohet se kanë shërbyer si ‘satelitë’ për të qarkulluar mbi 3 milionë euro nga kompanitë e inceneratorëve tek bizneset familjare të ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Tre prej këtyre kompanive janë me statusin “pezulluar” prej disa vitesh, ndërkohë që dy të tjera nuk dorëzojnë bilancet financiare që prej vitit 2019.
Kompanitë e sekuestruara
- Integrated Technology Waste Treatment
Kompania kryesore e vendosur nën sekuestro preventive gjatë në 29 Mars 2022 është “Integrated Technology Waste Treatment”, e cila zotëron kontratën koncensionare të landfillit të Fierit.
Kompania koncensionare zotërohet në 70 përqind nga “Integrated Technology Services-ITS” e Klodian Zoto.
Ky i fundit gjendet në arrati prej mesit të Dhjetorit 2021, pasi SPAK-u e kërkon ta arrestojë nën dyshimet se ka kryer korrupsion dhe pastrim parash, në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, për çështjen e inceneratorëve.
Bashkë me kërkesën për arrest, SPAK-u vendosi në atë kohë nën sekuestro “ITS”, por nuk bllokoi aksionet e saj në shoqëri të tjera, siç ishte rasti i kompanisë koncensionare të Fierit.
Për shkak të kësaj “vonese”, Zoto, nëpërmjet koncensionarit të Fierit, ka përfituar 650 milionë lekë të vjetra nga Ministria e Infrastrukturës, gjatë kohës që ai ishte në arrati.
- Pivot 04
Kompania “Pivot 04”, e dyshuar si e përfshirë në skemën e qarkullimit të parave të inceneratorëve, është vendosur nën sekuestro së fundmi nga SPAK-u.
Sipas të dhënave zyrtare, shoqëria në pronësi të Arbër Denizi rezulton të jetë me statusin “Shoqëri në likujdim e sipër” prej muajit Nëntor 2021.
- R.B-General Services
Shoqëria “R.B General Services” është gjithashtu një prej kompanive që dyshohet nga SPAK-u se është përfshirë në skemën abuzive financiare.
Kjo kompani ka pezulluar aktivitetin e saj që në vitin 2017.
- TVG & T-2014
Shoqëria “TVG & T-2014” është krijuar në Korrik të vitit 2014. Ajo dyshohet se ka qenë pjesë e qarkullimit të parave të inceneratorëve dhe për këtë arsye është vendosur nën sekuestro preventive.
Shoqëria rezulton të jetë me statusin “e pezulluar” që prej vitit 2017.
- Sili shpk
Kompania “Sili” shpk është një prej kompanive të vendosura nën sekuestro nga SPAK-u, nën dyshimet se, ashtu si të tjerat, është përfshirë në skemën e qarkullimit të parave të djegësave.
Shoqëria ka statusin “aktiv”, por bilanci financiar i fundit, i dorëzuar prej saj, daton në Korrik 2018.
- J.P.Y
Kompania “J.P.Y” shpk është krijuar në vitin 2016. Ajo gjendet në listën e shoqërive të vendosura së fundmi nën sekuestro nga Prokuroria Speciale.
Shoqëria vijon të ketë statusin “aktiv”, megjithëse bilanci i fundit tregtar i saj është dorëzuar pranë autoriteteve tatimore në vitin 2020.
- “Deto” shpk
Kompania “Deto” shpk është vendosur nën sekuestro nga SPAK-u. Ajo vijon të jetë me statusin “aktiv”.
Pronari i saj, Denis Tola, është zëvendësuar së fundmi nga administratorë shtetërorë.
- “Bio Blend Fruit”
Kompania “Bio Blend Fruit” është krijuar në vitin 2016 me emrin “Bellar Inert”.
Shoqëria është vendosur nën sekuestro, ndërkohë që statusi i saj është “Aktiv”.
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për vendosjen nën sekuestro të këtyre kompanive, ato tashmë menaxhohen nga tre administratorë shtetërorë-Farudin Arapi, Arjan Baçi dhe Bedri Buzi.