Rastet e gripit të shpendëve të shfaqura së fundmi në Shqipëri janë të izoluara dhe nuk ka asnjë rrezik përhapje te njerëzit. Kjo është garancia që japin ekspertë të fushës, zyrtarë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe pronarët e stabilimenteve e rritjes së pulave.
Për të siguruar konsumatorët se produktet ushqimore janë të sigurta, sipërmarrës së fermave që mbarështojnë pula dhe familjet e tyre u mblodhën në një drekë pune, së bashku me drejtuesit shtetërore, ku pjata kryesore ishte mishi i pulës.
Të pranishëm në takim ishin edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Jeta Deda, si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), Armand Reveli.
Eksperti: Gripi i shpendëve nuk kalon te njerëzit
Dr.Edmond Xherahu, mjek virolog dhe ekspert i mbarështimit të shpendëve për Shqipërinë dhe Ballkanin, siguroi se influenca aviare – siç njihet ndryshe gripi i shpendëve – nuk kalon te njerëzit nga konsumi i mishit apo produkteve të shpendëve.
“Unë si ekspert virolog deklaroj se nuk kemi asnjë rast në botë që ka kaluar nga produktet e pulës te konsumatori. Gjithashtu, ju bëj me dije se femrat e rritjes së shpendëve nuk janë momentalisht të prekura nga influenca aviare”, tha Dr.Edmond Xherahu.
Ai shtoi se nga sipërmarrjet e fushës janë marrë një sërë masash si rritja e elementeve të biosigurisë, vendosja e karantinës, rritja e qarkullimit të shpendëve vetëm me destinacion në thertore dhe jo në tregje.
“Influenca aviare është drejt reduktimit. Në fermat e rritjes për mish është zero. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, nuk ekziston asnjë rast që konsumatori të infektohet nga virusi i influencës aviare duke konsumuar produkte të shpendit, mishit, vezës, etj”, theksoi ai.
Masat e marra
Drejtoresha e AKU Jeta Deda, tregoi se produktet e pulës kanë qenë nën një monitorim të rreptë që në muajin Janar të këtij viti, kohë kur në Italinë fqinje u shfaq gripi i shpendëve.
“Ministrja merr një raportim të përgjegjshëm për çdo gjë që ndodh, si në vendet e rajonit, si në vendet e Bashkimit Europian, si në vendet ku ne eksportojmë apo importojnë produkte. Dhe në momentin që u shfaqën rastet e para të gripit të shpendëve në Itali, në Piemtonte në mes të Janarit, ajo na kërkoi ne (AKU) që të shtonim kontrollet dhe monitorimet që lidhen me mishin e pulës kryesisht, sepse ai do të ishte objekti i parë i problemeve që mund të dilnin me gjurmueshmërinë. Kështu që AKU, nga Janari deri në momentin që u shfaq influenca aviare në stabilimente, ka qenë në kontroll të thelluar në pjesën e mishit të pulës: A kishte etiketë, a ishte i mirëambalazhuar, a kishte kushtet e gjurmueshmërisë, a ishte në regjistrat e hyrje-daljes së këtyre subjekteve që e tregtonin, ose e nxirrnin në prodhim, a kishte certifikatë veterinare dhe a ishte ajo konform rregullave? Dhe kjo ndodhi”, tha ajo.
Deda foli dhe për masat e marra pas konstatimit të rastit të parë të gripit të shpendëve.
“Në momentin që u vërejt që ishte rasti i parë i influencës aviare në datë 19 (Mars), ne bëmë një pastrim ose krehje të të gjithë restoranteve periferikë të qarkut të Tiranës. Pastaj ditët në vijim e vazhduam në gjithë stabilimentet e Durrësit dhe Tiranës kontrollin, për të siguruar se si mishi i shpendëve, si vezët kokërr që tregtoheshin dhe nxirreshin në treg për konsumatorët, të ishin me gjithë kushtet dhe standardet. Edhe te veza kokërr, a kishte stampën, a kishte etiketën në gjuhën shqipe, nga cili lot kishte dalë dhe nga cili stabiliment kishte dalë”, tha ajo.
Kreu i ISUV: Gripi i shpendëve, i izoluar
Drejtori i Përgjithshëm i ISUV, Armand Reveli bëri me dije se rastet e konstatuara me grup shpendësh janë të izoluara. Ai siguroi se femrat e rritjes së pulave janë të gjitha të sigurta dhe ripërsëriti se gripi i shpendëve nuk transmetohet te konsumatori.
“Deri më tani, nuk kemi asnjë rast të vetëm, nga asnjë nga stabilimentet e rritjes, mbarështimit dhe therjes së produktit të gjallë pulë. Të vetmet raste që kanë qenë në zonën e Qafë Zotajt, janë të izoluara dhe ministria e Bujqësisë ka karantinuar gjithë zonën në një rreze prej 10 kilometrash. Ajo që është e rëndësishme për tu theksuar, sepse ne jemi dhe vetë konsumatorë të produkteve dhe nënprodukteve të pulave, është se konsumatori shqiptar duhet të jetë i garantuar te cilësia e analizave, se janë nga metodat më bashkohore dhe europiane, të validuara e akredituara dhe nuk ka asnjë lloj risku për transmetimin e kësaj lloj sëmundje te njerëzit”, tha Reveli.