Spanja duket se është kthyer në një tjetër vend ku shqiptarët angazhohen në kultivimin e narkotikëve.
Kështu pas Anglisë, Gjermanisë, Holandës dhe Italisë, Barcelona dhe Malaga në Spanjë, janë kthyer në qendrat e kultivimit të narkotikëve në ato që njihen si “shtëpitë e barit”.
Policia spanjolle ka ndërmarrë një operacion të gjerë duke goditur një grup shqiptarësh që merreshin me kultivimin e kanabisit në shtëpi të ndryshme.
Mediat spanjolle shkruajnë se janë arrestuar 15 persona dhe janë sekuestruar qindra-mijëra rrënjë kanabisi, fara, marijuanë dhe një sasi valute. Policia nuk ka publikuar emrat e të arrestuarve, por bën me dije se ky operacion është nisur që në majin e 2021-it, kur një grup shqiptarësh janë mbajtur nën përgjim dhe vëzhgim derisa është ndërhyrë ditëve të fundit.
Sipas të dhënave, gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg ndaj të gjithë shqiptarëve, pasi pretendohet se ka një sërë provash dhe faktesh që e vërtetojnë këtë aktivitet kriminal.
Mediat raportojnë se të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë, ndërsa u zbuluan nëntë “shtëpi bari” në Malaga të Spanjës. Mediat spanjolle shkruajnë se “në kuadër të operacionit të ashtuquajtur ‘Kulturë-Romina’, agjentë të Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare kanë shkatërruar një organizatë kriminale të dedikuar për trafikun e drogës që vepronte në Malaga”.
Kjo organizatë kishte krijuar plantacione të brendshme të marijuanës brenda shtëpive të shpërndara në vende të ndryshme në provincë. Operacioni filloi në maj 2021, kur agjentët gjetën një shtëpi në Coín pasi mbante erë të fortë marijuane jashtë ambienteve të saj, kështu që u ndërmorën hapat përkatës për të gjetur banorët. Gjatë hetimeve, u zbulua se ishte një organizatë kriminale që përdorte këtë dhe shtëpi të tjera për të rritur marijuanën në ambiente të mbyllura.
Pas disa muajsh hetime nga agjentët e të dy forcave policore, ata gjetën 6 shtëpi të tjera me karakteristika të ngjashme në Komunat Mijas, Alhaurín de la Torre, Marbella dhe Fuengirola, që përdoreshin gjithashtu nga organizata.
Nga hetimi ka rezultuar se drejtuesit e rrjetit kriminal ishin ngarkuar me sigurimin e logjistikës së nevojshme për anëtarët e tjerë që kryenin detyrat e ruajtjes së banesave. Njëra prej shtëpive përdorej si tharëse për marijuanën që kultivohej në plantacionet e tjera, dhe në të u gjetën 127 kilogramë sytha të kësaj droge të gatshme për shitje. Nga operacioni u sekuestruan gjithsej 3696 bimë marijuanë në faza të ndryshme të rritjes, 167 kilogramë sytha marijuane, 6336 euro para cash, 3 automjete dhe 1 detektor të sistemit GPS. 15 shqiptarët e arrestuar janë lënë në burg.
Pak muaj më parë Policia spanjolle ndërmorri një tjetër operacion, ku arrestoi 33 persona. Mediat spanjolle bënë me dije se grupi kriminal kishte 12 plantacione droge në zona me akses të vështirë. Për më tepër, ata kishin prerë pemët e pyjeve për të krijuar hapësira për kultivimin e bimëve narkotike.
Plantacionet ishin të vendosura në provincat e Segovia, në qytetet La Mata, Rosuero, Gallegos, Fresno de Cantespino, Cerezo de Arriba dhe Arevalillo de Cega. Po ashtu, edhe Zaragoza, Málaga, Granada dhe Almeria.
Sipas Gardës Civile, grupi kishte kapacitetin për të rritur dhe përpunuar për shitje më shumë se 50,000 bimë marijuanë në vit. Ata e shisnin drogën në disa provinca spanjolle, Belgjikë dhe Gjermani. Në një nga plantacionet, u tha se mund të shkohej vetëm me anë të varkës.
Grupi kishte krijuar një sistem të ujitjes me pika për të siguruar prodhim maksimal. Për të ujitur bimët, ata ndryshonin grykat, duke ndërtuar vende për të hequr ujin e depozituar dhe për ta çuar atë në fushat e kanabisit me zorrë, pompa uji dhe motorë të groposur nën tokë. Hetimi spanjoll bëri me dije se shqiptarët në atë grup kishin funksion vendimmarrës, pasi ata merrnin vendimet dhe shpërndanin drogën. Organizata kishte një strukturë shumë hierarkike, duke përdorur teknika paraushtarake për të qëndruar e fshehur në pyll.