Asgjë nuk e dallon shtëpinë me numrin 12 në Ulitza Baskova, në zemër të Shën Petersburgut, nga pjesa tjetër e ndërtesave anonime pranë saj. Shenja e vetme është se nuk është e mundur të vizitohet.
Në vitet 1950 ishte një ‘komnunalka’, një nga ato shtëpitë e lindura nga nënndarja e apartamenteve të mëdha madhështore të epokës cariste, ku në Bashkimin Sovjetik jetonin së bashku disa familje, një për dhomë, me kuzhinë, banjë dhe korridor.
Vladimir Putin lindi dhe u rrit atje, në qytetin që atëherë quhej ende Leningrad. Në kushte kaq modeste, saqë gjuetia e minjve në të cilën ai u dallua nuk ishte vetëm lojë e një fëmijërie të varfër, por e një lufte të vazhdueshme për të mos i lejuar ata që të përhapeshin.
Një ditë, Vladimiri i ri ndoqi një mi të madh tek shkallët me një shkop në dorë, derisa u detyrua të fshihej në një qoshe. Papritur miu u hodh drejt tij, dhe vetëm duke kërcyer shpejt, ai arriti të shpëtojë.
Incidenti, tha Putin, në të vetmen autobiografi që shkroi me disa gazetarë në vitin 2000, i dha atij një mësim jete, të paharruar kurrë: “Të gjithë duhet ta kenë parasysh këtë: mos lini e dikë në qoshe”.
Mësimi i miut
Më 24 shkurt, presidenti rus urdhëroi aksionin më të madh ushtarak tokësor në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Një luftë agresioni kundër Ukrainës, e vendosur kundër çdo logjike racionale, në një rrezik gjeopolitik ku rreziqet dhe kostot po dalin shumë më të larta se një përkufizim kalimtar i fitores. Dhe ndoshta duke pasur parasysh miun e famshëm, Putini e motivoi atë duke thënë se ai ishte i detyruar ta bënte këtë, pasi “Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër”. Kthimi në biografinë e njeriut që vetë-investoi me misionin e ribashkimit të Russki Mirit, botës ruse të ndarë nga fundi i Bashkimit Sovjetik, mishërimi i fundit i ëndrrës perandorake të një Rusie të përjetshme, është thelbësore për të kuptuar misterin e saj.
Jeta e Vladimir Putin është në fakt e mbushur me “Harte Ëendungen”, pikat e kthesës traumatike të pikturuara nga Paul Klee, të cilat ndikuan fuqishëm në personalitetin e tij, derisa rrëshqiti në një lloj autokracie paranojake që e afroi atë me despotët më të pamëshirshëm në historinë ruse, nga Pjetri i Madh te Stalini.
Pika e kthesës së ish-huliganit
“Isha një huligan, një fëmijë i rrugës”, thotë për veten e tij kreu i Kremlinit. Aq i egër saqë një ditë Vera Dmitrievna Gurevich, mësuesja e shkollës fillore, shkoi te babai i tij për të folur me të për atë djalë shumë inteligjent, por që do ta humbiste veten. Kjo bisedë shërbeu në fakt. Sepse befas, në moshën 11-vjeçare, Volodia i vogël ndryshoi. Ai u bë më i miri në klasë në gjermanisht, filloi të merrej me sport. Një hundë e thyer e bindi se nuk ishte prirje për boks. Pikërisht në artet marciale ai gjeti pasionin e tij të vërtetë: “Xhudo më hoqi nga rruga, nuk e di si do të kishte qenë jeta ime nëse nuk do të kisha takuar Anatoli Rakhlin, mësuesin tim të parë”. Me të mësoi kuzushin, një lëvizje që tenton të humbasë ekuilibrin fizik dhe mendor të kundërshtarit dhe më pas ta rrëzojë, një teknikë të cilën e ka përdorur edhe në politikë.
Ideja e të qenit spiun i erdhi herët në mendje. Një mëngjes, në moshën 16-vjeçare, ai shkoi në zyrën e KGB-së në Leningrad dhe pyeti se çfarë duhej të bënte për të punuar atje. “Së pari, ne nuk i marrim njerëzit që vijnë me iniciativën e tyre, – u përgjigj zyrtari, – dhe së dyti, ata vijnë tek ne ose pasi janë në ushtri ose pasi kanë studiuar në universitet. “Për të studiuar çfarë?” pyeti djali. “Ku di unë? Ligji”, iu përgjigj zyrtari, ndoshta me qëllimin për ta hequr qafe. Dhe kështu ndodhi.
Nënkolonel i KGB-së në 5 vjet
Në vitin 1975, pasi ishte diplomuar së fundmi për drejtësi ndërkombëtare në Universitetin e Leningradit, Putin u punësua nga shërbimet sekrete sovjetike.
Pesë vjet më vonë e gjeti veten nënkolonel, i martuar me ish-stjuardesën e Aeroflot, Ludmilla Alexandrovna Skrebneva dhe baba i një fëmije, ai u dërgua si shef i misionit në Dresden, në RDGJ, me detyrën për të mbledhur informacion mbi disidentët dhe për të vlerësuar performancën e kolegëve.
Platov ishte emri i koduar. Jeta e Vladimir Putin përmblidhet në katër qytete: Leningrad-Shën Petersburg ku do të kthehemi, Dresden i Gjermanisë, Moska dhe Soçi në Detin e Zi, një vitrinë e fuqisë së tij perandorake.
Kryeqyteti i Saksonisë i ka mbetur në zemër. Edhe pse aty filloi të lëkundet universi i tij. Këto ishin vitet e perestrojkës së Gorbaçovit, të cilin udhëheqësit komunistë të Gjermanisë Lindore refuzuan ta ndiqnin. Natën e 5 dhjetorit 1989, më pak se një muaj pas rënies së Murit të Berlinit, nënkoloneli Putin, i cili kishte kaluar ditë e net duke djegur dokumente konfidenciale, thirri garnizonin sovjetik të vendosur në Potsdam duke kërkuar ndihmë dhe kërkuar një ndërhyrje të armatosur. Një turmë e zemëruar kishte rrethuar ndërtesën e KGB-së dhe kërcënoi se do ta sulmonte. Përgjigja ishte negative: “Ne presim urdhra nga Moska, por qendra hesht”.
Ajo fjali shënjoi në jetën e tij përgjithmonë. Paraliza e pushtetit dhe kaosi i sheshit kanë qenë makthi i tij që atëherë. Siç tha ai në vitin 2000, vitin kur u zgjodh president i Rusisë, “në ato rrethana funksionon vetëm një gjë: duhet të godasësh më parë dhe të godasësh aq fort sa kundërshtari yt të mos jetë më në gjendje të ngrihet”. “Ne do të kishim shmangur shumë probleme,” shtoi ai, “nëse nuk do ta kishim lënë Evropën Lindore kaq shpejt.”
Më e madhja, sipas Putinit, ishte rënia e mëvonshme e Bashkimit Sovjetik, kur shkëputja e republikave, veçanërisht e atyre sllave, “i bëri rusët grupin etnik më të madh në botë që ndahej me kufijtë shtetërorë”. Atë natë tek ai ndoshta kishte lindur misioni për ta ribashkuar atë.
Kthimi në Shën Petersburg
Vladimir Putin ishte 38 vjeç në vitin 1990 kur u kthye në Nieva me Ludmillan dhe dy vajzat e tyre të vogla.
Për t’i ofruar atij një punë të re ishte Anatoli Sobchak, kryebashkiak i ri dhe një nga personazhet më të shquar të Rusisë së re. Ishte ai që ndryshoi emrin e qytetit nga Leningrad në Shën Petersburg. Ai u bë zëvendësi i tij… Në qytetin më europian të Rusisë, lindi “banda e miqve të Petersburgut”, zinxhiri i lidhur pjesërisht me KGB-në që do ta shoqëronte atë për gjithë jetën.
Banda e Petersburgersave dhe Medvedev
Ata të gjithë punuan bashkë për Sobchak: kryeministri dhe presidenti i ardhshëm Dmitry Medvedev, ministri i ardhshëm i financave Alexeij Kudrin, kreu i Gazprom Igor Sechin, bosi sportiv rus Vitaly Mutko, kreu i Gardës Kombëtare Viktor Zolotov, shefi i shërbimit sekret Sergej Naryshkin. Më pas ishin shokët e tij të xhudos, vëllezërit Rotenberg, Arkady dhe Boris, të cilët do të bëheshin oligarkët “e tij”. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, ishte pronari i një restoranti që frekuentonte, Egvenij Prigozhin, i njohur si kuzhinieri i Putinit, një miliarder falë kompanisë se kateringut për Kremlinin dhe themelues i Ëagner, milicia mercenare që ndërhyn në botë, nga Siria në Libi. në emër dhe për llogari të Moskës.
Por në atë pikë në horizont u shfaq një qytet tjetër fati për Putinin, i cili në vitin 1991, pas rënies së BRSS, ishte larguar nga KGB-ja, “vendimi më i dhimbshëm i jetës sime”. Kur Sobchak, i pushtuar nga akuzat për korrupsion, humbi zgjedhjet e vitit 1996, falë pozicionimit të mirë në detyre të Kudrin në Ministrinë e Financave, një vend u hap për të në administratën presidenciale të Boris Yeltsin.
Pak fjalë
Atij iu deshën më pak se dy vjet për të mësuar kodet e pashkruara të sjelljes së Kremlinit. Diskret, efikas, me pak fjalë, gjithmonë me zgjidhjen gati. Në vitin 1998 Jelcin e emëroi atë në krye të FSB-së, trashëgimtar i KGB-së. Ai e bëri punën në perfeksion, veçanërisht duke treguar besnikëri totale ndaj shefit. Kur prokurori federal Yurij Skuratov hapi një hetim korrupsioni në familjen e Jelcinit, një video u transmetua papritur në të gjitha televizionet ruse: ajo tregonte Skuratov lakuriq, në veprim me dy prostituta akrobatike. Ishte vetë Putini që shpjegoi në TV se pamjet nuk ishin false. Skuratov dha dorëheqjen disa orë më vonë. Jelcin e shpërbleu më pak se një vit më vonë, duke e emëruar çuditërisht kryeministër. Natën e Vitit të Ri 1999, ai e caktoi atë si pasardhësin e tij në krye të Rusisë. Pak orë para se të bëhej dorëzimi në Kremlin, Putini festoi përvjetorin e shërbimeve sovjetike me ish-“kolegët” e tij tashmë të FSB-së
Kreu i Federatës Ruse: “Ne do të rivendosim rendin”
Më 23 mars 2000, pas një intervali të shkurtër në samit, Vladimir Putin u zgjodh president i Federatës Ruse me 52.9% të votave. “Do të rivendosim rendin”, ishte premtimi. Shqetësimi i tij ishte nderi i humbur i Rusisë, tashmë i zbritur nga roli i Superfuqisë dhe i privuar nga ajo uvazhenie, respekti që për rusët është një nevojë ekzistenciale. Në vitet e para në krye të Rusisë, përveç rindërtimit ekonomik dhe politik të një vendi të asgjësuar nga Perëndimi i Largët i viteve 1990, duke vënë në linjë oligarkët dhe duke shtypur brutalisht rebelimin e Çeçenisë, Putin kishte nisur një dialog të ngushtë me SHBA-të dhe Perëndimin, që kulmoi me marrëveshjen e bashkëpunimit NATO-Rusi, madje duke shkuar aq larg sa të teorizonte se Moska një ditë mund të ishte pjesë e Aleancës.
Pika e kthesës erdhi në vitin 2007, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, kur ai ndërmori një sulm të gjithanshëm kundër perëndimorëve, duke denoncuar rendin e krijuar pas Luftës së Ftohtë, pushtimin amerikan të Irakut dhe mbi të gjitha zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë e Rusisë.
Në sytë e Putinit një tradhti ndaj premtimeve të bëra në vitin 1990 ndaj Gorbaçovit. Që nga ai moment, lideri rus filloi kthesën, duke u kthyer në një spirale gjithnjë e më autoritare nga brenda, nacionaliste dhe agresive nga jashtë. Në vitin 2008 ai nisi aksionin e parë ushtarak në hapësirën ish-sovjetike, duke pushtuar Abkhazinë, një territor i Gjeorgjisë. Ka shumë faktorë prapa involucionit të Putinit dhe metamorfozës së tij në një udhëheqës gjithnjë e më autoritar.
Fundi i dhunshëm i Gadafit la një përshtypje të fortë tek ai.
Revolucioni i parë ukrainas, ai portokalli, ishte një tjetër sinjal shkatërrues për liderin e Kremlinit, i cili pa në vendin fqinj një shembull të rrezikshëm rebelimi, kërkesash demokratike, kaosi.
Gjykimi dhe revolucioni i Euromaidanit
Rivendosja e dështuar me administratën Obama ishte pasojë e këtij ndryshimi personal dhe politik. Në vitin 2011, kur si kryeministër (në periudhën katërvjeçare në të cilën ai ia dha postin e presidentit Dmitry Medvedev) ai e takoi atë ballë për ballë për herë të parë, atëherë nënpresidenti Joe Biden korrigjoi rrënjësisht gjykimin se George Ë. Bush kishte dhënë prej tij vite më parë: “E pashë në sy dhe mund të shihja shpirtin e tij”. Biden kishte përshtypjen e kundërt: “Kryeministër, po të shikoj në sy dhe nuk mendoj se ke shpirt”. Putini u përgjigj duke buzëqeshur: “Unë shoh që ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë”. Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, i vendosur pas revolucionit të Euromaidanit në Kiev, të cilin ai e quajti një puç të orkestruar nga amerikanët, asgjë nuk ka qenë e njëjtë. Sanksionet perëndimore e kanë përshpejtuar narrativën e tij për një vend të rrethuar, gjë që i ka dhënë atij nivele shumë të larta konsensusi. Polemika e Putinit kundër Perëndimit dekadent dhe të shthurur është bërë gjithnjë e më e fortë. Ndërsa brenda, ata që nuk u rreshtuan si Alexeij Naval’nyj u persekutuan dhe pësuan sulme ndaj jetës së tyre.
Olimpiada e oligarkëve
Ishte në Detin e Zi, në qytetin e katërt të fatit, që Vladimir Putin organizoi dimensionin e tij të ri perandorak, me Lojërat Olimpike Dimërore 2014, një ekstravagancë miliarderësh e paguar nga oligarkët, të cilët lançuan vendndodhjen e preferuar të Stalinit si kryeqytetin e ri diplomatik të Rusisë.
Në ato vite liderët e botës kaluan të gjithë prej andej, nga Erdogani, te Netanyahu, te Angela Merkel, të cilën Putin, duke ditur frikën e saj nga qentë, e mirëpriti duke e lënë qenin e tij në dhomë. Dhe pikërisht në Soçi së bashku me gjeneralët e tij ai fillimisht finalizoi aneksimin e Krimesë dhe më pas në vitin 2015 aventurën në Siri, i inkurajuar nga hezitimi i administratës Obama. Ai vuri bast dhe fitoi. “Putini ishte me fat dhe kjo është e rrezikshme për një kumarxhi,” thotë Gleb Pavlovski, një shkencëtar politik që ka punuar me të në Kremlin përpara se të bëhej kundërshtar i tij.
Izolimi i Carit
Kanë kaluar 22 vjet që kur Rusia arriti në krye. Putini ndryshoi Kushtetutën, duke mbajtur peng pushtetin deri në vitin 2036. Rrethi i këshilltarëve të tij është bërë gjithnjë e më i vogël, distanca e tij nga bota reale gjithnjë e më e madhe. Cari është vetëm. Konsensusi prishet, falë një situate ekonomike në përkeqësim të vazhdueshëm. Pandemia ka theksuar izolimin e tyre fizik dhe mendor. Ai është bërë i padepërtueshëm për vetë bashkëpunëtorët e tij. Askush nuk e di se cilat do të jenë vendimet e ardhshme. Në prag të të 70-tave, me një gjendje shëndetësore që është bërë sekret shtetëror dhe sipas shumë njerëzve në rrezik, Putini shfaqet i nxituar. Ai dëshiron të bashkojë Russky Mir, të shpëtojë Rusinë e përjetshme, ta kthejë atë në një Fuqi të Madhe. Duke asgjësuar në mënyrë të përgjakshme Ukrainën, kombi motër që “pretendohet” se zgjedh vetë fatin e tij, dëshiron të përfundojë misionin e tij. Por siç kujton Pavlovski, “kur luan ruletë ruse, mendon se Zoti është me ty, derisa të vjen goditja”.
“Corriere della Sera”/ Përshtati në shqip: Gazeta “Si”