Moska ka thënë se ka hapur korridoret humanitare, në mënyrë që njerëzit të largohen nga Kievi dhe katër qytete tjera ukrainase, Çernihiv, Sumi, Harkiv dhe Mariupol.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, kanë thënë se do të ndalin luftimet për 12 orë për të mundësuar kalim të lirë nëpër korridoret humanitare.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov do të takohet të enjten në Antalia me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje Rusisë që të pajtohet për armëpushim, në mënyrë që të kryhen riparime në centralin bërthamor të Çernobilit, vendi ku ka ndodhur katastrofa më e madhe bërthamore. Ky central është shkëputur plotësisht nga rrjeti elektrik dhe ka shqetësime për rrjedhje të rrezatimit.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë verifikuar 474 vdekje të civilëve dhe 861 persona të plagosur në Ukrainë, por shifra besohet se është më e lartë.
Ukraina ka thënë se ka vrarë më shumë se 11,000 trupa ruse. Rusia ka konfirmuar rreth 500 humbje. Asnjëra palë nuk ka përmendur viktimat ukrainase.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 2.1 milion njerëz i kanë ikur luftës në Ukrainë. Pjesa më e madhe e tyre gjenden në Poloni. Agjencia e OKB-së për Refugjatë, ka thënë se tani fokusi duhet të jetë në ofrimin e ndihmës për refugjatët në kufij.
Kremlini ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se i kanë shpallur luftë ekonomike Rusisë.
Bashkimi Evropian është pajtuar për të zgjeruar sanksionet ndaj zyrtarë dhe oligarkëve rusë, si dhe tri bankave bjelloruse.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se nëse nuk shpallet zona e ndalim-fluturimit për të mbrojtur Ukrainën, komuniteti ndërkombëtar do të jetë përgjegjës për katastrofë të madhe humanitare.
Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një ofertë të Polonisë për të transferuar aeroplanët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani, si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus.
Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditura sanksione të reja kundër Rusisë, të cilat u japin autoritetet ministrave që të ndalojnë aeroplanët rusë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ta bëjnë shkelje penale fluturimin apo aterrimin e tyre në territorin britanik.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i ka thënë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy gjatë një bisede telefonike se Kandaja do t’i dërgojë Ukrainës pajisje tjera shumë të specializuara ushtarake.
Kryeministri holandez, Mark Rutte ka thënë të mërkurën se nuk është në favor të ndaljes së furnizimeve me naftë dhe gaz rus, pasi një gjë e tillë do të ishte e paqëndrueshme për vendet anëtare të Bashkimit Evropian.