Presidenti i vendit Ilir Meta ka emëruar anëtarin e radhës të Gjykatës së Lartë, duke e çuar numrin total në 11 nga 19 që duhet të ketë kjo gjykatë.
Meta ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Gentian Medja si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit, në fushën e së drejtës administrative.
Presidenti i Republikës pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, konstatoi se plotësimi i këtij vendi vakant është shpallur për aplikim që prej datës 26 shkurt 2020, me vendimin nr.83 të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Pra kjo procedurë e rritjes në detyrë ka zgjatur plotësisht 2 (dy) vjet.
Në përfundim të shqyrtimit të këtij propozimi, Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së, dhe përmes Dekretit nr. 13497, datë 07.03.2022, ka vendosur që:
Zoti Gentian Medja të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Me këtë emërim të ri, nga sot Gjykata e Lartë, bëhet me 11 (njëmbëdhjetë) gjyqtarë, nga 19 që kjo gjykatë duhet të ketë.
Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.
Konkretisht në rastin konkret ndjekja e procedurave të ngritjes në detyrë ka zgjatur plotësisht 2 (dy) vjet, gjë e cila të krijon bindjen se, zvarritja e procedurave të promovimit në karrierë në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve, simodos pasi aplikantët janë zgjedhur përmes shortit dhe si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, është zvarritur, duke rritur rrezikun që ata të ndiheshin nën presion të vazhduar, si mbi pritshmëritë e tyre legjitime në procesin e kandidimit për t’u emëruar si anëtar të Gjykatës së Lartë ashtu dhe në detyrën si anëtar të Kolegjit Zgjedhor.
Është për t`u theksuar fakti se, edhe pse kandidatët që kanë shprehur interes për të qenë anëtar të Gjykatës së Lartë kanë aplikuar për ngritje në detyrë në këtë vakancë, shumë kohë përpara se ata të zgjidheshin me short si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, sërish tejzgjatja e një procedure për rritjen në detyrë për një periudhë 2 (dy) vjeçare nga KLGJ është një standard i papranueshëm.
Mbi vonesat e pajustifikuara të KLGJ-së për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e plotë gjyqësore, si dhe lidhur me përpjekjet për të vështirësuar implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë përmes ndërhyrjeve në legjislacion që krijonin rrezik për pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor dhe në veçanti të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, Presidenti i Republikës, ka mbajtur qëndrime të qarta parimore, konsistente dhe në mënyrë të vazhduar përmes shumë akteve shkresore të bëra publike drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, por edhe përmes,
Dekretit nr. 11 797, datë 22.10.2020, për kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor të 5 tetorit 2020, realizuar me ligjin nr. 118/2020; apo përmes
Dekretit nr. 13 023, datë 14.04.2021, “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 45/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”.
Megjithatë, përpos sa më sipër, në mbështetje të Kushtetutës dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, në respekt e përmbushje të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, dhe të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verfikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet me Dekret për pranimin e propozimit të KLGJ-së, për emërimin e zotit Gentian Medja, si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë.
Pas këtij emërimi Presidenti i Republikës, vlerëson të domosdoshme t’i bëjë thirrje edhe Gjykatës së Lartë, që tashmë me emërimin e anëtarit të 11-të të saj, kjo gjykatë duhet të zhvillojë Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve, për të votuar e zgjedhur sipas Kushtetutës dhe Ligjit, anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese, sipas listës së propozuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që prej 30 dhjetorit 2021.
Presidenti i Republikës, gjen rastin të ripërsërisë thirrjen publike, ndaj të gjithë institucioneve qeverisëse të sistemit të drejtësisë por dhe aktorëve të tjerë vendimmarrës se;
Pavarësia e sistemit të drejtësisë, sidomos për gjyqtarë të karrierës, duhet të garantohet jo vetëm në dukje, por dhe në themel të saj.
Vetëm kjo rrit besimin e gjithë shoqërisë tek sistemi i drejtësisë që duhet të sigurojë në vijimësi një staturë, që garanton pavarësi të gjyqtarëve dhe veprime të paanshme të shërbimit publik gjyqësor në tërësi.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ashtu si dhe gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira në këto procese, duhet të angazhohen seriozisht dhe jashtë çdo ndikimi, dhe të bashkëpunojnë për bërjen sa më shpejt dhe plotësisht funksionale të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe të sistemit të ndjekjes penale.
Funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit, dhe plotësimi i vakancave të shumta të krijuara pranë këtyre gjykatave është me rëndësi jetike për vendin.
Edhe pse kjo pjesë e sistemit të drejtësisë (Gjykatat e Apelit) është pranuar nga KLGJ dhe aktorët e tjerë se po shkon drejt kolapsit të plotë, sërish nuk konstatohet një angazhim i plotë, objektiv dhe gjithëpërfshirës për të marrë masat legjislative apo organizative për mënyrën e plotësimit sa më shpejt dhe me cilësi të vakancave që janë krijuar në këto gjykata.
Gjykatat e Apelit, civile, penale apo administrative, si dhe Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, aktualisht janë tejet të mbingarkuara, ndërkohë që nuk ka ende një strategji me terma të qartë kohore dhe veprimi se kur kjo çështje do të përfundimisht në respekt të standarteve evropiane të ngarkesës për një gjyqtar.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe institucionet e përfshira duhet të realizojnë një proces të plotë dhe transparent konsultimi të draftit të parë të hartës së re gjyqësore; të vlerësojnë me shumë kujdes dhe të mbajnë në vëmendje përpara miratimit përfundimtar, të gjitha komentet, sugjerimet, vërejtjet dhe çdo propozim që vjen nga pjesët e tjera të sistemit të drejtësisë, sidomos të atyre që janë përdoruesit realë dhe të përditshëm të sistemit të drejtësisë.
Të gjitha këto çështje kërkojnë angazhim serioz, të sinqertë, masa konkrete dhe të prekshme, veçanërisht kur kjo situatë është e lidhur drejtpërdrejtë me procesin e integrimit evropian, stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pjesë thelbësore të të cilave është dhe aksesi i plotë në sistemin e drejtësisë dhe dhënia e drejtësisë nga një gjykatë e paanshme, e caktuar me ligj dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Ndaj dhe vëmendja e KLGJ-së, KLP-së, Kuvendit të Shqipërisë, dhe të gjitha institucioneve të tjera përgjegjëse, të përfshira dhe/apo të lidhura me këtë çështje, duhet të jetë e shtuar në këtë drejtim, për të respektuar parimet dhe detyrimet kushtetuese, duke hartuar e implementuar masa konkrete, të prekshme dhe objektive në funksion të realizimit të një shërbimi publik në gjykata, sa më cilësor, sa më pranë qytetarit, dhe përmes një kostoje të pranueshme në përputhje me zhvillimin dhe gjendjen ekonomike.