Të paktën 18 deputetë i kanë kërkuar dorëheqjen Lulzim Bashës, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, e cila nisi rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të hënës dhe vijoi edhe pas mesnate.
Mbledhja e Grupit u zhvillua një ditë pas zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki, ku kandidatët e Lulzim Bashës u renditën të 3-ët në 5 bashki, ndërkohë që në Rrogozhinë arritën të dilnin të 2-ët.
Jorida Tabaku, e cila është caktuar nga Basha si nënkryetare e PD, nuk ishte e pranishme në mbledhje, ndërkohë që nga raportimet mësohet se Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj, të cilët janë emëruar Sekretar i Përgjithshëm dhe Nënkryetar në partinë e Bashës, kanë qëndruar neutralë, duke mos u përfshirë në debate.
Bashës iu kërkua dorëheqja nga të paktën 18 deputetë, të cilët deri me datën 6 mars konsideroheshin si mbështetësit e tij të flaktë në përballjen dhe përplasjen që ai pati me ish-Kryeministrin Sali Berisha. Dje ata shfaqën qëndrimin që Basha dhe Berisha duhej të largoheshin, ndonëse ish-Kryeministrin e konsideruan jashtë rradhëve të tyre, edhe pse në zgjedhjet e 6 marsit kandidatët e mbështetur prej tij, morën mbështetjen e 31 % të elektoratit.
Ferdinand Xhaferraj, Xhelal Mziu, Grida Duma, Kasem Mahmutaj, Elda Hoti, Ervin Salianji, Ilda Dhori, Lefter Gështenja, Dash Sula, Lindita Metaliaj, Helidon Bushati dhe Agron Gjekmarkaj i kanë kërkuar drejtpërdrejt Bashës të japë dorëheqjen dhe të hapet gara për zgjedhje të reja në PD.
Vetëm Kreshnik Çollaku dhe Orjola Pampuri i kanë dalë në mbrojtje Bashës, duke deklaruar se nuk është përgjegjësi e tij dalja të tretët në zgjedhjet e 6 marsit.
Në mbarim të mbledhjes së grupit parlamentar, Lulzim Basha nuk ka pranuar të dalë nga selia, pa u larguar më parë gazetarët.
Kjo është hera e parë, që nga momenti që Lulzim Basha nisi përplasjen me ish-Kryeministrin Berisha, që grupi i deputetëve të rrjeshtuar në krah të kryetarit që mban vulën, i kanë dalë kundra, të paktën verbalisht, pasi deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, i vetmi që paraqiti dorëheqjen nga funksionet drejtuese partiake ishte Agron Gjekmarkaj.
Sot raportohet se Basha do të thërrasë mbledhje të forumeve drejtuese të PD, Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, ku shpreson që të marrë mbështetje, për të mos mbajtur përgjegjësinë e humbjes, edhe pse duket e vështirë që të kalojë këtë situatë, kur në krah ka patur vetëm 4 nga deputetët e pranishëm në mbledhje, dy prej të cilëve kanë zgjedhur rolin e neutralit.
Debatet e plota
Lulzim Basha: 6 marsi ishte kurth pas 8 janarit dhe ne u vendosem para detyrimit per te marre pjese ne zgjedhje. Nesër mblidhen organet e tjera te partisë.
Ferdinand Xhaferri: Jam më i vjetri dhe me më eksperiencë, s’kam ambicie, por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyllur me PD-në, por ti na ke fyer kur thua s’kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar.
Lulzim Basha: S’kam humbur asnjë garë. I kanë vjedhur.
Dashnor Sula: Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund te na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson më asnjë kështu. Nuk e kam parë kurrë PD si lopë për ta mjelë, por përkundrazi kam dhënë shume e s’kam kërkuar për të marrë gjë mbrapsht nga PD. Mandatin se shoh si privilegj absolutisht. Po te deklaroj qe nëse nuk ka zgjidhje ne PD mua mos me konsideroni me për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Ilda Dhori: Duhet të ikësh, duhet të hapet gara në PD. Berisha e ka mbyllur duhet të zgjedhin demokratet cili na bashkon.
Helidon Bushati: Duhet të shkojmë përtej egos. Duhet kongres pajtimi, të bashkohemi! Duhet të gjithë në këtu dhe koleget tanë të ‘Shtëpisë së lirisë’ të kalojmë përtej egove personale për të mirën e PD. T’i hapet rruga zgjedhjeve. Duhet kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku per te mirën e përgjithshme disa duhet te bejne nje hap prapa.
Emilia Koliqi: Bëj deklarate dorëheqjeje. Saliu është i ikur. Largohu që të bashkojmë partinë pa Berishën.
Agron Gjekmarkaj: T’i hapet rruga zgjedhjeve. Duhet një kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme disa duhet të bëjnë një hap prapa. Duhet një komision që do ta çojë PD në zgjedhje. Unë do të mbetem një deputet i thjeshtë.
Lefter Gështenja: Duhet të bëni një hap pas ju i pari pastaj me radhë të gjithë në mënyrë që të bashkohen demokratët në bazë. Nuk mund të vazhdohet me kështu duhet reflektim i thellë nga të gjithë nga ju i pari, duhet të sakrifikojmë të gjithë që të shpëtojmë PD-në. Nëse na dhimbset vërtetë PD-ja duhet ta bëjmë sot se nesër do jetë vonë. Ju duhet të bëni një hap pas që të bashkohen demokratët. Sot demokratet janë të ndarë. Drejtuesit e partisë nuk dalin në terren janë larguar nga strukturat e Partisë Demokratike dhe shkojmë vetëm për fushata, nuk mund të vazhdohet kështu.
Selaudin Jakupllari: Duhet të punojmë për bashkim, duhet të reflektosh. Berisha e ka mbyllur me PD por duhet të bashkojmë bazën.
Ramadan Lika: Nuk të kam kërkuar kurrë gjë dhe të kam kthyer Koplikun si fitues, jam gati të dorëzoj mandatin. Duhet zgjidhje. Ti thua se “s’kena humb”, si nuk kena humb, jemi shkatërru. Nuk duhet të dalim pa vendim që këtu.
Kasem Mahmutaj: Duhet një garë e hapur, të gjejmë kush e bashkon nëpërmjet zgjedhjeve! Ne mund të flasim gjithë natën por këtij debati zgjidhje i jep vota!
Grida Duma: Para se të na drejtohesh ne me pyetje, kam ynë një pyetje për ty: “A ndjen ti kryetar përgjegjësi morale, personale për këtë humbje?! Lideri në një parti politike është 90% dhe numrat 2, 3 apo 27 çfarëdo të bëjnë nuk e zëvendësojnë dot as përmirësojnë dot liderin. Dëgjova që e nisët fjalën tuaj kryetar duke thënë ose me mua ose këtu do t’ju vijë Sali Berisha.
Sali Berisha duke dashur t’ju mundë ju, mundi Partinë Demokratike. Në këtë garë për shkak të luftës midis Sali Berishës dhe jush humbi Partia Demokratike. Në këtë betejë ne bëmë gjithçka të mos e bënim betejën “Berisha kundër Bashës”, por nuk e evituam dot.
Ju thoni sot ketu “o te jem unë ose këtu do jetë Sali Berisha”, pra o unë, o askush nuk mundet. Ç’ka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë është ende më i rrënjosur. Kjo garë u bë “PD kundër PD” dhe kjo nuk është në asnjë moment e pranueshme më. Nëse doni të jeni i sinqertë vertet ju keni humbur shume beteja, dhe nga ky pranim nis zgjidhja.
Nëse doni te jeni i sinqertë bëni pyetjen troç. Ka dy pyetje të mundshme qe mund të na bësh e para: Ju lutem bëhuni me mua të gjithë që unë të mbaj Partine Demokratike se kështu dua unë si individ. Pyetja tjetër është: Si do bëjmë që përtej meje të ngremë Partine Demokratike për vetë Partine Demokratike. Cilën pyetje po na drejtoni të parën apo të dytën?
Elda Hoti: Duhet guxim, kemi turp nga familjarët. Dua të të tregoj realitetin, të kam thënë se gëzoj respekt për ty dhe do të mbështes, por tani po vihet ne diskutim dinjiteti. Nuk të pranojnë zoti Basha. S’është më në dëshirën apo vullnetin tonë!
Oriola Pampuri: Ne e dinim që do dilnim kështu sepse ishin zgjedhje kurth. Normale është të bashkohemi me demokratët në terren. Mos ta kërkojmë përgjegjësinë vetëm te Lulzim Basha. Kemi zgjedhjet e 2023. S’kemi kohë.
Xhelal Mziu: Zoti Basha, zgjedhjet u humbën. Ju keni përgjegjësi dhe duhet të jepni dorëheqje.