Në dokumentin e ri të politikës fiskale, 2022-2026 qeveria angazhohet që të analizojë përjashtimet tatimore, me synim heqjen e tyre, në TVSH, akcizë etj, të cilat janë dhënë ndër vite për të nxitur sektorë të caktuar.
Në vitin 2023 e në vijim qeveria do të shqyrtoje heqjen e përjashtimit nga TVSH-së të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, turizmit, tregjeve financiare. Gjithashtu strategjia synon unifikimin e normave tatimore drejt vlerës më të lartë.
Furnizimi i shërbimeve shëndetësorë nga sektori privat ka qene fillimisht i përjashtuar. Më vonë, pas vitit 2010, për këtë shërbim aplikohej TVSH 10 % dhe nga janari 2014 trajtohet përsëri si furnizim i përjashtuar nga TVSH. Ndërkohë, edhe furnizimi i shërbimeve edukative-arsimore nga sektori privat ka qene fillimisht furnizim i përjashtuar, më pas, u trajtua si furnizim i tatueshëm me shkallë tatimore 20%, dhe nga viti 2013 e në vazhdim trajtohet si furnizim i përjashtuar.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë referoi se do analizoje impaktin e këtyre përjashtimeve, përfitimet reale të konsumatorëve, marzhin e fitimit të realizuar nga operatorët ekonomikë privatë dhe do propozojë ndryshimet e nevojshme, nëse do shihet e arsyeshme, ndryshime të cilat do mund të zbatohen në një periudhë afatmesme 3-4 vjeçare.
Shërbimet financiare të bankave dhe institucioneve të tjera financiare do jenë objekt i analizës nga strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim që në periudhë afatmesme të rishikohet skema e taksimit të tyre ose në formën e “tarifës se transaksionit” ose në formën e TVSH-së me tarifë të reduktuar apo atë standarde. Skema e taksimit që mund të aplikohet do të jetë në varësi të zhvillimeve ndërkombëtare në këtë fushë
Do të unifikohet nivelit i akcizës për produktet verë dhe birrë nëpërmjet eliminimit të diferencës në nivelin e akcizës ndërmjet prodhuesve të vegjël dhe prodhuesve të mëdhenj. Akciza e birrës për prodhuesit e vegjël, të cilët prodhojnë më pak se 200 mijë hl në vit është gati sa gjysma e akcizës që aplikohet për prodhuesit e mëdhenj të cilët prodhojnë mbi 200 mijë hl në vit. Ndërsa akciza e verës për prodhuesit e vegjël është rreth një e treta e normës së rregullt të akcizës që zbatohet për prodhuesit e mëdhenj. Shkalla e diferencuar do synohet të hiqet duke filluar nga viti 2022 për verën dhe 2023 për birrën.
Strategjia e re fiskale e qeverisë synon të unifikojë normat tatimore dhe t’i sjellë pragjet në një nivel, por në atë më të lartin të aplikuar deri më tani.
Reforma synon unifikimin e normës tatimore të tatimit mbi fitimin për të gjitha bizneset. Sipas skemës aktuale të taksimit, tarifat tatimore që aplikohen për taksimin e te ardhurave të biznesit janë 0 % për tatimpaguesit me të ardhura vjetore 0-14 milion lekë dhe 15 % për tatimpaguesit me të ardhura vjetore mbi 14 milion lekë.
Ministria e Financave do të rishikojë efektivitetin e përjashtimeve, tarifave të reduktuara dhe atyre preferenciale të tatimit mbi fitimin për industri dhe sektorë specifikë. Në të ardhmen do synohet që të ketë unifikim në një normë të vetme standarde të tatimit mbi fitimin korporativ. Tatimi mbi fitimin të funksionojë me një normë të vetme tatimore, për të gjithë tatimpaguesit pa asnjë diferencim sektorial.
Strategjia afatmesme e të ardhurave 2022-2026 është hartuar mbi bazën e rekomandimeve nga FMN dhe do të konsultohet me grupet e biznesit.
Rishikimet e politikave tatimore të synuara për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar
Rishikimi i politikave tatimore në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar do të synojë heqjen apo vendosjen e afateve kufizuese për përjashtime/tarifa të reduktuara të implementuara në vitet e mëparshme. Së pari do analizohen incentivat dhe përjashtimet/tarifat e reduktuara të cilat kanë qënë politikë e brendshme e vendit tonë, dhe më pas incentivat/përjashtimet/tarifat e reduktuara të përfshira të Direktivën 2006/112/CE e Këshillit dhe Direktivave amenduese të saj.
Në këtë kuadër analiza e rishikimeve do përfshijë:
analizën dhe rishikimin e listës së përjashtimeve nga TVSH në import dhe brenda vendit;
analizën e efekteve reale mbi publikun të përjashtimit nga TVSH të sherbimeve shëndetsore dhe shërbimeve të edukimit që furnizohen nga sektori privat;
analizën në lidhje me mundësinë e shtrirjes së TVSH-së mbi furnizimin e shërbimeve financiare të bankave dhe institucioneve të tjera financiare;
analizën në lidhje me mundësinë e shtrirjes së TVSH-së mbi furnizimin e shërbimeve të sigurimit;
rishikimin e skemës së fermerit dhe zëvendësimin e saj me politika subvencionuese mbi bazë produkti;
rishikimin e efekteve reale mbi konsumatorët të normës së reduktuar të TVSH-së 6 % për disa kategori furnizimesh si akomodimi, etj;
analiza e pragur të regjistrimit në TVSH, pasojat dhe problematika;
analiza dhe adresimi i problematikës së pragut të regjistrimit në TVSH për veprimtari specifike ku operohet me tarifa të miratuara shteerore si shërbimi i noterisë, shërbimi përmbarimor privat, etj;
Shërbimet financiare
Shërbimet financiare të bankave dhe institucioneve të tjera financiare do jenë objekt i analizës nga strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim që në periudhë afatmesme të rishikohet skema e taksimit të tyre ose në formën e “tarifës se transaksionit” ose në formën e TVSH-së me tarifë të reduktuar apo atë standarde.
Skema e taksimit që mund të aplikohet do të jetë në varësi të zhvillimeve ndërkombëtare në këtë fushë. Në vitet e fundit, është diskutuar gjerësisht taksimi i transaksioneve financiare bankare. Në fakt, deri tani, Direktiva 2006/112/CE e Këshillit “Mbi sistemin e përbashkët të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, e ndryshuar, i trajton shërbimet financiare si furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja. Ndërkohë, në kontekstin global, janë diskutuar edhe opsione për vendosjen e një takse të dedikuar në përqindje mbi transaksionet bankare. Të dhënat e deklaruara nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, tregojnë se 40-45 % e të ardhurave të biznesit bankar sigurohen nga shërbimet financiare, ndërkohë që vetëm 55-60 % e të ardhurave sigurohen nga veprimtaria kryesore bankare-kredidhënia.
Shërbimet e sigurimit. Sigurimi i jo-jetës ka qënë në skemën e TVSH-së deri në vitin 2014. Nga 1 Janari 2015 u trajtua si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, në përputhje me direktivën e BE-së. Njëkohësisht, bazuar në përvojën ndërkombëtare, mbi tarifat e sigurimit u aplikua “taksa e primit të sigurimit” në masën 3 % deri në vitin 2016, dhe më pas 10 %. FMN sugjeron që sigurimi i jo-jetës, të futet në skemën e TVSH-së me tarifë standarde 20 %. Futja në skemën e TVSH-së do të shoqërohet me heqjen e “taksës së primit të sigurimit”. Këto ndryshime do analizohen të lidhura me pasojat e tyre mbi konsumatorin dhe kategoritë e sigurimeve dhe nëse shihet oportune përmirësimi i skemës së taksimit, mund të implementohen në periudhë afatmesme.
Shërbimet me TVSH të reduktuar 6%
Ligji shqiptar i TVSH-së, parashikon aplikimin e normës së reduktuar 6 % të TVSH-së për një sërë furnizimesh si më poshtë:
furnizimi i shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese;
furnizimi i shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel/Resort me pesë yje, status special”;
furnizimi i shërbimit të akomodimit dhe restorantit, me përjashtim të pijeve, nga strukturat, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”;
furnizimi i shërbimit të reklamave nga media audiovizive;
furnizimi i mjeteve të transportit publik tё licencuar të udhëtarëve me autobus me nëntë plus një vende ose më shumë, vetëm me motor elektrik;
furnizimi i librave të çdo lloji.
Furnizimi i ndërtimit të infrastrukturës sportiv.
Për kategoritë e mësipërme të furnizimeve, të cilat trajtohen me tarifë të reduktuar, Ministria e Financave dhe Ekonomisë:
do analizoje impaktin e tyre në rritjen e qarkullimit sektorial dhe përfitimeve të tjera që ka pasur ekonomia shqiptare dhe konsumatori;
do vlerësojë nëse secila nga këto incentiva e ka përmbushur qëllimin për të cilën ishte dizenjuar;
do propozojë kohën dhe afatin oportun të heqjes së incentivave të cilat kanë përmbushur qëllimin;
do analizoje cdo tarifë të reduktuar për cdo lloj furnizimi malli dhe shërbimi, nëse ajo është në përputhje me Direktivën 2006/112/CE, duke marrë njëkohësisht masa për të qenë të përgatitur në negociatat e Kapitullit 16 lidhur me afatin e ruajtjes se tarifave tatimore jo në linjë më Direktivën Europiane. /Monitor/