Komisioni konstatoi se gjyqtari Shpëtim Reka ka pamundësi financiare për krijimin e një pjese të pasurive, se është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit si dhe se ka kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
Gjyqtari i Durrësit, Shpëtim Reka u përball të mërkurën më 23 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth katër orë, u pyet dhe dha shpjegime për barrën e provës të kaluar në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Reka nëpërmjet avokatit të tij, Genci Çifligu paraqiti një mbrojtje të gjatë duke kundërshtuar konstatimet për balancat negative; dyshimet për pasuri të fshehura; gjendjen në konfliktin e interesit me ndërtuesit e pallateve ku ka blerë një apartament dhe një tjetër i është dhuruar të birit nga gjyshja; dyshime për veprime fiktive në blerjen e një automjeti; si dhe huapërdorja pa afat e një makine nga një person i dënuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Procesi vetingut për gjyqtarin Reka po kryhet nga trupa KPK-së e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.
Shpëtim Reka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Durrësit.
Problemet për pasurinë dhe profesionalizmin
Komisioni i ka kaluar barrën e provës Rekës për disa konstatime lidhur me një apartament 3+1 me sipërfaqe 146.5 m2 të blerë në Durrës për çmimin 70 mijë euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar një kredi në shumën 31 mijë euro; të ardhurat nga shitja e një apartamenti të përfituar nga privatizimi, në shumën 3.3 milionë lekë, kursime nga pagat dhe nga qiraja prej një apartamenti në Tiranë që i është dhuruar bashkëshortes nga i ati.
Nga analiza e burimeve të krijimit, Komisioni konstatoi se ai nuk ka pasur mundësi financiare për të mbuluar një pjesë të pagesës së kësteve me vlerë 63 mijë euro. KPK ka konsideruar të ardhura nga qiraja e apartamentit në Tiranë vetëm ato për të cilat janë paguar detyrimet tatimore në vlerën totale 2.7 milionë lekë.
Ndërkohë, u evidentua se ka ngelur e paqartë nëse është shlyer kësti i fundit në shumën 7 mijë euro, që në kontratën paraprake të vitit 2004 ishte dakorëdësuar të shlyhej pasi apartamenti të dorëzohej i plotë.
Nga hetimi ka rezultuar se gjyqtari Reka ka shqyrtuar një kërkesë të firmës ndërtuese për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, çështje që kishte të bënte me truallin ku gjendet objekti. Reka rezulton të ketë disponuar me pranimin e kërkesës së firmës ndërtuese ku ka blerë apartamentin. “Vlerësohet se vendimi ka qenë në funksion të vetë subjektit të rivlerësimit, me qëllim për t’u pajisur me certifikatë pronësie,” theksoi Bungo dhe shtoi se urdhëri është lëshuar në kushtet e konfliktit të interesit. Kjo gjetje është trajtuar dhe në aspektin profesional.
Po ashtu, gjyqtarit i është kaluar barrë prove për këtë pasuri dhe për mosdeklarimin në vitin 2004 të nënshkrimit të kontratës paraprake për blerjen e apartamentit.
Avokati Çifliku sqaroi se subjekti kishte konsideruar të mos e deklaronte në 2004-ën blerjen e apartamentit, pasi nuk zotëronte ende certifikatë pronësie. Ai shtoi se në atë vit ishte deklaruar marrja e kredisë për blerje banese.
Avokati kërkoi të konsideroheshin në analizë gjendjet cash të deklaruara në vitin 2003 në shumën 1.5 milionë lekë dhe likujditetet bankare.
Lidhur me të ardhurat nga qiraja e apartamentit në Tiranë, Çifligu shpjegoi se qiramarrësit ishin subjekte dhe jo individë dhe pretendoi se legjislacioni ngarkon ata për të paguar detyrimet. Ai pohoi se provohej se prej vitit 2000, subjekti kishte përfituar qira mujore nga 350 USD.
Për këstin e fundit 7000 euro, Çifligu deklaroi se ishte shlyer pjesë pjesë nga subjekti, por shtoi se nuk kishin siguruar dot mandat pagesat pasi shoqëria ndërtuese e kishte pezulluar aktivitetin, ndërsa administratori gjendej jashtë shtetit.
Po ashtu, ai këmbënguli se subjekti nuk është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në shqyrtimin e çështjes me palë firmën ndërtuese në vitin 2010, me pretendimin se ishin shlyer të gjitha detyrimet nga subjekti. Çifligu argumentoi se nuk bëhej fjalë për një çështje themeli ku gjykoheshin mosmarrëveshjet, por një vendim formal për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, që sipas tij nuk mund të ketë konflikt interesi.
Komisioni ngre dyshime se një apartament me sipërfaqe 51 m2 i blerë në qytetin e Durrësit nga nëna e bashkëshortes së Rekës në vitin 2008 për çmimin 3 milionë 450 mijë lekë dhe që i është dhuruar djalit të tyre në vitin 2016, mund të jetë një pasuri e fshehur e subjektit.
Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti i është dhuruar djalit të subjektit një muaj pasi ishte regjistruar ne emër të nënës së bashkëshortes së tij. Nga sa u relatua në seancë u kuptua se bashkëshortja e gjyqtarit është prokurorja e Durrësit, Flora Reka, edhe ajo subjekt rivlerësimi.
Bungo evidentoi se kjo pasuri është porositur nga vjehrra e prokurorit Reka kur ajo ishte në moshën 76 vjeçare, ndërkohë që ka rezultuar se kjo banesë nuk është përdorur asnjëherë deri në vitin 2019 pasi nuk ka pasur shpenzim të energjisë elektrike. “Nuk qëndron pretendimi i subjektit se vjehrra e ka përdorur apartamentit për pushime gjatë muajve të verës,” theksoi Bungo.
Reka ka pretenduar se vjehrra ka lindur në vitin 1932 në Lion të Francës dhe se ka qenë trashëgimtare e një banese me tre kate dhe 14 dhoma në atë qytet me pjesë takuese 1/4 – pasuri që sipas tij i ka siguruar të ardhura të konsiderueshme nga qiraja dhe nga shitja në vitin 1998 e për rrjedhojë ka pasur mundësi për blerjen e apartamentit në Durrës. Por, KPK vlerëson se nuk janë provuar këto burime dhe ka konstatuar balancë negative.
Ndërkohë, nga hetimi administrativ ka rezultuar se prej vitit 2011 e në vijim gjyqtari Reka ka shqyrtuar shtatë çështje me palë shoqërinë ndërtuese prej nga vjehrra ka blerë apartamentin, duke i dhënë gjithmonë të drejtë në vendimarrjet e tij.
Gjithashtu, ka rezultuar se ai ka udhëtuar dy herë jashtë shtetit me administratorin e kësaj shoqërie ndërtuese.
Në përfundim të hetimit për këtë apartament, Komisioni ngre dyshime për fshehje pasurie dhe gjendjen e subjektit të rivlerësimit në kushtet e konfliktit të interesit.
Avokati Çifligu deklaroi se kishin depozituar prova indirekte që vërtetonin se vjehrra e subjektit kishte përfituar të ardhura të konsiderueshme nga qiraja dhe shitja e shtëpisë në Lion të Francës. Ai theksoi se apartamenti në Durrës ishte përdorur në verë dhe kundërshtoi pretendimin për konflikt interesi, duke arugmentuar se apartamenti ishte blerë në vitin 2008, ndërsa çështjet ishin shqytuar nga viti 2011 e në vijim.
Dyshime për fshehje u ngritën dhe për një autoveturë tip “Benz” në pronësi të vëllait të bashkëshortes, që ishte një një prej mjeteve për të cilat u konstatuan probleme në seancë.
Megjithëse Reka ka deklaruar përdorimin e këtij mjeti në periudha të shkurtra dhe se nuk ka kryer asnjë shpenzim, KPK konstaton se nga verifikimi i sistemit TIMS rezulton se subjekti e ka përdorur në vazhdimësi për udhëtimet jashtë shtetit, ndërsa nuk është përdorur asnjëherë prej pronarit.
Avokati Çifligu kundërshtoi dyshimet për fshehje të mjetit dhe theksoi se kunati subjektit kishte burime të mjaftueshme për blerjen e makinës.
Transaksionet për blerjen e një “Benz-i” tjetër në vitin 2000, e kanë përballur subjektin me barrë prove për etikën e tij si gjyqtar. Sipas bungos, subjekti e ka blerë nga bashkëshortja e tij automjetin tip “Benz” në vitin 2000 për shumën 700 mijë lekë.
Por nga hetimi ka rezultuar se të njëjtën makinë ajo e ka blerë nga subjekti, i cili rezultonte se e kishte blerë më parë në Dyseldrof të Gjermanisë. Pasi subjekti është ribërë pronar i mjetit, rezulton të ketë denoncuar në polici humbjen e targave dhe e ka pajisur makinën me targa të reja. “Duket se subjekti ka përdorur dokumente jo të rregullta dhe jo në përputhje me etikën e tij si gjyqtar”, konstatoi Bungo.
Avokati Çifligu pretendoi në seancë se nuk ka qenë subjekti ai që e ka blerë makinën në Gjermani, por një person tjetër të cilit Reka i kishte dhënë autorizim për kryerjen e transaksioneve, si dhe dokumente përfshi dhe fotokopje të pasaortës. Sipas tij, kishte qenë ai person që i kishte kryer të gjitha veprimet që kishin të bënin me blerjen e mjetit në Gjermani dhe pagesën e detyrimeve doganore në emër të subjektit.
Një tjetër autoveturë tip “Benz” që subjekti e ka blerë në vitin 2003 në shumën 2500 USD, e ka shitur dy vite më vonë për çmimin 10 mijë euro, por nuk ka paguar detyrimet për fitimin e realizuar. Avokati Rekës deklaroi në seancë se subjekti kishte kryer shërbime për makinën dhe se nuk kishte pasur fitim.
Rekës i është kaluar barrë prove për pamundësi financiare për blerjen e një “Benz-i” në emër të djalit në vitin 2012 në shumën 1.3 milionë lekë, me burime kursime familjare dhe nga shitja e një makine tjetër tip “Opel”. Nga hetimi ka rezultuar se shitësi e ka blerë këtë makinë një muaj më parë në shumën rreth 11 mijë e 500 euro si dhe ka paguar detyrime doganpore në shumën 481 mijë lekë.
Sipas avokatit Çifligu, subjekti nuk mund të dinte çmimin që kishte paguar pala shitëse për blerjen e makinës dhe as mundej ta pyeste. Ai vërejti se makina ishte shitur në shumën 665 mijë lekë për shkak të disa defekteve që i kishte pasur që në momentin kur ishte blerë.
Për balancat negative të konstatuara për blerjen e pasurive dhe shpenzimeve, avokati kërkoi konsiderimin e gjendjes cash në analizën financiare si dhe të pakësimit të likujditeteve bankare.
Në kriterin profesional, veç konstatimeve për gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit në shqyrtimin e çështjeve me palë administratorët e dy shoqërive ndërtuese, u evidentua dhe një çështje ku subjekti kishte tejkaluar afatet e gjykimit. Lidhur me këtë gjetje, Reka u justifikua se vonesa kishte ardhur si pasojë e muajit gusht që ishin me pushime.
Kontakti i papërshtatshëm
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar raport pozitiv për gjyqtarin Shpëtim Reka. Por hetimi i KPK ka zbuluar se ai ka udhëtuar në vitin 2012 me një autoveturë tip Benz në pronësi të një personi të përfshirë në krimin e organizuar, pasi ka qenë i dënuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Subjekti ka pretenduar se e ka marrë me qira, por nga verifikimi i dokumenteve ka rezultuar se ka qenë kontratë huapërdorje pa kundërshpërblim dhe pa afat. “Duket marrdhënie e posaçme”, pohoi Bungo dhe shtoi se ky konstatim konsiderohej si një kontakt i papërshtatshëm i fshehur nga gjyqtari Reka.
Avokati Çifligu shpjegoi se subjekti duhej të udhëtonte në Greqi me familjen e tij që përbëhej nga katër anëtarë dhe me dy nipërit e bashkëshortes. Sipas tij, në këto kushte u është nevojitur dhe një mjet tjetër dhe këtë situatë e ka zgjidhur kunati i bashkëshortes.
Çifligu deklaroi se kishte qenë kunati i bashkëshortes të subjektit që kishte kontaktuar me shtetasin Xh.T. dhe se Reka sa kishte shkuar të firmoste kontratën e huapërdorimit.
Sipas avokatit, policat e sigurimit të mjetit figuronin çdo vit në emër të shtetasit Xh.T. dhe për rrjedhojë nuk mund të provohej se Reka kishte vijuar ta përdorte mjetin pas kthimit prej udhëtimit në Greqi. “Nuk ka papërshtatshmëri. Konstatimi është i pasaktë”, theksoi avokati Çifligu.
Në përfundim, gjyqtari Shpëtim Reka deklaroi se së bashku me bashkëshorten kishin punuar me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri, si dhe kishin bërë një jetë të thjeshtë. “Rrjedh nga një familje që e kam për nder, familje e thjeshtë që ka qenë e përkushtuar me punën”, deklaroi Reka dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 25 shkurt, ora 09:30. /BIRN/