Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se ishte i bindur se presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë një vendim për të sulmuar Ukrainën dhe se megjithëse kishte ende hapësirë për diplomaci, ai priste që forcat ruse të hyjnë në Ukrainë në ditët në vijim.
“Ne kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë dhe synojnë të sulmojnë Ukrainën në javën e ardhshme, në ditët në vijim”, tha presidenti Biden, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia do të synonte kryeqytetin e Ukrainës, Kievin.
Komentet e tij erdhën pas një telefonate me krerët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Rumanisë, Britanisë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, tha Shtëpia e Bardhë.
Udhëheqësit u zotuan të vazhdojnë të ndjekin diplomacinë ndërsa përgatiten të imponojnë kosto të shpejta dhe të koordinuara ekonomike ndaj Rusisë nëse ajo zgjedh konflikt të mëtejshëm, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë pas thirrjes telefonike.
Ata diskutuan gjithashtu përpjekjet për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e krahut lindor të NATO-s, tha Shtëpia e Bardhë.
Administrata Biden ka thënë se një zgjidhje diplomatike mbetet e mundur nëse Rusia e zgjedh këtë opsion, por se Uashingtoni dhe aleatët e tij evropianë janë të përgatitur të marrin veprime të ashpra nëse Moska zgjedh të sulmojë.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov planifikojnë të takohen më 24 shkurt në Evropë, tha presidenti Biden, por ai paralajmëroi se çdo veprim ushtarak rus më parë do të tregonte se Rusia “i ka mbyllur derën diplomacisë”.
Sekretari Blinken iu drejtua gjithashtu konferencës në Mynih të premten, duke thënë se Uashingtoni mbeti “thellësisht i shqetësuar” se Rusia po planifikonte të sulmonte Ukrainën brenda disa ditësh.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin gjithashtu kërkoi uljen e përshkallëzimit në një telefonatë me homologun e tij rus të premten, tha Pentagoni.
Ndërkohë, dyzet deri në pesëdhjetë për qind e trupave ruse pranë kufirit të saj me Ukrainën janë në “pozicione sulmi”, tha të premten një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
Vendet perëndimore kanë frikë nga një konflikt nëse Rusia sulmon Ukrainën në një shkallë të paparë në Evropë të paktën që nga luftërat në ish-Jugosllavi dhe ajo në Çeçeni në vitet 1990, të cilat vranë qindra mijëra njerëz dhe detyruan miliona të shpërngulen.
Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti, tha se kishte afërsisht 150,000 trupa ruse në kufi, ku përfshiheshin rreth 125 batalione taktike.
Përqindja e forcave në pozicione sulmuese është më e lartë se sa dihej më parë dhe sugjeron se këto njësi ruse mund të sulmojnë Ukrainën me pak ose aspak paralajmërim.
Zyrtari nuk dha prova për vlerësimin dhe nuk specifikoi nëse pozicionet e sulmit ishin në kufirin me Ukrainën apo në pjesët e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.
KONFERENCA E MYNIHUT
Nënpresidentja Kamala Harris u takua të premten me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe drejtuesit e tre vendeve baltike dhe tha se Rusia duhet të tregojë se është e hapur ndaj diplomacisë, ndërsa paralajmëroi Moskën për pasoja të rënda nëse sulmon Ukrainën.
Ministria ruse e mbrojtjes tha më herët gjatë ditës se presidenti Vladimir Putin do të mbikëqyrë të shtunën stërvitjet nga forcat bërthamore të Rusisë që përfshijnë lëshimin e raketave balistike dhe të lundrimit. Një zyrtar i lartë i administratës amerikane e quajti vendimin “përshkallëzues dhe fatkeq”.
Duke përshëndetur unitetin e NATO-s, zonja Harris tha se “një sulm ndaj njërit anëtar është një sulm ndaj të gjithëve” dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ishin të gatshëm të përgjigjeshin me sanksione nëse Putin vendos të sulmonte Ukrainën.
“Ne e kuptojmë dhe e kemi bërë të qartë se mbetemi të hapur ndaj diplomacisë. Barra i takon Rusisë në këtë pikë, për të treguar se është serioze në këtë drejtim,” tha zonja Harris.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane mbeten në gatishmëri të lartë nëse Rusia krijon një pretekst për sulm. Komentet e saj dukej se synonin t’i dërgonin Putinit një mesazh se kriza ka forcuar vendosmërinë e aleancës së NATO-s prej 30 vendesh për të zmbrapsur çdo agresion rus.
Në një konferencë shtypi në Moskë, Putin tha se Rusia duhet të punojë për rritjen e sovranitetit të saj ekonomik. Ai tha se Perëndimi do të gjente gjithmonë një pretekst për të vendosur sanksione ndaj Moskës.
Uashingtoni vlerëson se Rusia ka të ngjarë të ketë grumbulluar midis 169,000 dhe 190,000 personel ushtarak në dhe afër Ukrainës, nga rreth 100,000 në 30 janar, tha Michael Carpenter, përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Udhëheqësit nga Letonia, Lituania dhe Estonia thanë se shfaqja e unitetit, dialogu mes aleatëve, sanksionet e ashpra dhe përforcimi i krahut lindor të NATO-s mbetën opsionet e vetme për të penguar Rusinë.
“Sot fantazma e luftës është duke qëndruar në Evropë, për fat të keq ne duhet ta pranojmë atë. Ne shohim mundësinë e një konflikti ushtarak në Ukrainë,” tha presidenti lituanez Gitanas Nauseda.
Ai kërkoi një “prani të përhershme” të trupave amerikane në vendin e tij, duke theksuar se mënyra e vetme për të ndaluar Rusinë ishte “parandalimi”.
Gjatë një vizite tre-ditore në Konferencën e Sigurisë në Mynih, zonja Harris do të takohet gjithashtu me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe drejtues të tjerë botërorë të shtunën.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nëse presidenti Zelenskiy duhet të udhëtojë në Mynih për takime nesër, zyrtari i lartë i administratës tha: “Jo.
“Ky është në të vërtetë vendimi e tij. Është në dorën e tij të vendosë se ku duhet të jetë.”
/VOA/