Nga Ilir Kalemaj
Konflikti Rusi-Ukrainë, kryelajm i mediave dhe mediumeve botërorë në momentin që flasim, ka provokuar si zakonisht ose mospërfillje krenariste tipike të ballkanasit të zhytur në hallet e përditshmërisë, ose nxjerrje të gjithologëve që flasin për çdo gjë dhe dinë gjithçka nga analiza e big brotherit dhe diskutimi mbi seksin e ëngjëjve te psikanaliza e Putinit.
Dhe në fund, por jo nga rëndësia, konspiracionistët që mendojnë se kuptojnë çfarë luhet në prapaskenë dhe skanë nevojë të lëçisin gjëkafshë për të kuptuar se Rusia ka të drejtë, Europa është e dobët dhe Biden është në prag pensioni. Këto kategori që hedhin e presin, më shumë të çorientuar se ndihmojnë në orientim, ose e shohin cdo gjë të lidhur ngushtësisht me nahijen tonë të vogël shqiptare, ose çmontojnë çdo lajm që vjen nga jashtë si të parëndësishëm, të panevojshëm dhe kotsëkoti krahasuar me betejën pafund të bajlozëve vendas që edhe zihen, edhe bashkëpunojnë në prapaskenë, edhe dhurojnë emocione të forta në përballjet flakë më flakë, edhe i shuajnë me një të rënë të lapsit kur zgjedhin drejtues institucionesh bipartizanë.
Por përtej cfarë diskutohet, lipset të kuptohet se çfarë përmasa ka ky konflikt, a ka reperkusione në Europë, në Ballkan, a është sipar apo hapje e kapitujve që mund të shndërrohen në konflikte globale, a është ravijëzim aleancash të reja dhe ndarje zonash influence apo një rend i ri global? Apo është thjesht vijim i paqes së nxehtë apo luftës së ftohtë me mjete të tjera nëse i bëjmë një përcaktim Clawzetzian asaj që po ndodh?
Natyrisht gjithcka varet nga konteksti i interpretimit të fakteve të cilat mund të jenë gjithcka vecse jo neutrale. Nëse sot je një qytetar rus në Federatën Ruse apo Ukrainë je i prirur të kesh një tjetër këndvështrim në lidhje me perspektivën e antarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO, pozicionimin e trupave ruse në kufi apo qasjen agresive të diplomacisë ruse nga dikush në Kiev apo Ukrainën perëndimore. Njëjtës nëse e sheh nga perspektiva e Kinës përfton një tjetër kuptueshmëri nga prizmi që e sheh një japonez, australian apo amerikan të cilët janë më të prirur të shohin një paralelizëm të pastër me agresionin kinez ndaj Taivanit dhe si një dritë jeshile për aneksimin e këtij të fundit nga Kina.
Për mos të folur për BE-në e cila sot duket më shumë se kurrë një konglomerat interesash ku fjala bi ato gjermane nuk jane identike me ato franceze dhe ato hungareze janë ku e ku diferenciale me ato britanike. Packa se kjo e fundit është tashme jashtë BE-së por shpenzon jo pak por 56 miliardë dollarë në vit dhe konsiderohet si buxheti i gjashtë apo shtatë më i madh sot në botë sipas Institutit të Kërkimit Ndërkombëtar të Paqes së Stokholmit. Është jo pak e rëndësishme në këtë proces duke qenë se bashkë me Poloninë dhe Ukrainën nënshkruan një traktat trilateral, ndoshta për herë të parë që kjo ndodh në teatrin europian që prej ndërmjet dy luftërave botërore, në vitet 20-të dhe 30-të të shekullit të kaluar. Gjithashtu duhet pasur në vëmendje pozicionimi i shteteve të rëndësishme nga pikëpamja ekonomike dhe ushtarake si Turqia e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO me rreth 900 mijë ushtarakë aktivë apo është duke kontribuar rëndësishëm në diplomacinë ushtarake nëpërmjet eksportit të dronëve luftarakë Bayraktar TB2, nga të cilat Ukraina është një importues i rëndësishëm.
Nga ana tjetër, ajo që dihet me siguri është që Këshilli i Sigurimit, ku edhe Shqipëria sipas kryeministrit Rama është bashkë-penëmbajtëse, është inefektiv për të zgjidhur krizën aktuale, për shkak të vetos së padiskutueshme ruse që natyrisht pritet t’i bashkangjitet ajo kineze për çfarëdolloj sanksioni që do të synonte ndalimin e përshkallëzimit të konfliktit të njëanshëm nga vetë Rusia. Natyrisht ajo që dimë gjithashtu është se luftërat sot janë jo-konvencionale, ushtritë rrallëherë ndeshen në fushë të hapur, teknologjia dhe inovacioni për mirëmbëjtjen e infrastrukturës ushtarake janë conditio sine qua non dhe opsioni nuklear i përmendur si rastësisht nga presidenti Putin së fundmi është thjesht një bllof.
Kjo për arsye se vetëm pak javë më parë, vetë Rusia ndërmorri një nisëm për nënshkrimin e një akti dakordësie mes vedi, SHBA-së, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe si fuqitë kryesore nukleare të planetit për mos t’i përdorur kurrë përpos si deterrentë armët bërthamore, një sukses ky që në formë të shkruar dhe të dakordësuar nuk u arrit as përgjatë detantës së luftës së ftohtë, nën presidencat respektive të Niksonit dhe Brezhnjevit. Por edhe pa këtë traktat pakush me mendje racionale mund ta konsideronte opsionin nuklear si të mundshëm për shkak të kostove të pallogaritshme dhe aftësisë për të kundërsulmuar në të njëjtën kohë nga pala tjetër. Ajo që njihej qysh gjatë luftës së ftohtë si “second strike capability” që do të silltë paevitueshmërisht MAD (mutual assuered destruction- shkatërrimin reciprok).
Gjithashtu, nëse Rusia e kornizuar nga përshkallëzimi i veprimeve që ndërmorri në mënyrë unilaterale, pa ndonjë kërcënim të qartë dhe të dukshëm, ndërmerr aktin final, atë të pushtimit të plotë apo të pjesshëm do të përballet me unifikim të aleatëve perëndimorë dhe jo vetëm, me një valë sanksionesh të paparë teknologjike, inovacionesh, financiare dhe ekonomike që mund të sjellë ndryshime të rendit politik brenda vetë Federatës Ruse. Përjashtimi i Rusisë nga rrjeti SWIFT i transferatve ndërbankare, konfiskimi i pasurive të oligarkëve rusë në Londër dhe gjetkë, ngrirja e llogarive bankare te rrethit të ngushtë të Putinit, hedhja në erë e investimit 11 miliardë dollarë të Gazprom 2 të përfunduar nga rregullatorët gjermanë, kufizimi drastiki importit të naftës dhe gazit natyror nga Rusia, do të ishin kosto jo të vogla për rusët.
Njëkohësisht me luftën guerrilase të ukrainasve, unifikimin e vendosshmërisë së tyre për të rezistuar, ndihmën materiale, logjistike dhe ushtarake që do të merrnin nga vendet antare te NATOs, rrethimi gjeostrategjik i Rusisë duke e zgjeruar NATOn edhe me Finlandën, Suedinë dhe të tjera vende, do të përktheheshin fiks në makthin nga i cili Rusia po kërkon një rrugëdalje. Me diferencën e vetme që sot është një makth imagjinar ndërsa në rast pushtimi mund të përkthehej në makth real. Kjo do të çonte dhe në një ripërcaktim, në mos rithemelim të rendit aktual botëror me reperkusione që sot për sot është vështirë të përfytyrohen.