Nga Boldnews.al
Saimir Tahiri, u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet e 4 muaj burgim për “shpërdorim detyre”, pasi Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit konstatoi “kontakte të papërshtatshme dhe të zgjatura në kohë” të ish-ministri i Brendshëm me kushërinjtë e tij trafikantë narkotikësh, Habilaj.
Sipas gjykatës, “lidhje të tilla të pashpjegueshme me ministrin e Brendshëm…kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e policisë dhe të shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë dhe me vështirësi shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale”.
Pra, në mënyrë të përmbledhur, vëllezërit Moisi e Artan Habilaj janë favorizuar nga zyrtarë të lartë policorë për trafikimin e tonelatave të kanabis sativa nga Shqipëria drejt Italisë, për faktin e lidhjeve me Saimir Tahirin, i cili ishte Ministër i Brendshëm në kulmin e aktivitetit të tyre kriminal.
Një situatë e ngjashme mund të zhvendoset paralelisht në raportet e zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj, me “njeriun-hije” të inceneratorëve, Mirel Mërtiri.
Ahmetaj ishte Ministër i Financave dhe Ekonomisë, kur qeveria shqiptare miratoi në seri gjatë periudhës 2014-2017 kontratat koncensionare për ndërtimin e landfilleve dhe inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
Lidhjet e zbuluara nga “Boldnews.al” dhe media të tjera, tregojnë se kompanitë e inceneratorëve janë nën kontrollin e pak duarve.
Personazhi kryesor i dukshëm është Klodian Zoto, i cili është shpallur në kërkim nga Prokuroria Speciale, si i dyshuar për pastrim parash dhe korrupsion në “aferën e inceneratorëve”.
Megjithatë, të dhëna të shumta dëshmojnë se njeriu që qëndron pas Zotos është Mirel Mërtiri, një prej personazheve kryesorë të thërritur së fundmi për të dhënë dëshminë e tij nga Komisioni Hetimor Parlamentar për çështjen e inceneratorëve.
Arben Ahmetaj i ka mohuar gjithnjë akuzat e ngritura ndaj tij se ka favorizuar “skemën” e inceneratorëve, e cila dyshohet prej SPAK-ut si një aferë financiare me vlerë qindra milionë euro.
Por, një incident automobilistik i ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, në vitin 2017, tregon të kundërtën e pretendimeve të Ahmetajt për lidhjet e tij me Mirel Mërtirin.
Sipas një investigimi të agjencisë mediatike rajonale BIRN, rezulton se, në 16 korrik 2017, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe tre burra të tjerë po ktheheshin nga një udhëtim treditor në një makinë “Range Rover”, kur për një çast gjithçka u kthye përmbys.
Ndërsa po udhëtonin në autostradën Tabanoc-Kumanovë, rruga që lidh Serbinë me Maqedoninë e Veriut, ata u përfshinë në një aksident të dyfishtë.
Sipas akt-gjykimit të Gjykatës Themelore të Kumanovës, ministri Ahmetaj po udhëtonte në shoqërinë e Mirel Mërtirit.
Pra, ky fakt mjafton për të konfirmuar njohjen ndërmjet Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit.
Tashmë, pjesa tjetër është “kronikë”.
Në vitin 2014, kompania ‘Albtek Energy”, në pronësi formale të partneres së Mirel Mërtirit, Stela Gugallja, fiton në mënyrë të dyshimtë kontratën koncensionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit, me vlerë 30 milionë euro.
Dy vjet më pas, në gusht 2016, Klodian Zoto, nëpërmjet kompanisë së tij “Integrated Technology Service”, fiton kontratën koncensionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Fierit, me kosto investimi 28 milionë euro.
Në Shtator 2017, grupi financiar “Integrated Energy BV”, me administrator në atë kohë Klodian Zoton, një personazh i afërt me Mirel Mërtirin, fiton po në mënyrë të dyshimtë kontratën për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, me vlerë investimi 128 milionë euro dhe kosto totale në rreth 300 milionë euro.
Njeriu “hije” Mirel (Klodian) Mërtiri
Ndërkohë që prozhektorët janë drejtuar tek Klodian Zoto, është një emër tjetër, i cili qëndron në hije, por që duket se lëviz shumë fije të aferës së inceneratorëve. Në skenë del emri i Mirel (Klodian Mërtiri).
Mërtiri shfaqet kudo ku qarkullojnë emrat e lidhur me aferën e inceneratorëve.
– Mirel Mërtiri është partneri i biznesmenes Stela Gugallja, e cila kontrollon kontratën koncensionare të inceneratorit të Elbasanit, me anën e kompanisë “Albtek Energy”.
– Mirel Mërtiri është administrator i kompanisë “C.G.C” shpk, e cila nga ana e saj kontrollohet në 70 përqind nga kompania “Integrated Technology Service”, me pronar të deklaruar Klodian Zoto.
– Bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit, Stela Gugallja, krahas kompanisë “Albtek Energy”, deri në vitin 2018 ka qenë pronarja e kompanisë “C.G.C”, në të cilën aktualisht është administrator Mirel Mërtiri.
– Mirel Mërtiri është bashkëpronar në kompaninë “EM Capital”, të regjistruar në Sofje, Bullgari, së bashku me Klodian Zoto dhe Eva Blushi.
– Mirel Mërtiri është pronar i kompanisë off-shore ‘KL Group”, e regjistruar në Maltë.
– Mirel Mërtiri ka qenë pronar i kompanisë ‘IT-Tel” në vitet 2005-2007, e cila zhvillonte aktivitet në telekomunikacion, ngjashëm me kompaninë “Hermes” të themeluar nga ministri aktual i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe që u administruar, deri në vitin 2010 nga gruaja e Ahmetaj, Albina Mançka.
– Mirel Mërtiri është administrator i kompanisë “E.R One”, në pronësi të partneres së tij, Stela Gugallja dhe kompanisë italiane ‘Energy Recuperator”, në pronësi të Ernesto Granelli.
– Kompania ‘Energy Recuperator”, pra ortakut të Stela Gugallja, Ernesto Granelli, i ka shitur kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, e cila nga ana e saj nga “Integrated Technology Service ku Mirel Mërtiri është administrator, impiantin e përpunimit të mbetjeve për inceneratorin e Fierit, në shumën 15 milionë euro.
– Ernesto Granelli, ortaku i partneres së Mirel Mërtirit, rezulton të jetë një ndër tre drejtorët e parë të “Integrated Technology Service”, së bashku me Klodian Zoto dhe Thomas Ëalter Hansman, kompani e regjistrua në Hollandë dhe që zotëron kontratën për inceneratorin e Tiranës.
Të gjitha këto lidhje e shndërrojnë Mirel Mërtirin në një personazh kyç në aferën e inceneratorëve.
Megjithatë, ai vijon të konsiderohet “njeriu-hije”, përsa kohë që prozhektorët janë drejtuar tek Klodian Zoto.