Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi probleme në të tre kriteret e rivlerësimit për prokurorin Erind Reovica, ndërsa theksoi se ai rezultonte me një balancë negative mbi 5 milionë lekë. Avokatja e prokurorit këmbënguli në konfirmimin e tij në detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të martën seancën dëgjimore ndaj prokurorit të Fierit, Erind Reovica. Trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegu, njoftoi se hetimet për Reovicën ishin bërë në të tri kriteret. Nga relatimit prokurori kishte rezultuar me mungesë burimesh të ligjshme, kishte një raport negativ nga DSIK dhe denoncime për zvarritje të hetimeve.
Relatorja Shuli vuri në dukje se në përgjigje të pyetësorëve, Reovica kishte ndryshuar qëndrimet mbi disa deklarime, ndërsa tha se ai ishte justifikuar me pandeminë dhe një aksident për zgjatjen në kohë të disa hetimeve edhe pse këto dosje ishin shqyrtuar para se të fillonte situata e pandemisë dhe para se të ndodhte aksidenti.
Prokurori mungoi në seancën dëgjimore dhe kishte paraqitur për këtë raport shëndetësor, por u përfaqësua në seancë nga avokatja Antoneta Sevdari. Sevdari që foli kryesisht sa i përket problemeve të pasurisë që u evidentuan nga KPK, kërkoi që të merreshin parasysh argumentet e prokurori kryesisht mbi të ardhurat e bëra në emigracion dhe tha se ai duhej të konfirmohej në detyrë.
Reovica ka filluar punë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2006 dhe në vitin 2014 është emëruar prokuror në rrethin e Fierit.
Problemet e pasurisë
Relatorja Firdes Shuli e ndau raportin për pasurinë e subjektit në dy pjesë, duke iu referuar një pjese të bërë para fillimit të detyrës si prokuror dhe pjesës pas fillimit të kësaj detyre. Sipas Shulit, analiza financiare në të dyja pjesët rezultonte me bilance negative.
Për pjesën para fillimit të detyrës, bilanci ishte 4.8 milionë lekë, ndërsa ajo pas fillimit të detyrës në rreth 800 mijë lekë.
Nga relatimi u kuptua se pjesa më e madhe e bilancit negativ vinte për shkak të mungesës së dokumentacionit për të provuar të ardhurat si emigrant. Reovica kishte deklaruar sipas KPK-së një shumë prej 60 mijë eurosh të ardhura nga emigrimi në deklarimin para fillimit të detyrës si OPGJ, por nuk kishte paraqitur dokumente për pagesën e tatimeve për këtë shumë dhe as dokumente që mund të provonin punësimin.
Avokatja e tij, Antoneta Sevdari tha në seancë se mungesa e dokumentacionit vinte për shkak të problemeve që kishin emigrantët shqiptarë në këtë kohë dhe në pamundësinë për të kërkuar punë me siguracione. Ajo këmbënguli se kërkesat e ligjit për këto të ardhura nuk nënkuptonin që për to duhej të dokumentohej pagesa e tatimeve, por të tregohej që ato vinin nga puna.
Në një shkëmbim pyetje –përgjigjesh, relatoja këmbënguli se Reovica nuk kishte arritur të dokumentonte punën që ai kishte bërë dhe cili ishte burimi i këtyre të ardhurave.
Relatorja dhe Sevdari debatuan edhe mbi shumën që ishte deklaruar në fillim nga Reovica si e ardhur nga emigracioni. Shuli tha se bëhej fjalë vetëm për shumën 60 mijë euro, e cila sipas saj ishte deklaruar fillimisht si e shpenzuar në pjesën më të madhe ne blerjen e një toke në Tiranë për ndërtimin e një impianti gazi. Shuli tha se e njëjta shumë ishte deklaruan në vijim për blerjen e një apartamenti 35 metra në Vlorë dhe për shpenzime të tjera.
Por avokatja e prokurorit tha në seancë se shuma e përdorur në blerjen e tokës ishte e ndryshme nga 60 mijë eurot. Ajo tha se Reovica kishte deklaruar para fillimit të detyrës blerjen e tokës me rreth 4 milionë lekë dhe pasjen gjendje të shumës 60 mijë euro.
Por Shuli replikoi se ishte vetë Reovica që kishte deklaruar specifikisht se 60 mijë eurot kishin shërbyer në blerjen e tokës dhe që më pas ishin përdorur në shpenzimet e tjera të tij dhe familjes.
Shuli po ashtu këmbënguli se disa llogari në emër të fëmijëve, kursimet dhe gjendja cash, të krijuara pjesërisht me mbështetjen e prindërve dhe vëllait të bashkëshortes nuk ishin dokumentuar. Relatorja këmbënguli se prindërit e prokurorit nuk kishin të ardhura për të mbështetur krijimin e llogarive bankare.
KPK gjeti mungesë burimesh edhe sa i përket një shumë 20 mijë euro të kursyer nga Reovica prej të ardhurave nga puna si OPGJ. Një pjesë e kësaj shumë ishte dhënë hua nga prokurori, por KPK cilësoi se këto të ardhura nuk kishin burim të ligjshëm.
Shuli theksoi se Reovica kishte ndryshuar në deklarimet e tij burimet financiare që ishin përdorur për shpenzime të ndryshme dhe se nuk kishte sjellë dokumentacion për të provuar të ardhurat.
Përndryshe, Sevdari këmbënguli se babai i prokurorit kishte punuar si administrator i një prej hoteleve më të mëdha në Berat. Ajo tha se të ardhurat e provuara nga dosja e pensionit të tij dhe nënës së subjektit tregonin se ata kishin pasur mjaftueshëm të ardhura për të mbështetur Reovicën dhe disa prej shpenzimeve të tij të deklaruara me prejardhje nga ndihma e tyre.
Problemet e figurës dhe profesionalizmit
Siç doli në relatim, Reovica ishte klasifikuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar si i përshtatshëm, por në KPK kishte ardhur një denoncim, sipas të cilit ai kishte kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Komisioni tha se kishte verifikuar denoncimin, por të dhënat që u përmendën në seancë nuk tregonin nëse ai kishte rezultuar apo jo i saktë. KPK tha se prokurori kishte mohuar kontaktet dhe se në SPAK e Prokurori nuk u gjetën të dhëna për procedime ndaj këtyre personave apo prokurorit.
Megjithatë, Shuli tha se ky informacion i ishte dërguar DSIK, të cilës i ishte kërkuar përditësimi i raportit. Pas këtij informacioni, DSIK kishte ndryshuar qëndrim dhe kishte shpallur prokurorin të papërshtatshëm.
Sevdari në mbrojtje të klientit të saj tha në seancë se raporti i dytë i DSIK ishte i pabazuar në prova dhe i kërkoi KPK të mos e merrte atë parasysh.
Shuli tha se subjekti ishte vlerësuar pozitivisht për profesionalizmin, por se KPK kishte vlerësuar një denoncim ndaj tij, një raportim në media dhe një denoncim nga Ministri i Brendshëm, nga te cilat kishin rezultuar zvarritje të hetimeve, veprime hetimore të pakryera, shtyrje të hetimeve pa arsye dhe një sërë problemesh të kësaj natyre.
Duke iu referuar tre dosjeve të hetuara nga KPK, bazuar në një denoncim dhe në një kallëzim penal ndaj subjektit dhe një denoncim në media, Shuli tha se Reovica nuk kishte dhënë shpjegime, por kishte referuar shkurtimisht se hetimet ishin penguar nga gjendja e tij shëndetësore pas një aksidenti dhe nga pandemia.
Relatorja vuri në dukje se pohimet e Reovicës binin ndesh me rrethanat faktike. Sipas saj, në të tre rastet bëhej fjalë për çështje që ishin përfunduar para marsit të vitit 2020, kur filluan edhe masat për pandeminë dhe po ashtu para se subjekti të pësonte aksident. Relatorja, që tha se për disa çështje zvarritja ishte dy vjet, vuri në dukje se e gjente të çuditshëm referimin e Reovicës te pandemia.
Sevdari tha në seancë se ajo nuk ishte përgatitur për mbrojtje në këtë kriter, pasi këtë do ta bënte vetë subjekti, por i vuri në dukje Komisionit se procedurialisht nuk duhej të kishte hetuar çështjet në fjalë, pasi ato nuk i përkisnin periudhës që i nënshtrohej vetingut.
Vendimi për Reovicën do të shpallet në datën 10 shkurt në orën 10.00 nga KPK.