Nga Esmeralda Keta/ Reporter.al
Prej vitesh në Tiranë, klinika “Keit” e kirurgut plastik Skerdilajd Faria kryen ndërhyrje dhe trajtime estetike të llojeve të ndryshme, mes të cilave zmadhim të gjoksit, depilime me lazer apo botox për rrudhat.
Por verën e kaluar, klinika estetike e zgjeroi biznesin drejt shërbimit më të kërkuar të momentit – ajo ofron gjithashtu teste të shpejta dhe tamponë për koronavirusin e ri SARS- CoV -2.
Më 9 korrik 2021, kompania “Sombrero” e njohur me emrin tregtar klinika “Keit” u certifikua nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer testimet RT- PCR për COVID-19 për qëllime administrative.
Ajo hapi më pas disa qendra testimi pranë pikave të kalimit kufitar dhe gjatë tre muajve të fundit, që përkojnë me valën e re të shkaktuar nga varianti “Omicron”, raporton mbi 10 mijë testime të kryera në të gjithë vendin.
Klinika estetike zotëron vetëm njërin nga 20 laboratorët privatë në Shqipëri, që në kushtet e emergjencës së shkaktuar nga COVID-19, gjetën një derë të pasme për të operuar në tregun fitimprurës të testimeve dhe shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë shqiptarë që u infektuan nga koronavirusi i ri.
Por të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi dhe intervistave me ekspertë tregojnë se liberalizimi i testimeve drejt tregut shëndetësor privat nuk u shoqërua me kritere për të garantuar cilësinë.
Nga korriku 2020 deri në janar 2022, Ministria e Shëndetësisë u njohu 20 laboratorëve privatë të drejtën e kryerjes së testeve të shpejta dhe tamponëve për COVID-19 për qëllime administrative. [Kliko për listën e laboratorëve privatë]
Por sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, vetëm dy nga 20 laboratorët privatë janë të akredituar.
Akreditimi i laboratorëve mjekësorë është një proces vullnetar në Shqipëri, por shmangia e këtij mekanizmi nga procedurat e licensimit ngre sipas ekspertëve të shëndetit publik, pikëpyetje të forta për cilësinë e mijëra testeve të kryera gjatë pandemisë.
“Mungesa e akreditimit të laboratorëve është një problem serioz dhe vendos në diskutim cilësinë dhe besueshmërinë e rezultateve që japin këta laboratorë,” tha Erion Dasho, një ekspert i shëndetit publik që e ka ndërtuar karrierën në Gjermani.
Njësoj edhe Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, mendon se akreditimi është i domosdoshëm.
“Unë mendoj se përpara se një laboratori t’i jepet një leje e tillë, i duhet bërë një ‘Quality Insurance” nga ISHP apo nga Drejtoria e Akreditimit. Pasi këto dy institucione ia njohin këtë të drejtë, ministria e licencon,” tha Bino.
“Ne këtë procedurë e kemi bërë më pas, por nuk e kemi bërë me të gjitha. Nuk po them që të gjithë janë të shkëlqyer, por 90% po,” shtoi ajo.
Ministria e Shëndetësisë tha në përgjigje të një kërkese për koment se testimet e COVID-19 bëhen vetëm prej subjekteve jopublikë të licensuar, të cilët kishin një licensë aktive për ushtrimin e veprimtarisë “shërbime laboratorike”.
Ministria pretendoi gjithashtu se kishte vendosur kushte shtesë për të garantuar cilësinë, por nuk i specifikoi ato, ndërsa mohoi që të kishte anashkaluar Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit.
Klinika “Keit” vuri në dispozicion numrin total të testeve të shpejta dhe tamponëve të kryer, por nuk i dha përgjigje pyetjeve nëse laboratori i saj ishte i akredituar.
Biznesi fitimprurës i pandemisë
Prej fillimit të pandemisë gati dy vjet më parë, Shqipëria raporton zyrtarisht mbi 258 mijë qytetarë të infektuar dhe 3346 humbje jete si pasojë e koronavirusit të ri Sars –Cov -2.
Instituti i Shëndetit Publik raporton gjithashtu mbi 1.6 milionë testime të kryera në total, por nuk qartëson se sa prej këtyre testimeve janë kryer nga laboratorët privatë.
Ligji i vitit 2016 për “Parandalimin e sëmundjeve epidemike” e detyron qeverinë shqiptare që të mbulojë financiarisht diagnostikimin dhe kurimin e çdo pacienti që vuan nga sëmundjet epidemike.
Ndryshe nga parashikimet ligjore, emergjenca shëndetësore solli një mundësi të artë biznesi për tregun privat të laboratorëve dhe spitaleve në Shqipëri, të cilat i shumëfishuan pacientët dhe fitimet e tyre gjatë periudhës së pandemisë.
Në një analizë me të dhënat financiare të 11 kompanive private, BIRN përllogariti se shqiptarët shpenzuan të paktën 90 milionë euro për shërbime shëndetësore në sistemin privat gjatë vitit 2020.
Një pjesë e kësaj fature ka shkuar për testimet e COVID-19.
Gjatë vitit 2020, laboratorët e licensuar nga Ministria e Shëndetësisë aplikuan çmime uniforme nga 80-100 euro për kryerjen e një tamponi të COVID-19. Aktualisht, një tampon kushton 30 euro, ndërsa një test i shpejtë kushton 15 euro.
Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti thekson se laboratorët privatë aplikuan çmime të kripura për testimin e koronavirusit –disa herë më të larta se vendet e pasura të Bashkimit Europian.
“Kur ata e kanë 15 euro një test, do të thotë se realisht testi mund të bëjë 3 euro. Në Gjermani kushton 80 cent,” tha Alimehmeti.
“[Qytetarët] duhen mbëshetur sepse ne jemi vend i varfër,” shtoi ai.
Edhe Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik pohon se lejimi i sistemit privat për një gamë të gjerë shërbimesh dhe ekzaminimesh për COVID-19 duhej të ishte shoqëruar me një paketë mbështetëse për popullatën.
“Në bazë të ligjit, qytetari nuk duhet të paguajë, këtë duhet ta rimbursonte shteti,” tha Bino.
“Në skemë duhet të ishin përfshirë edhe shtrimet në spitalet private, edhe testimet në laboratorët privatë dhe duhet të ishin rimbursuar nga shteti në bazë të një çmimi tavan, ku sigurisht ata prapë kishin përfitim,” shtoi ajo.
Sipas Dashos, pandemia u kthye në një mundësi biznesi të artë biznesi për subjektet private.
“Laboratorët në Shqipëri kanë aplikuar gjatë pandemisë marzhe deri në 1000% kështu që ndoshta e kanë parë edhe si mundësi biznesi dhe kanë hyrë në treg,” tha Dasho.
Pikëpyetjet mbi testimet
Akreditimi është një mekanizëm që ndikon në rritjen e besueshmërisë dhe ndihmon autoritetet dhe shoqërinë që të gjykojnë nëse subjektet plotësojnë detyrat specifike. Në Shqipëri, ky proces kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit në përputhje me standardet ndërkombëtare të vendosura nga Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit, ISO.
Në korrik 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit kritikoi Ministrinë e Shëndetësisë se kishte lejuar të operonin në tregun e diagnostikimit të COVID-19 laboratorë të paakredituar si dhe ngriti pikëpyetje mbi vërtetësinë e mijëra testimeve të kryera prej tyre gjatë periudhës së pandemisë.
“Përjashtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit ka sjellë pasoja të mungesës së vërtetësisë së analizave, pasi nuk ka marrë pjesë në akreditimin e aparaturave laboratorike të përdorura për këtë qëllim,” thuhet në raportin e KLSh.
Pandemia e COVID-19 nxorri në pah mungesën e akreditimeve nga shumica e laboratorëve dhe spitaleve private të vendit.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, DPA dhe Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë, QKCSA, subjektet e përfshira në testimet e COVID-19 janë përgjithësisht të paakredituara.
Mes listës prej 20 subjektesh, DPA tha se laboratorët e vetëm të akredituar ishin Genius Lab dhe Pegasus Med – ndërsa theksoi se edhe këta dy subjekte kanë të akredituar vetëm laboratorët qendrorë dhe jo pikat e tjera të testimit në Tiranë apo në rrethe.
Ndërsa QKCSA tha se nga tre spitalet e përfshira në skemë –Spitali Amerikan, ai Gjerman si dhe spitali “Salus”, vetëm ky i fundit është i akredituar.
DPA shtoi gjithashtu se mungesa e akreditimeve nuk i penalizon këta laboratorë.
“Nëse laboratorët mjeksorë nuk kanë certifikatë akreditimi, nuk ka penalizim pasi akreditimi për laboratorët mjekësore është vullnetar,” tha DPA.
Kita Sallabanda, një mjek neurokirurg që punon prej vitesh në Spanjë, e konsideron akreditimin një proces të domosdoshëm për laboratorët testues.
“Së paku në Spanjë, nëse nuk je i akredituar nuk guxon të hapësh derën e laboratorit. Akreditimi është a-ja e çdo gjëjë,” tha Sallabanda.
Për ta ilustruar, ai sjell kundërshtimin e fortë publik për shitjen e testeve të shpejta në rrjetin e hapur të farmacive.
“Vetë shoqatat e farmacistëve kundërshtuan që rapid testi të shitej në këto njësi, pasi ishin në diskutim rezultatet e tyre,” shtoi ai.
Ndryshe nga Sallabanda, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti theksoi se në kushtet e pandemisë, testimi i sa më shumë njerëzve ishte prioritet përtej burokracive.
“Këto janë çështje burokratike letrash, nëse letrat në Shqipëri do të kishin funksionuar ndonjëherë, atëherë po,” tha Alimehmeti.
“Nëse pranojmë që jemi në kushte emergjence, nuk mund të bllokojmë laboratorët. Unë them kjo le të shërbejë për nxjerrë mësimet,” shtoi ai.
Akreditimi është vetëm një nga hallkat e kontrollit të cilësisë së laboratorëve privatë në Shqipëri, ndërkohë që ky proces bëhej gjithashtu edhe nga laboratori i referencës në Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por prej prillit 2019, ky laborator është dhënë me koncesion.
Gazmend Koduzi, koordinator për shëndetësinë i Partisë Demokratike është gjithashtu kritik ndaj mungesës së kontrollit të cilësisë.
“Nëse nuk janë akredituar duhet të jetë laboratori i referencës që kontrollon analizat e këtyre laboratorëve nëse janë brenda standardeve apo jo. Laborator referencë në vendin tonë ka qenë ai i QSUT-së, por me dhënien me koncension të laboratorëve kjo kështjellë sigurie ka rënë,” tha Koduzi.
Bino nga Instituti i Shëndetit Publik thotë se laboratorët privatë e kanë kaluar testin e cilësisë dhe për këtë arsye, nuk i dërgojnë më për konfirmim testet pozitive.
“Një seri laboratorësh kanë saktësi, pasi ne e bëmë “akreditimin” e tyre dhe kjo ishte risia, këtë gjë do ta bëjmë sërish këtë vit. I japim sugjerime vazhdimisht dhe çfarë problemesh kanë, ne ua shkruajmë dhe i kontrollojmë,” shtoi Bino.
Përmes kërkesave për informacion, laboratorëve privatë iu kërkua numri i testimeve të kryera si dhe u pyetën në lidhje me cilësinë, por vetëm tre prej tyre kthyen përgjigje.
“Pegasus Med” tha se rezultatet e të gjitha testeve të kryera i raporton çdo 24 orë pranë Institutit të Shëndetit Publik, ndërsa klinika “Keit” dha numra të detajuar për testet e shpejta dhe tamponët e kryer prej nëntorit 2021.
Klinika Ortodokse e Ungjillizimit –laboratori i së cilit është njohur në dhjetor 2021 tha se nuk ka filluar ende të kryejë teste për COVID-19. Klinika tha gjithashtu se nuk janë akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, por kjo sipas tyre nuk e cenon cilësinë.
Panoramë e paqartë
Të dhënat zyrtare të raportuara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë tregojnë shifra të moderuara të infektimeve dhe vdekjeve të shkaktuara nga pandemia e COVID-19.
Por të dhënat zyrtare të Shqipërisë janë sfiduar nga institucionet ndërkombëtare si Komisioni Europian apo Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilat e rendisin vendin të parin në Europë dhe të tretin në botë për numrin e lartë të vdekjeve.
Alimehmeti e shpjegon kontrastin e të dhënave dhe panoramën e paqartë me faktin se sëmundja e shkaktuar nga SARS-CoV-2 ka qenë më së shumti informale dhe e padokumentuar. Sipas tij, numri i vogël i testimeve korrespondon me numrin e vogël të të infektuarve zyrtarisht, por jo me atë që është realiteti.
“Nëse i shohim shifrat, sot ne kemi rreth 230 mijë të infektuar, që do të thotë 8% e popullatës ose 1 ndër 12 shqiptarë. Duke parë situatën përreth, a mendoni se mund ta ketë kaluar vetëm një ndër 12 shqiptarë?,” pyet Alimehmeti.
Problemi sipas tij qëndron në faktin se shumica e laboratorëve privatë që u përfshinë në testimet e COVID-19 gjenden në Tiranë, ndërkohë që qytetet periferike dhe fshatrat janë lënë në harresë.
“Testimet do t’i shtrish atje ku është popullata dhe nuk mund ti lësh testimet vetëm në disa laboratorë private që janë në Tiranë. Pra çfarë do të bësh me qytetet e tjera, fshatrat?” kritikon ai.
Ndryshe nga Alimehmeti, Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik mendon se pandemia e COVID-19 nxiti krijimin e një sistemi, ku të gjithë laboratorët privatë dhe publikë i raportojnë të dhënat e tyre, duke krijuar atë që mungonte: databazën e plotë të të dhënave.
“Në aspektin e punës na ka ndihmuar. Ne krijuam një partnership dhe për herë të parë, të gjithë laboratorët private raportojnë në një platformë elektronike që është pranë Institutit. E kishim përgatitur më parë, por u vu në punë gjatë pandemisë,” tha Bino.
Ajo shtoi gjithashtu që skemën e raportimit të COVID-19 dëshiron që ta fusë edhe te sëmundjet e tjera të transmetueshme, si HIV/AIDS apo hepatitet virale.
Por epidemiologu Alimehmeti është dyshues nëse skema e raportimit të COVID-19 mund të jetë një shembull për t’u ndjekur.
“Si do të gjenjejnë vendet e Ballkanit,” pyet Alimehmeti. “Duke mos bërë teste, duke mos i regjistruar njerëzit, duke mos i regjstruar vdekjet si vdekje COVID. Sa më i varfër shteti, aq më shumë të infektuar ka pasur, por aq më pak janë raportuar,” përfundoi ai.