Droga që vjen nga Ekuadori e fshehur në kontejnerët me banane dhe që kalon në portin e Durrësit dhe më pas për në portet e Malit të Zi ka ngritur në këmbë parlamentin malazez.Sipas tyre situata paraqitet dramatike dhe po rrezikon sigurinë kombëtare pasi portet e Barit dhe Tivarit përdoren nga trafikantët e drogës. Alarmi ka ardhur pas kapjes së sasisë së fundit prej 500 kilogramë kokainë në portin e Barit të Malit të Zi.
SIGURIA NË PORTE
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç deklaroi sot se po merren masa të rrepta për të rritur sigurinë në Portin e Barit, në mënyrë që të ndalohen trafikantët e drogës për ta përdorur Malin e Zi si një pikë strategjike për të dërguar drogën drejt vendeve të tjera të Evropës. Ai tha gjithashtu se porti i Tivarit po shihet si një pikë më pak e sigurt nga trafikantët e drogës por ka akoma gjëra që duhet të përmirësohen në drejtim të kontrollit të kontejnerëve, shkruan Balkan Insight.
Pas seancës parlamentare ku u diskutua për sekuestrimin e fundit të 500 kilogramëve kokainë në Bar, Abazoviç tha se kontrollet në port po ndryshojnë, por ende duhet të forcohen. “Kontejnerët tani po kalojnë nëpër skanerë, por ne ende duhet t’i përmirësojmë ato. Ne kemi vendosur policinë dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, ANB, në pikat kyçe. Sasi të mëdha kokaine të sekuestruara janë pjesë e krimit ndërkombëtar. Por Mali i Zi po bëhet një destinacion që është i pasigurt për aktivitete kriminale,” tha Abazovic për mediat.
Më 13 janar, policia sekuestroi 500 kg kokainë në Podgoricë, pasi punëtorët e kompanisë së shitjes me pakicë Voli në Bar gjetën pakot e fshehura në një ngarkesë banane.
Më 14 janar, prokurori special i shtetit Milivoje Katniç tha se kokaina ishte gjetur në Tivar, por policia dhe dogana e kishin lënë të largohej, duke u fokusuar në gjetjen e porositësit. Vetëm një person, Dj.D. nga Mali i Zi u arrestua.
Katniç tha gjithashtu se kishte dyshime se kokaina prej 3 tonësh ishte trafikuar me sukses në portin e Barit përmes dërgesave të bananeve më 2 qershor, 2 gusht dhe 14 tetor 2021, duke akuzuar sektorin e sigurisë për bashkëpunim të dobët.
ZYRTARËT MALAZEZË: SITUATA DRAMATIKE, RREZIKON SIGURINË KOMBËTARE
Kreu i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Parlamentit, Milan Knezevic, nga ana e tij akuzoi Katniç për rezultate të dobëta në hetimet ndaj trafikut të drogës. “Situata e sigurisë në vend është dramatike, pasi autoritetet nuk po përgjigjen në mënyrën e duhur. Është e pashpjegueshme që të zbatohen standarde të dyfishta në hetimet për trafikun e drogës,” tha Knezeviç ditën e sotme.
NGARKESAT E MËDHA TË DROGËS MES BANANEVE
Mali i Zi ka sekuestruar tre ngarkesa të mëdha kokaine të fshehura në ngarkesat e bananeve në tetë vitet e fundit. Më e madhja ishte më 27 gusht 2021, kur policia sekuestroi 1400 kg kokainë në fshatin Mojanovici në rrethin e Zetës, afër Podgoricës, ku u gjet drogë, dhe sërish në një ngarkesë me banane. Prokuroria ngriti akuza për trafik droge ndaj Budimir Krstoviç dhe vajzës së tij, Marina, pronarë të kompanisë që importonte bananet. Në qershor të vitit 2014, dogana në Tivar sekuestroi 250 kg kokainë të që po trafikohej brenda një ngarkese me banane, në atë që u cilësua në atë kohë si transporti më i madh i drogës në vend.
EKUADOR-SHQIPËRI-MALI I ZI-EVROPË
Autoritetet pretenduan se kokaina kapte vlerën e rreth 12.5 milionë euro. Anija transportonte banane nga Ekuadori për në Shqipëri dhe më pas në Malin e Zi. Mali i Zi është pjesë e një rruge që përdoret shpesh nga trafikantët e drogës që përpiqen të arrijnë tregjet fitimprurëse të Evropës Perëndimore.
LUFTA E PËRGJAKSHME MES BANDAVE
Mali i Zi ka qenë skena e një lufte të përgjakshme gjashtëvjeçare për trafikimin e drogës midis dy bandave rivale, bandës së Kavaçit dhe bandës së Skaljarit nga qyteti i Kotorrit. Të paktën 40 persona në Mal të Zi, Serbi, Austri dhe Greqi u vranë gjatë konfliktit të këtyre bandave. Konflikti midis bandave nisi në vitin 2015, kur 300 kilogramë kokainë u zhdukën nga një apartament në Valencia të Spanjës në vitin 2014.