*Nga Genc Pollo
Takimi në Tiranë në dhjetorin e shkuar mes Ramës, Vuçiçit, e Zaevit, në kuadrin e projektit të tyre Minishengen, që më vonë u riemërtua Ballkan Hapu! e ringjalli diskutimet mbi nevojën apo dobinë/dëmin e kësaj nisme.
Thelbi i këtij debati mbetet pse lipset të avancojë një nismë që përqafohet nga vetëm tre shtete por jo nga tre shtetet e tjerë në Ballkanin Perëndimor. Dhe pse duhet braktisur një nismë si Proçesi i Berlinit/Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR) e cila është e njëjtë në përmbajtje e synime dhe i përfshin që nga fillimi i saj të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor; dhe që për më tepër ajo gëzon mbështetjen politike të Europës dhe ShBA-ve si dhe ka premtimin e Bashkimit Europian për financimin e projekteve të ndryshme në këtë kuadër, përfshi edhe ato infrastrukturore.
Qeveritë në Beograd, Tiranë e Shkup, në përgjithësi i janë shmangur shpjegimit të këtij thelbi të çështjes. Ato kanë propaganduar vullnetin e mirë për bashkëpunim rajonal dhe dëshirën për të imituar autonomisht modele të Bashkimit Europian si p.sh. të famshmet katër liritë e tregut. Entuziazmi i treshes Vuçiç, Rama, Zaev nuk është zbehur edhe pse studimet nga rastet e ngjashme në Azi e Afrikë dëftejnë se kur shtetet e vogla e të varfëra realizojnë një bashkëpunim të tillë mes tyre rezultati final është pakashumë zhvillimi i ngadaltë. Me nuancën që ai shtet që është ekonomikisht pak më lart se të tjerët nxjerr përfitimin kryesor nga tregu rajonal i krijuar. Në rastin e Minishengen/Ballkan Hapu!, ky shtet qartazi do të jetë Serbia.
• Pse ndodhi braktisja e Proçesit të Berlinit/TPR? Dhe pse ndodhi përqafimi i Minishengenit/Ballkan Hapu!?
Me shumë gjasë përgjigjen e kësaj pyetjes së parë e ka dhënë Edi Rama në një takim për Minishengenin në Ohër para gati një viti. Ai tha se në mbledhjet e gjashtë shteteve për Proçesin e Berlinit, ku vendimet merren me unanimitet, propozimit A i vinte veton shteti X dhe propozimi B pengohej nga shteti Y. Diçka të tillë sinjalizoi para një muaji edhe Komisioneri për Zgjerimin Várhelyi në videokonferencë me Ramën, Vuçiçin e Zaevin të mbledhur në Tiranë.
Ai tha hapur e jo me dipllomaci se Tregu i Përbashkët Rajonal/Proçesi i Berlinit ishte penguar nga shtete të caktuar.
Burimet diplomatike shtojnë se pengimi në fakt vjen direkt dhe indirekt nga fakti që Serbia nuk ka njohur Kosovën. Kjo ka krijuar tensione në tryezën ku të gjashtët e Ballkanit Perëndimor uleshin për të negociuar Tregun e Përbashkët Rajonal; tensionet, si shpesh herë, përfunduan në pengesa.
Sa më lart mund të merret lehtësisht me mend. Edhe dëshira për të avancuar me integrime rajonale, edhe pse e debatueshme, është e kuptueshme; madje në mos 100% e lavdërueshme nuk është a priori e qortueshme.
Por e pakuptueshme, madje e paimgjinueshme normalisht, është “aleanca” që pranoi Rama për të ecur përpara me integrimin rajonal “të emancipuar” nga Brukseli. Në çdo rast “aleanca” duhej të kishte ose Kosovën ose Serbinë. Përjashtimisht o njerën o tjetrën, përndryshe çdo Minishengen do të pengohej njëlloj si TPR.
Me pak imagjinatë le të supozojmë se Rama do t’a bënte Minishengenin tok me Shkupin e me Prishtinën. Beogradi, Podgorica e Sarajevo nuk do të pranonin të përfshiheshin, do të dëgjonim kritika për shqiptaromadhi dhe Zaevi i ngratë do të akuzohej (sërish) nga opozita si argat i shqiptarëve. Komisioneri i Zgjerimit mund të fliste në zoom me tre kryeministrat për dobinë e integrimit. Dhe kaq!
Jo ndonjë farë dobie por edhe jo ndonjë dëm i madh. Edhe Serbia, Bosnja e Mali i Zi nuk do të pësonin gjë. Por duke bërë aleancë me Beogradin e Shkupin Rama në radhë të parë dëmtoi Kosovën me pozitën ndërkombëtare ende të konfirmuar plotësisht; duke e ekspozuar si “mosbashkëpunuese” jo vetëm me Serbinë por edhe me Shqipërinë; duke i dhënë kështu municion propagandistik keqdashësve të saj në rajon e më gjerë. Pse veproi kështu Rama mbetet një pyetje e hapur e me shumë përgjigje.
• Loja “e lagu, s’e lagu” me përkrahjen ndërkombëtare
Ndonëse Komisioneri lëvdoi në dhjetor frymën bashkëpunuese mes tre qeverive të mbledhura në Tiranë, përsëri ai ju referua bashkëpunimit gjithëpërfshirës e tregut rajonal. Por meqë propaganda e tre qeverive e paraqiti atë përshëndetje si pikë kthese të BE-së që tashti e tutje po e përqafonte “Minishengenin/Ballkan Hapu!” Brukseli reagoi. Në 23 dhjetor zëdhënësja e Komisionit znj. Pisonero, duke ju referuar takimit të Tiranës, në një deklaratë të posaçme theksoi qartë se përkrahja e Komisionit Europian është vetëm për Tregun e Përbashkët Europian të dalë nga Proçesi i Berlinit. Në të njëjtën linjë folën në janar Gabriel Escobar, i dërguar për Ballkanin i Sekretarit të Shtetit të ShBA si dhe Anna Lührmann, ministre shteti për Europën në qeverinë gjermane, e cila vizitoi Tiranën javën e shkuar.
• Haxhi pishman apo haxhi shejtan?
Në 10 qershor 2021 në Tiranë në fund të një takimi rajonal për integrimin europian Rama i deklaroi Komisionerit Várhelyi se po i dorëzonte dosjen e Minishengenit në sqetullën e sigurt të Komisionit Europian. “Pour une fois” siç thotë frëngu (Më në fund njëherë) Rama e tha gjënë e duhur do të ketë menduar shumëkush.
Po pse dreqin Ramës ju prish mendja, e pak muaj më vonë shkoi dhe e tërhoqi dosjen nga sqetulla e Komisionerit dhe po vazhdon si i ndërkryer me nismën problematike të Vuçiçit këtë le t’a gjejë vetë lexuesi i këtyre rradhëve.
Post Scriptum: Pasqyrimi në mediat tona të qendrimeve të BE e ShBA meriton një studim si rast i triumfit të propagandës me trajta gati orwelliane.
Një googllim i shpejtë të tregon se përshëndetja e Komisionerit Várhelyi në dhjetor në të gjitha websitet e lajmeve është shpjeguar si përkrahje e plotë e Minishengenit/Ballkan Hapu! Si dhe si thirrje tre shteteve, që janë ende jashtë, për t’u përfshirë në këtë nismë. Edhe më bizar është mbulimi i deklaratës së zëdhënëses Pisonero në 23 dhjetor: ndërkohë që synimi i deklaratës ishte fare qartë distancimi nga nisma Vuçiç-Rama-Zaev dhe shprehja e mbështetjes pro TPR/Proçesi i Berlinit të tërë titujt, duke filluar nga ATSh, flasin për apel të saj për t’u bashkuar të tërë rreth Minishengenit/Ballkan Hapu! Edhe pse teksti i deklaratës në përgjithësi botohet i plotë (po kush e lexon deri në fund sot!).
Ndërsa përkrahja për TPR/Proçesi i Berlinit nga i dërguari amerikan Escobar (intervistë me Zërin e Amerikës, 12 janar) e nga ministrja gjermane Lührmann (gjatë konferencës së shtypit në Tiranë, 18 janar dhe intervistë me Deutsche Welle, 22 janar ) u injoruan tërësisht nga mediat shqiptare.
*Ish ministër e deputet