Një 30-vjecar, i cili nisi një punë të re në një kompani që tregton mish shpendësh, nuk është pritur aspak mirë nga një pjesë e stafit, të cilët e kanë marrë me sy të keq, pasi ai u kishte zënë vendin e punës të shokut të tyre. Por inatet e stafit, ku përfshihen edhe shoferi i pronarit, një vajzë e re, dhe dy transportues, kulmuan me rrahjen e të riut që punonte shofer dhe që për çdo gjë i gjendej një shkak për t’ja vështirësuar jetën në punë.
Jo vetëm kaq, por i riu me inicialet K.O., pasi e kanë rrahur, e kanë futur në frigoriferin ku mbahen ngarkesat me mish të ngrirë, në mënyrë që të reflektonte dhe t’i tregohej se ishte i papranuar. Ngjarja e rëndë, sipas burimeve pranë policisë numër 6 në Kamëz, ka ndodhur në ambientet e brendshme të firmës.
Policia i tregoi se pas denoncimit ka vepruar me marrjen në pyetje të të kallëzuarve, ndërsa ka administruar kamerat e sigurisë prej nga ku do të provohen pretendimet e të riut, i punësuar rishtazi në biznesin privat, por i refuzuar nga miqtë e personit që ai zëvendësoi për fatin e tij të keq.
I riu i shpjegon policisë se përfundoi në komisariat për të treguar se çfarë i ndodhi nga frika se mos e vrisnin dhe jo nga frika se mos humbiste punën, duke qenë se shoferi i pronarit, pasi “e këshilloi” duke e futur në frigorifer, i tha: “Do të vrasim”.
“Merrem me shitjen e produktit të mishit të pulave, kryesisht nëpër dyqanet e Tiranës”, – e ka nisur prezantimin e pazakontë në polici 30-vjeçari. Ai, pasi ka treguar adresën e ndërmarrjes, u tha agjentëve se nisi punë 5 muaj përpara se sherri të kulmonte me mbylljen në frigorifer, por që asnjë nga ditët nuk ka qenë e lehtë për të. Megjithatë, ka duruar me besimin se situata do ndryshonte dhe kolegët do qetësoheshin që u ishte hequr nga puna shoku i tyre. Por debatet e para, i ka pasur me menaxheren, e cila, sipas tij i ngarkonte mall pa dijeninë e tij.
“Pas këtyre fërkimeve, u përfshinë dy persona të tjerë dhe pronari më tha: ‘U bëre ti të bësh komplote të heqësh njerëz nga puna’”, ka thënë në polici, sipas dëshmisë së siguruar.
Pikërisht pronari i ka kërkuar telefonin dhe një person tjetër që punonte si shpërndarës mishi në Kavajë, me inicialet P.K., është afruar dhe e ka goditur. “Këta persona më gjuajtën me shpulla, me shkelma e grushte, i ndihmoi edhe truproja e pronarit, të cilit nuk ia di emrin. Por ai më mbante dhe këta më qëllonin. Më pas më tërhoqi F., më futi në frigorifer, dukë më thënë: “Aty do rrish, aty’”.
I riu kujton i tmerruar mbylljen në frigorifer dhe kohën që nuk kalonte dhe më vonë aty ka hyrë truproja i pronarit që e ka nxjerrë dhe sërish e ka qëlluar. Ai shton se i pyeti, pse po silleshin në këtë mënyrë me të, kur ishte i përkushtuar në detyrë dhe respektonte çdo rregull.
“Të futëm në frigorifer, sepse të kemi vënë përgjues në makinë dhe të dëgjojmë fare mirë çfarë thua”, – i janë përgjigjur të dyshuarit. I riu i thotë policisë se ka besim tek ata, pasi si “shuplakë” të fundit kur e nxorën nga frigoriferi, ishte paralajmërimi: “Do të vrasim ty dhe familjen po hape gojë”. Policia thotë se megjithëse kontrolloi për kamera, ato janë jo funksionale, gjë që mbetet e dyshimtë.
Megjithëse është kërkuar ekspertizë, nuk ka ende një rezultat se përse policia nuk po realizon dot kthimin e pamjeve, apo çdo ndërhyrje në sistem që do të provojnë dhe vërtetojnë pengmarrjen e të riut dhe që do t’i jepte atij një mbështetje pas besimit që tregoi tek policia.
Por kjo e fundit, shton se ka pyetur të gjithë personat, përfshi menaxheren, e cila këmbëngul se nuk ka parë asgjë. Dëshmitari tjetër që punon shpërndarës i mishit në Kavajë, shton se e takoi të riun për herë të parë ditën kur ai pretendon se u sulmua dhe sipas procesverbalit, edhe ai nuk ka parë asgjë.
Ndërkohë që pronari ka shtuar se nuk e ka parasysh se për cilin punonjës bëhet fjalë, pasi nuk i njeh mirë të gjithë dhe se biznesin e ka dhënë me qira. Por ai pranon që ka parë një fërkim mes punonjësve, e megjithatë përjashton veten nga ky incident skandaloz me një punonjës.
I akuzuari që e futi atë në frigorifer, kujton se dëgjoi të bërtitura dhe doli me shpejtësi jashtë zyrës. “E kapa për krahu punonjësin, nuk e kam goditur në asnjë moment dhe në momentin që u kap tek brava e derës, me siguri aty është gërvishtur dhe i janë bërë shenjat”, – dëshmon i akuzuari, si edhe të tjerët. Secili prej tyre e përshkruajnë të riun e kërcënuar si një person që u nevrikos befas dhe që ata iu lutën të qetësohej, por përkundrazi, ai ishte bërë më tepër agresiv. Të gjitha këto përplasje deklaratash dhe shenjat në trupin e të riut, tregojnë të kundërtën se ai u dhunua.
/Gazetasi.al/