Deputetët e PD, Dhurata Çupi dhe Bledion Nallbati, ishin sot në zonën e 5 Majit në Tiranë, atje ku prej disa orvsh policia ka rrethuar zonën dhe ka nxjerrë nga banesat banorët, për ti hapur rrugën planit të rindërtimit.
Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve Dhurata Çupi tha se 430 familje po hidhen në rrugë jo për interes publik, por për të pasuruar më shumë Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
“Është historia e pushtetit të Edi Ramës, e nisur nga 2013-a. Mashtro njerëzit për votë dhe prishu shtëpitë pas zgjedhjeve”, tha Çupi.
Ajo akuzoi Edi Ramën se nuk po mban premtimin lidhur me legalizimet e banesave, ndërsa tha se Kryeministri po shkatërron shtëpitë, rrugët, gjithçka vetëm për të ndërtuar për vete.
“Këtu nuk ndërtohet infrastrukturë. Këtu ndërtohen pallate per Edi Ramën dhe njerëzit e Edi Ramës, prandaj po merr pasuritë e qytetarëve. Shqiptarët nuk njohin parti para shtëpisë së tyre, para jetës së tyre, para fëmijëve të tyre. Ne jemi në krah të qyetarëve sot dhe do të vazhdojmë të jemi për t’i ndihmuar për procedurat ligjore. Nuk kanë njoftim për prishjen e shtëpive, nuk kanë kontratë ku do të rrinë. Askush nuk thotë se ku do të jetojnë sot këta qytetarë që u kanë prishur shtëpitë ndërkohë.
Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme dhe e papranueshme. Është historia e nisur nga Edi Rama që në 2013-ën dhe e vadhdon. Pas çdo fushate elektorale bën këto gjëra të tmerrshme me qytetarët, vetëm shkatërron. Ne jemi në krah të qytetarëve kundër pushtetit të Edi Ramës që pasurohet vetë dhe varfëron njerëzit. Sot janë 430 familje këtu, nesër do të jenë diku tjetër. Shqiptarëve u ka marrë tokën, u ka marrë detin dhe ajrin për pushtetin dhe pasurimin e tij”, tha ajo.