Nga Boldnews.al
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tërhoqi dje vëmendjen maksimale jo për mesazhet që përcolli, por për vasalitetin që iu tregua nga minuta e parë deri në të fundit të qëndrimit disa orësh në Shqipëri.
Erdogan u shfaq jo thjesht si President, as si Sulltan, por edhe si mentori politik i Edi Ramës, që nuk kurseu jo thjesht elozhet, të cilat mund të thuhen para kujdo, por edhe admirimin që ka për modelin që përfaqëson Presidenti turk.
Gjithë respekti që iu shfaq Erdoganit u justifikua me faktin se Turqia kishte ndërtuar 520 apartamente me një vlerë prej 42 mln euro, se mbajti kufinjtë hapur gjatë pandemisë, kur BE i mbylli ato, apo ndihma të tjera që nën drejtimin e Erdogan i kanë ardhur Shqipërisë nga Turqia.
Ndoshta çdo falenderim apo përulje ndaj Erdoganit do të ishte e pranueshme, sikur Kryeministri Rama që u shfaq dje si një vezir i emëruar nga “Porta e Lartë” dhe Shqipëria u trajtua si “vilajet”, të tregonte të njëjtën gje edhe ndaj Presidentes së Komisionit Europian, e cila as më shumë e as më pak, garantoi 100 mln euro ndihmë për Shqipërinë.
Ndoshta për Edi Ramën ky 100 mln i BE nuk ka vlerën e atyre 520 apartamenteve, edhe pse si vlerë është 2.5 herë më i lartë. Në fakt veziri i Sulltanit e lidhi respektin dhe mirënjohjen me atë se “Presidenti turk kur thotë “PO” mbetet “PO” dhe kur premton një gjë, e realizon”.
Një fjalë e urtë thotë “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi” dhe në rastin konkret, Rama nuk mund të gëlltisë faktin se BE-ja mbart të tjera vlera nga ato që Kryeministri ka për zemër, dhe që nisin nga ndërtimi i një shteti ligjor, te respektimi i të drejtave të njeriut, pronës dhe deri te liria e mediave.
Rama i afrohet shumë më tepër modelit Erdogan në këto drejtime, dhe mjafton të hedhësh një vështrim mbi mënyrën se si Sulltani dhe veziri, sillen në raport me disa të drejta themelore.
Përtej ceremonive të organizuara dje, që nga autoritetet shqiptare, nuk i ishin ofruar më parë asnjë Presidenti apo Kryeministri, vizita e djeshme e Erdoganit në Shqipëri shënoi një moment delikat, atë të shpërfilljes jo vetëm të opozitës, por edhe të institucioneve fetare, në rastin konkret KMSH-së.
Nuk ka ndodhur kurrë që në vizita të nivelit të lartë, vizitori, pavarësisht pozicionit apo shtetit që përfaqëson të mos i kushtojë qoftë edhe 5 minuta kohë opozitës, pavarësisht se kush e përfaqëson atë. Erdogan e ka bërë qartazi, jo vetëm dje, por edhe në vizitat e mëparshme.
Ai është Presidenti i parë i një vendi që nuk nguron të ndërhyjë në zgjedhje në favor të njërës palë, pavarësisht se në fjalimet publike i kushtohet më shumë rëndësi tezave të vëllazërisë mes dy popujve, apo se shqiptarët kanë gjak turk. Këto janë thënie që në momente të caktuara i janë përmendur Erdoganit, i cili më pas është treguar “zemërgjerë” duke ofruar ndihma në emër të popullit turk për popullin vëlla shqiptar.
Nëse shikojmë historikun e vizitave të Erdogan në Shqipëri, si Kryeministër apo President, qartazi ai ka pasur një qasje pro të majtës.
Në 12 shkurt të 2005, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të atij viti, Erdogan do të vinte në Shqipëri si Kryeministër dhe do të arrinte të merrte nga homologu i tij shqiptar, Fatos Nano, kontratën e blerjes së Albtelecom, nga një kompani turke. Dhe për të kompensuar “nderin” ndaj një qeverie të majtë, Erdogan nuk përfshiu në agjendë një takim me opozitën e asaj kohe që drejtohej nga Berisha. Ky i fundit nuk nguroi që të bojkotonte Kuvendin dhe në atë kohë të vetmin përfaqësues që çuan në sallën ku foli Erdogani si Kryeministër ishte Besnik Mustafaj.
Tre vjet më pas, më 26 mars 2008, Erdogan do të vinte sërisht në Shqipëri, ku Kryeministër do të gjente Sali Berishën, i cili kishte “harruar” premtimin elektoral se do të anulonte privatizimin e Albtelecom nga turqit. Erdogani u prit sërisht me nderime, iu rezervua edhe një ceremoni në Pallatin e Brigadave, ku pati edhe një incident të vogël, që kurrë nuk u transmetua nga mediat.
Dhe në të njëjtën vizitë, Sulltani i sotshëm i Turqisë, do të takonte edhe Edi Ramën, që në atë kohë drejtonte Partinë Socialiste dhe ishte Kryebashkiak i Tiranës. Madje në njoftimin zyrtar lidhur me takimin Erdogan-Rama në 2008 thuhej “Kryeministri i Turqisë shprehu kënaqësinë e vecantë që i jepet rasti të takojë liderin e opozitës zotin Edi Rama. Zoti Erdogan e informoi Kryetarin e PSSH zotin Rama lidhur me angazhimin e Turqisë për lobimin në Konferencën Islamike për njohjen nga një numër vendesh të shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe shprehu besimin që së shpejti pavarësia e Kosovës do të njihet dhe nga shtetet e tjera. Kryeministri Erdogan vlerësoi punën dhe ndryshimet që janë bërë në Tiranë dhe popullaritetin që zoti Rama gëzon në sajë të punës së tij të lavdërueshme duke u zgjedhur në mandatin e tretë, të Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit. Nga ana e tij, Kryetari i PSSH vlerësoi gjithashtu praninë e biznesit turk në Shqipëri duke vecuar biznesin privat si një biznes cilësor që i përgjigjet stadit aktual të zhvillimit në Shqipëri. Gjithashtu, Edi Rama sugjeroi një prani më të madhe të investimeve turke në Kosovë”.
Pra në dallim nga 2005 kur përjashtoi një takim me kreun e opozitës së asaj kohe, në 2008-ën, Erdogani i kishte rezervuar Ramës një takim, jo thjesht në cilësinë e Kryebashkiakut të Tiranës, por edhe kreut të PS-së.
Vite më pas, Erdogani do të fuqizonte mbështetjen ndaj Ramës, përfshi edhe vitin 2013, duke luajtur me besimet fetare dhe duke shfrytëzuar ndikimin e disa personave të lidhur me komunitete fetare, që të siguronin vota në favor të së majtës.
Dhe pavarësisht dashurisë që Rama shfaqi si Kryeministër ndaj kancelares gjermane Angela Merkel, suportit të jashtëzakonshëm që iu dha nga Gjermania në çdo dimension, në më pak se dy vjet, Edi Rama, ndoshta kuptoi, ose iu tha, se mbi disa vlera nuk mund të negociohej, se ata kalonin mandatin e një Kryeministri, apo se askush nuk mund të gënjehej në Europën e Bashkuar, nga gjatësia e një lideri politik.
Dhe Rama nga ai moment ndryshoi tërësisht kursin! Nga idhtari që shfaqej i vlerave që përfaqësonte boshti Berlin-Paris-Bruksel, ndërtoi miqësinë e veçantë me Aleksandar Vuçiç dhe Rexhep Tajip Erdogan.
Dhe në fakt nuk i doli keq në këtë anë të globit, ku herë thumbonte dhe sulmonte BE-në si njerëz të “fjalës së pambajtur”, herë shfaqej si politikani që po afronte popujt “armiq” dhe herë paralajmëronte se Shqipëria mund të zgjedhë edhe aleanca të tjera, si ajo me Turqinë, në një rajon ku ndërthuren edhe interesat ruse apo kineze.
Ndërhyrjen e fundit në zgjedhjet në Shqipëri, Erdogan e bëri pak muaj para 25 prillit 2021, kur pa ia bërë fjalën dysh Edi Ramës, nisi ndërtimin dhe përfundoi spitalin e Fierit, për të cilin me mburrje thotë se u ngrit për 68 ditë dhe ishte si një dhuratë në pajë, me efekt elektoral, duke pasur parasysh faktin se në Shqipëri votat mund të blihen edhe me një thes miell.
Dhe pas spitalit të ndërtuar në Fier, mandatit të 3-të të Edi Ramës si Kryeministër, Erdogani vjen në Shqipëri më 17 Janar, ditën e vdekjes së heroit kombëtar të shqiptarëve dhe mbrojtësit të kristianizmit, duke detyruar Edi Ramën që të fshehë bustet e Skënderbeut nga zyrat, sikundër edhe Fatos Nano, bëri në vizitën e parë të Sulltanit të tanishëm në Shqipëri. Dhe si të mos mjaftonte kjo, në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Ethem Beut, në qendër të Tiranës, fshihen drejtuesit e KMSH-së, madje edhe lutjet bëhen në turqisht, ndërsa në krah të Erdoganit qëndronte një klerik i lart turk.
Mendoni për një çast, sikur Erdogani të shkojë në Hungari dhe Kryeministri apo Presidenti i atij vendi të fshehë bustet e Janos Hunyadit, dhe pastaj gjykoni nëse kjo është shenjë vëllazërie apo vasaliteti.
Dje Edi Rama, ndoshta jo me vullnet të lirë, u shfaq jo si Kryeministri i një vendi sovran, paraardhësit e të cilit ishin 500 vjet nën Turqi, por si një vezir i emëruar nga Sulltani dhe drejton një vilajet nën hyqmin e Portës së Lartë.