Nga BoldNews.al
Policia dhe Prokuroria janë në hapat e parë të hetimit për të identifikuar linjën e trafikut të kokainës, pas zbulimit të rreth 109 kilogramë lëndë narkotike në kontenierët me banane të kompanisë “Ziko-Company”.
Megjithatë, gjasat duket se janë shumë të vakëta që autoritetet hetimore të identifikojnë të gjithë porositësit dhe pritësit e ngarkesës të kokainës, e cila dyshohet se mund të ketë qenë shumëfish më e lartë se sa ajo që mbeti në duart e oficerëve të Policisë.
Policia shpërndau një njoftim, që më shumë dukej se justifikim për kompaninë e bananeve, sesa një nevojë për të informuar publikun mbi rezultatin e saj.
Por, nga ana tjetër, edhe pjesa më e madhe e medias, kryesisht ajo që konsiderohet si “tradicionale”, përfshirë edhe ato redaksi, të cilat Policia është e prirur t’ua servirë informacionin në kohë reale, u stepën të tregonin për shumë orë se cila ishte kompania që kishte porositur kontenierin ku u gjet kokaina.
Madje, kishte disa prej tyre, të cilat, jo vetëm “fshehën” emrin e “Bana-King”, por bënin përsiatje duke treguar raste të mëparshme e duke i përmendur ato me emër e mbiemër.
Vetëm “Zico Company” dhe “Bana-Kingu” i saj nuk u shfaqën në kronikën policore.
Duket se ka një arsye shumë të thjeshtë, e cila i thyen edhe ato media që rreken të mbajnë flamurin e raportimeve anti-korrupsion apo reklamues ndaj operacioneve mediokre policore.
Gjithçka lidhet me reklamën që “Zico Company” ka shpërndarë bujarisht në median shqiptare.
Në bilancin financiar për vitin 2020, të dorëzuar në Drejtorinë e Tatimeve, “Zico Company” deklaron se ka shpenzuar plot 300 milionë lekë të vjetra reklama për vitin 2020.
Një vit më parë, pra në 2019, e njëjta kompani, ka shpenzuar rreth 150 milionë lekë të tjera, me anën e të cilave publiku shqiptar u bombardua nga “Xhaxhi Arditi dhe majmuni Abu” që hanin plot shije “Bana-King”.
Për vitin 2020, kompania në pronësi të Trifon Murataj deklaron se ka siguruar një fitim prej 1.2 miliardë lekë të vjetra.
Ndërkohë që gati 25 përqind të kësaj shume, pra rreth 300 milionë lekë të vjetra, kompania deklaron se i ka shpenzuar për reklama e publicitet.
Duket se është një shumë jashtëzakonisht e madhe për tregun e reklamave në Shqipëri.
Por, megjithatë, duket se është e mjaftueshme që mediat përfituese të parave të “Bana-King” t’i kthenin reston, duke e mbajtur për shumë orë të fshehur emrin e shoqërisë “Zico Company”.
Deri më tani, policia ka arrestuar tre persona, dy shoferë dhe një drejtues shitjesh të kompanisë “Zico”, ndërkohë që hetimet kanë ngecur në një pikë të vdekur.
Sipas asaj që publikoi policia, në 30 dhjetor të vitit 2021, agjentët e saj arritën të zbulonin 109 kilogramë kokainë në një kontenier që ishte transportuar nga porti i Durrësit në drejtim të magazinave të “Zico Company” në Vaqarr të Tiranës.
Sipas deklarimeve të një prej shoferëve, ai kishte shkuar për të marrë kontenierin në Durrës në datën 28 dhjetor. Rrugës së kthimit, pranë fshatit Romanat, katër persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën dhe e kanë ndalur.
Gjithnjë sipas deklarimeve, njëri prej personave e ka kërcënuar me armë në kokë, ndërsa tre të tjerët kanë kontrolluar në kontenier dhe janë larguar pa marrë asgjë.
Shoferi ka vijuar rrugën dhe ka ndaluar sërish, pasi kishte një gomë të çarë. Ai ka njoftuar një shofer tjetër, për ta ndihmuar për gomën dhe janë nisur në drejtim të magazinave të “Zico Company”.
Ai nuk ka preferuar të njoftojë policinë për “episodin e dhunshëm” me “maskat e paidentifikuar”.
Madje, nuk ka “shqetësuar” as shefat e tij në mbrëmjen e 28 dhjetorit.
Por, vetëm një ditë më pas ka informuar përgjegjësin e shitjeve të kompanisë, Marson Murataj.
Edhe ky i fundit, sërish është treguar mirëkuptues me Policinë dhe nuk i ka shqetësuar për t’i informuar mbi ngjarjen.
Vetëm në datë 30 dhjetor, pra gati dy ditë pas “shfaqjes së maskave të Romanatit”, kompania “Zico” informon policinë.
E, kjo e fundit, deklaroi se zbuloi 109 kokainë në kontenierët me banane.
Historia, siç u përcoll nga Policia, krijon shumë pikëpyetje, të cilat, ndoshta mund të sqarohen nga hetimi penal.