SWOT, analizën që e përdorin bizneset, mund ta përdorni edhe ju për veten. Kjo sidomos nëse ndiheni që keni ngecur dhe dëshironi që t’i ktheni gjërat edhe njëherë në vend.
Çfarë është SWOT analiza?
SWOT është shkurtesë e fjalëve: pikat e forta, dobësitë, mundësitë dhe kërcënimet (nga gjuha angleze Strengths, Weaknesses, Opportunities, and Threats). SWOT analiza është një mjet që mund t’i ndihmojë përdoruesit t’i identifikojnë pikat e forta dhe dobësitë gjatë rritjes si dhe për t’i identifikuar fushat ku konkurrentët mund të kenë ndikim. Kjo është e zakonshme për bizneset, por mund të ndikojë edhe për individët po ashtu. SWOT analiza personale ndihmon që ta shpalosni potencialin tuaj.
Një shembulli i SWOT Analizës personale
Pikat e forta
Për t’i përkufizuar pikat e forta, shihni në rolet që i keni pasur në të kaluarën dhe këto të tashmet. Zgjidhni dy ose tri gjëra cilësore që i keni arritur. Bëni vetes pyetjen “çfarë bëri që t’i arrini këto gjëra?” Më specifikisht, cilat aftësi dhe talente i keni akumuluar për t’i arritur këto? Po ashtu, mund t’i pyesni edhe kolegët dhe supervizoret çfarë mendojnë ata, ku jeni të mirë.
Dobësitë
Me shumë gjasë në intervistat e punës që i keni mbajtur jeni pyetur në lidhje me dobësitë tuaja. Ka kandidatë që thonë se janë perfektë dhe nuk kanë asnjë dobësi, por ato kuptohen pas punësimit. Prandaj, bëhuni të sinqertë me veten dhe tentoni që të kuptoni rreth gabimeve që i keni bërë, ose për aftësitë që ju mungojnë si dhe çfarë do të bëni për t’i rregulluar ato.
Shembull, mund të jetë diçka e thjeshtë, si mbërritja vonë në punë, gjë që ka krijuar perceptim negative rreth jush. Duke e kuptuar këtë mendoni që të shkoni më herët në punë, kështu që do të keni më shumë kohë për ta marrë veten dhe për t’u riorganizuar.
Një mënyrë tjetër për t’i kuptuar dobësitë tuaja është të ktheheni në të kaluarën gjatë evoluimit tuaj dhe të kërkoni “feedback” nga kolegët, udhëheqësit dhe mentorët. Ndoshta do të zbuloni që keni nevojë për më shumë vetëbesim ose aftësitë tuaja të komunikimit duhet të jenë më të lirshme. E rëndësishme është që të jeni të gatshëm t’ia pranoni vetes disa mangësi, sepse të gjithë i kanë.
Mundësitë
Pavarësisht se në cilën pozitë jeni, duhet të jeni gjithmonë rekruteri i vetes tuaj. Identifikoni dy ose tri aspekte të hapjeve të punës, që ju bëjnë kërkues! Disa gjëra për t’u menduar mund të jenë:
Si duket punonjësi ideal?
Si duket roli im i ardhshëm?
Cilat atribute do të doja t’i shoh te udhëheqësi i ekipit dhe shefi im?
Pasi të jeni përgjigjur në këto pyetje, mund të mendoni të filloni për të kërkuar punë ose të kërkoni për ndonjë rekruter të lidheni me të, e cili do t’jua shohë mundësitë që përshtaten. Pra, një mundësi tjetër është ta rrisni rrjetin e njohjeve dhe të kërkoni burime që ju largojnë nga zona e rehatisë. Këto veprime do t’ju bëjnë që të zhvilloheni profesionalisht.
Kërcënimet
Si punonjës mund të përballeni me kërcënime të shumta: rënien e kompanisë, politikat e zyrës, balancë jo e mjaftueshme jetë-punë, mungesë e mundësive për t’u rritur si dhe largimi nga puna. Të gjitha këto janë shumë të vërteta. Prandaj, ju duhet që t’i identifikoni kërcënimet potenciale të industrisë tuaj, ose trendët e kërkimeve, certifikatat, grupin e aftësive që gjenerata e re po i kërkon etj.
Rishikoni analizën tuaj SWOT çdo tre muaj
Ndarja e kohës për të reflektuar dhe mbajtur veten të gatshëm është një lëvizje e zgjuar karriere, kështu që nëse një rekrutues ju thërret në mënyrë të paqartë, ju keni informacionin aktual për t’u mbështetur dhe paraqitur, por edhe për t’i bërë përshtypje. Përdorimi i SWOT analizës është një mjet jashtëzakonisht i dobishëm kur bëhet fjalë për identifikimin e qëllimeve personale dhe profesionale.
Merrni veprim
Pasi t’i keni përcaktuar të gjitha pjesët, filloni të punoni në to, për t’u bërë gati për një karrierë të gjatë dhe të bujshme. Por, mos u mjaftoni me kaq, kur të mendoni që e keni kompletuar, pikërisht atëherë ka ende hapësirë për të bërë më shumë.
/TCH/