Gjetja e personit që ka nxjerrë të dhënat personalet mund të kthehet në një mision të pamundur për organet e hetimit.
Të paktën kështu pohojnë ekspertë të prokurorisë dhe hetimit kibernetik.
Sipas tyre ekzistojnë dyshime të arsyeshme, që nxjerrja e të dhënave personale të jetë kryer pikërisht nga persona që kanë punuar me to në selinë qendrore të PS-së përgjatë fushatës se zgjedhjeve të kaluara. Ose më saktë janë operatorët që kanë pasur akses në të dhënat, dhe ia shpërndanin ato patronazhistëve.
Kjo ndoshta në shenjë revolte për ndonjë kërkesë të paplotësuar nga pushteti, por kjo pak rëndësi ka. I rëndësishëm është fakti sipas tyre, se pavarësisht se prokuroria ka nisur hetimet, dhe rama ka forcuar tonet ata vazhdojnë të nxjerrin database me të dhëna, çka do të thotë se tashmë kanë fshirë çdo gjurmë dhe janë të sigurt se askush s’mund t’i gjejë. Ndoshta të dhënat hidhen dhe nga jashtë vendit ku autori i ka marrë me USB.
Një fakt i tillë do e nxirrte zbuluar Ramën, përballë një realiteti që ai e ka mohuar gjithmonë. Skandali u bë publik nga gazetarët Andi Bushati dhe Armand Shkullaku në prill të këtij viti. Një investigim i Lapsi.al do të zbulonte dhe masakrën që ishte kryer me vullnetin e plotë të pushtetit me të dhënat e qytetarëve. Portali arriti të zbulonte vetëm databesen e kryeqytetin, ndërkohë dyshimet janë se ky fenomen është shtrirë në të gjithë vendin.
Por cili është institucioni që është përgjegjës për menaxhimin e të gjitha të dhënave nga institucionet. Natyrisht gishti drejtohet tek AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit). Një ligj i qeverisë Rama që në vitin 2017 detyronte të gjitha institucionet të dorëzonin informacionin atje. Sot AKSHI administron databasen e të gjitha institucioneve në vend. Deri në vitin 2019, ky institucion administronte gjithsej 46 database të dhënash, ndërkohë që pas këtij viti janë shtuar dhe të tjera.
Por ja çfarë shkruan portali Lapsi.al në lidhje me këtë çështje në shkrimin e datës 16.04.2021 “Të dhënat e plota për qytetarët janë të depozituara në një Database tjetër, i cili funksionon si një program online. Ky program, përmban të dhëna të tjera tonat, të ndara në kolona të tjera, jo vetëm për personat e punësuar, por edhe për ata që marrin ndihmë ekonomike, apo të tjerë që trajtohen me kemp, të tjerë që janë në pritje të një procedure legalizimi, apo të tjerë që janë në pritje të çfarëdo shërbimi që ofron shteti. Duke pasur dijeni mbi pritshmërinë e qytetarëve ndaj shërbimeve të institucioneve, patronazhistët e kanë pasur më të lehtë qasjen për të kërkuar votën”.
Pas publikimit të listës së pagave Edi Rama u mundua të merrte në mbrojtje drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Në fakt, kjo ishte një mbrojtje që ai po bën vetes. Dekonspirimi i drejtoreshës në lidhje me këtë çështje do bënte fajtor vetë kryeministrin për një nga skandalet më të mëdha të 31 viteve të fundit.
Ekspertët shprehen se, mbledhja e atij informacioni në institucione të ndara, pra Gjendja Civile, Hipoteka, Tatime, apo drejtoria e patentave dhe legalizimit do ishte më e vështirë, dhe lehtësisht i dekonspirueshëm. Ndoshta me këtë shpjegohet dhe makutëria e kryeministrit për të mbledhur informacionin në një dorë të vetme. Pra ekspertët shprehen se shërbimi online, fare mirë mund të jepej dhe nëpërmjet institucioneve që janë përgjegjëse për këto shërbime dhe s’kishte pse grumbullohej në një dorë më vete. Kryeministri e ka konsideruar këtë proces si një revolucion, ndërsa po vërtetohet e kundërta.
Po çfarë informacionesh të tjera mund të dalin në publik nga AKSHI, ose çfarë duhet të presin qytetarët. Sipas listës, te publikuar nga vetë institucioni ai administron pronat, aktet noteriale, dëshmitë e penalitetit, sistemin e burgjeve etj.
Me një ligj të miratuar nga PS në vitin 2020, bankat detyroheshin që të jepnin dhe listën e llogarive bankare të qytetarëve dhe bizneseve tek ministria e brendshme dhe tatimet. Kjo bëhej në emër të luftës kundër pastrimit të parave, megjithëse organi i hetimit i ka të gjitha mjetet për të pasur akses në to, mjafton një urdhër.
Në rast se do bëheshin publike të gjitha këto atëherë, kjo vërtet do përbënte një problem dhe do cenonte jo pak qytetarët. Ekspertët thonë se jo pak prej tyre që rezultojnë me shumë të konsiderueshme monetare në banka mund të bëhen target i krimit.
E pra, duket qartazi se e gjithë kjo gjurulldi e ka burimin tek skandali i denoncuar në prillin e këtij viti. Prokuroria atë kohë do vinte në hetim gazetarët, ndërsa tashmë është shumë vonë që të hetojë.
Pavarësisht se një drejtor te AKSHI ka dhënë dorëheqjen dhe 14 IT janë marrë në pyetje, duket se problemi është më i thellë.
E gjitha kjo është bërë për ti bërë punën më të lehtë patronazhistëve të rilindjes, ndërsa koston po e paguajnë qytetarët të cilët tashmë janë të ekspozuar dhe pa asnjë mbrojtje për të dhënat e tyre personale. /Syri.net
Të dhënat e tjera që kanë në dorë patronazhistët