Nga Ilir Kalemaj
Ndërkohë që Vuciq flet diplomatikisht anglisht me amerikanët dhe Brukselin, kinezçe me kinezët, rusisht me rusët dhe arabisht me investitorët arabë, pra arrin të mjelë përfitime jo pak të qenësishme ekonomike dhe politike, madje sic u shpreh dje në Tiranë mund të mësojë edhe shqip që të flas edhe më “shqiptarçe” me Ramën, praktikat vijon t’i ketë destabilizuese. Gjuha e zbutur diplomatike mbështjellë nën një qasje të re diplomatike të cilën e pranoi edhe Daciq për një të përditshme serbe pak ditë më parë kur më në fund e tha që projekti Ballkani i Hapur e ka zanafillën e tij politike bash në Beograd.
Ndërkohë që “krahu i luftës” së Vuciqit është Aleksandër Vulin, ish-ministër i mbrojtjes dhe tanimë ministri i tij i brendshëm i cili jo më larg se korriku i këtij viti foli hapur për projektin “Bota Serbe”, në të njëjtën linjë me atë të “Botës Ruse” të adoptuar qysh në 2007 si një politikë shteti zyrtare nga Vladimir Putin. Ngjashmëritë mes dy vendeve, apo më saktë imitimit që po i bën Serbia “babushkës” së saj në politikën e jashtme shkojnë përtej kësaj, në përpjekje për ta materializuar si ide. Për shembull, politika agresive e Federatës Ruse fillimisht me agresionin ndaj Gjeorgjisë ku shkëputi me ndërhyrje flagrante ushtarake Osetinë Jugore dhe Abkhazinë për të vijuar me aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen e separatistëve në Ukrainën Lindore si dhe duke kërcënuar me luftë Ukrainën në fillim të vitit që vjen nëse NATO nuk jep garanci të forta që Ukraina do të jetë jashtë planeve të saj afatgjata për antarësim apo qoftë dhe partneritet strategjik me NATO-n.
Ngjashëm me të, Serbia po kërcënon të shpërbëjë Bosnje-Herzegovinën përmes deklaratave dhe veprimeve unilaterale të Republika Serbska të Dodikut që kontrollon 49 përqind të territorit pas Marrëveshjes së Dejtonit, mbajtjes së konfliktit të ngrirë me Kosovën duke kërkuar përvec Veriut të Kosovës dhe “boshnjakëzimin” e Kosovës përmes Zajednicës si dhe duke sabotuar njohjet ndërkombëtare të saj përmes fushatës së ç’njohjeve (në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare), por edhe duke destabilizuar Malin e Zi ku aktualisht është qeveria më pro-serbe nga koha e pavarësisë.
Por ndryshe nga Federata Ruse, që është një fuqi e fortë e nivelit botëror përmes arsenalit ushtarak që disponon dhe armëve bërthamore si dhe pozitat në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (me të drejtë vetoje) etj., Serbia si një shtet i vogël aspiron të shtrijë hegjemoninë e saj vetëm në Ballkanin Perëndimor. Projekti i Ballkanit të Hapur, ngjashëm me pararendësit më pak të suksesshëm të tij, është një mekanizëm që shtrin influencën gjeopolitike serbe në rajon dhe më gjerë, konsolidon dominimin e tregjeve ballkanikë nga Serbia si ekonomia më e diversifikuar dhe më e madhe mes 6shes së Ballkanit Perëndimor dhe rrit “fuqinë e butë” të saj duke ri-krijuar një imazh pozitiv për të edhe në korrdiroret e Washingtonit dhe Brukselit gjë e cila u reflektua edhe së fundmi kur çeli bllokun e katërt, pra katër kapituj të rinj në procesin e negociatave me BE-në, pra duke përparuar ndjeshëm dhe duke qenë bashke me Malin e Zi vendet në pararojë mes vendeve të BP për antarësim të plotë në BE.
Është ende e paqartë se ç’fiton Tirana zyrtare ndërkohë që ka ftohur ndjeshëm marrëdhëniet ndër-shtetërore me Republikën e Kosovës (përtej fasadës protokollare), deklaratave propagandistike thjesht për konsum publik si ajo e kryeministrit Rama dje kur tha që do ftojmë dhe Greqinë, Italinë dhe Hungarinë të na bashkangjiten ndërkohë që të paktën dy prej këtyre vendeve nuk e konsiderojnë veten Ballkan dhe kur të tjera që të paktën gjeografikisht janë pjesë identitare e Ballkanit si Turqia, Kroacia, Sllovenia, Rumania dhe Bullgaria as nuk përmenden. Po ashtu, niveli i eksporteve të Shqipërisë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk ka pësuar ndonjë rritje të konsiderueshme deri tani dhe në fakt është thelluar defiçiti tregtar për shkak se Shqipërisë i mungon infrasktuktura e nevojshme për të qenë konkurruese në prodhimet industriale, bujqësore, apo në eksportin e shërbimeve etj. Dy nga pesë marrëveshjet që u nënshkruan dje ishin nënshkruar qysh në 2018 nga Shqipëria (protokolli nr. 5 i CEFTA-s ekzistuese).
Për mos të folur për faktin që kjo nismë është më tepër butaforike me takime përpara ndonjë pjate peshku apo me ndonjë gotë slivovicë përpara sesa e institucionalizuar dhe me aparat burokratik mbështetës. Pra kemi shumë zhurrmë, për fare pak gjë. Ndërkohë që njëkohshëm kemi forcim të tendencave autoritariste në Serbi dhe Shqipëri të cilët arrijnë ta mbulojnë përmes shpalosjes së vizioneve të rremë apo imagjinarë për një Ballkan pa kufinj që ska se si mos të pritet me entuziazëm nga amerikanët dhe europianët të paktën retorikisht. Se cfarë do të arrijë konkretisht koha do ta vërtetojë, por për të gjitha arsyet e sipërrenditura, kemi të drejtën të jemi skeptikë.