Ai u kthye me fytyrë të nxirë në shtëpi. Si përherë prindërit e çojnë në kopsht, ndërsa të motrën në shkollë. Motër e vëlla janë të mitur dhe nën moshë.
Por fëmija, krejtësisht i ndryshuar dhe me shenja në fytyrë, nuk jep shpjegim se kush e qëlloi dhe çfarë i ndodhi. I nxehur, i ati merr çelësat e makinës, hyn në kopshtin privat që gjendet në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë dhe kërcënon: “Do t’ju vras, çfarë i keni bërë djalit tim?”.
Rasti i proceduar nga komisariati numër 3 në kryeqytet, iu tregua bazuar në dëshminë e prindërve të fëmijës nga njëra anë dhe të pronares së kopshtit, e cila këmbëngul se askush nuk ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së vogël.
Por fëmija ka fytyrën të nxirë dhe po ashtu pjesën e ballit, deklaron i ati me inicialet Z.G., që u denoncua nga drejtoresha e kopshtit. Por edhe babai ka denoncuar drejtoreshën K.Z., një grua, që për të vërtetuar se stafi i saj është i kujdesshëm me fëmijët që mban, kur prindërit janë në shkollë, ka bërë një video, ku shfaqet i mituri duke goditur murin me kokë.
Ky skandal që i ndodhur në një kopsht privat u zbulua si fillim nga burri, baba i dy fëmijëve, që kërkoi hetim pranë policisë, thanë burimer, me dyshimin se kujdestaret ku ata paguanin për mbajtjen e fëmijëve, i rrahin të miturit.
“Nga pamjet që kam parë, jam i bindur që fëmijët e mi keqtrajtohen nga punonjëset e kopshtit privat që ndodhet në rrugën “Siri Kodra”. Kjo ka dy muaj që po ndodh dhe kujdestaret u justifikuan se fëmijët rrihen me njëri-tjetrin”, – denoncon 43-vjeçari pranë policisë numër 3 në kryeqytet.
Burimet e policisë, thanë , se kanë shkuar menjëherë në kopshtin në fjalë, ku dhe kanë marrë kontakt me pronarët dhe administratorët e këtij biznesi për fëmijë. Drejtoresha ka habitur policinë, duke dëshmuar se prej muajsh, ajo i bënte video fëmijës së gjinisë mashkull kur qëllonte murin me kokë dhe rëndohej duke dëmtuar veten.
“Këto video, ia nisja përherë të ëmës së djalit për t’i treguar dhe vërtetuar se filmimet me celular që i bëja djalit të saj, tregojnë që ai nuk rrihej nga askush, por dëmtohej me dëshirë”.
Të habitur, punonjësit e policisë nuk kanë mundur të marrin një shpjegim se përse kujdestaret nuk ndërhyjnë gjatë këtyre veprimeve, por zonja e denoncuar nga babai i fëmijës, vijon të rrëfejë.
“Zotëria vjen dhe na kërkon llogari kush e keqtrajton djalin, por ai ka qëlluar kokën. Fëmijët, sipas këqyrjeve të policisë mbahen në këtë kopsht prej vitit 2019, ndërkohë që dhuna e pashpjegueshme ndaj të miturit, dyshohet se ka ndodhur gjatë muajve të fundit. Në këtë pikë, drejtoresha e denoncuar, sipas burimeve pranë policisë, iu ka vënë oficerëve kamerat e sigurisë, që sipas saj vërtetojnë se si babai i fëmijëve hyri në kopsht dhe kërkoi llogari për dy të miturit.
Ky shtetas, duke iu referuar denoncimit të gruas, i drejtohet asaj me frazën: “Do vras fëmijët e tu dhe burrin“. Ndërkohë që shtetasi Z.G., këmbëngul se kanosja ndaj administratores së kopshtit ndodhi pasi pa fëmijën të gjakosur dhe me fytyrë të nxirë.
Policia që ka kërkuar sekuestrim të kamerave të sigurisë, deklaron se do pyesë në prani të një psikologu fëmijën, sipas taktikave që zbulojnë se çfarë ka ndodhur realisht në kopshtin, ku drejtoresha dhe kujdestaret janë vendosur nën hetim nga komisariati numër tre.
Por burimet, shtojnë se policia vendosi nën procedim pas denoncimit edhe 43- vjeçarin, i cili pranon se i kanosi punonjëset e kopshtit në kryeqytet.
Në procesverbal, shkruhet: “Ky shtetas shfaqet i nervozuar, duke rrëzuar kompjuterin në tokë dhe se rezulton se në dyshemenë e kopshtit gjendet një kompjuter i rrëzuar”.
Policia, pasi ka këqyrur pamjet paraprake të filmuara me celular nga edukatoret, përshkruan se në këto episode, duket fëmija duke u shtrirë përtokë, që përplas karriget në tokë dhe qan dhe më pas dëgjohet zëri i edukatores që thotë: ‘Çohu zemër’”.
Policia thotë se do ta hetojë këtë ngjarje për secilin nga palët e dyshuara, duke nisur nga keqtrajtim i të miturve dhe kanosje për shkak të detyrës nga ana e babait që nuk është vetëpërmbajtur, por e ka thënë fjalën e tij.
“Këto veprime i kreva për tim bir”, – deklaron 43-vjeçari, i cili pranon të hetohet, por me kushtin që t’i gjejnë dhe zbulojnë të vërtetën se cila nga edukatoret ia ka dhunuar të birin./ Gazeta “Si”