*Nga Artur Metani
Eshtë kënaqësi, por më tepër privilegj, të jem në një tryezë të tillë, ku diskutohet mbi një temë themelore për shëndetin moral, politik e kushtetues të një shoqërie, siç është tema e sotme mbi sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe adresimin e sfidave të përbashkëta për një media të lirë e profesionale.
Ky është kontakti im i parë me përfaqësues të medias mbi këtë temë dhe shpresoj të mos jetë i fundit, sepse të ulesh e të flasësh, të shkëmbesh pikëpamje, edhe kur janë të ndryshme, është rruga e duhur për gjetjen e urave të përbashkëta të komunikimit, të cilat veçse i ndihmojnë punës së secilit prej nesh, tonës si institucione të drejtësisë dhe vetë medias.
Eshtë tashmë aksiomë që liria e medias është thelbësore në një shoqëri demokratike. Liria për të folur për cështje të shoqërise, qeverisjes dhe zyrtarëve publike është bazamenti mbi të cilin ndërtohet zhvillimi politik e shoqëror i një vendi. Por, po kaq i rëndesishem për një shoqëri demokratike ështe edhe një pushtet gjyqësor dhe një sistem drejtësie i pavarur. Të dyja këto vlera, të dy këto pushtete gjejnë mbrojtje dhe garanci në Kushtetutë. Por, asnjëra me epërsi ndaj tjetrës. Dy pushtete me profile të qarta dhe të ndara, por me ngjashmëri thelbësore me njëra tjetrën. Fuqia e të dyjave varet nga besimi i publikut, nga besimi i njerëzve.
Nisur edhe kjo predispozitë e besimit të publikut, ndoshta, shpesh është thënë se vendimet gjyqësore nuk komentohen, por zbatohen. Dakort, zbatohen. Por, nuk mundet të mos komentohen. Nëse publiku nuk është i kënaqur me një vendim gjyqësor apo vendime të sistemit të drejtësisë, cdokush duhet të jetë i lirë ta thotë publikisht këtë. Për më tepër media, një pushtet i konceptuar të shprehë atë që publiku mendon. Dhe sado e vështirë të jetë apo të duket kjo gjë mbi punën e institucioneve të drejtësisë, ata janë të detyruar të marrin vendime dhe të jenë të përgatitur që dhe do kritikohen për to, përmes raportimeve apo analizave mediatike. Dhe është vitale të ndodhë kështu në demokraci dhe sistemi i drejtësisë duhet të jetë në gjendje të përballojë cdo kritikë, nëse publiku apo media ka perceptimin, se procedurat nuk shihen apo vlerësohen si të drejta.
Natyrisht, ka raste kur kritikat mund të jenë të padrejta apo në raste të vecanta edhe të pabazuara në realitetin faktik. Madje ka edhe rezerva për mangësitë e njohurive mbi punën e instituconeve të drejtesise apo për fokusimin në sensacion dhe jo në thelbin e një cështjeje. Por, nuk është kjo cështja mendoj. Me gjithë problematikat normale të zhvillimit të saj, media mbetet burimi kryesor i informimit të publikut, ështe mjeti kryesor i transmetimit të këndvështrimeve të ndryshme dhe mjeti kryesor për të bërë që institucionet e drejtësisë të reflektojnë.
Personalisht dhe institucionalisht i qëndroj mendimit se liria e massmedias është thelbësore në një shoqëri demokratike, një aset që duhet garantuar e mbrojtur, edhe nga institucionet.
Nëpërmjet mbrojtjes dhe garancive që u japim gazetarëve, ne mbrojmë jo thjesht gazetarët, por misionin e tyre, të drejtën e shoqërisë për të patur mundësinë për të gjykuar qeverisjen në cdo dimension të saj. Shoqëria është dhe duhet të jetë ajo që vlerëson, nëse qeverisja apo një raportim mediatik i caktuar është korrekt dhe jo institucionet, duke kufizuar informacionin. Brenda kufizimeve të vendosura nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, askush nuk mund të vlerësojë rolin e medias, duke i kufizuar informacionin, duke i kufizuar mundësinë për të marrë informacion apo më keq, duke e intimiduar dhe goditur median.
Fakt është se një shoqëri mund të zhvillohet shëndetshëm, vetëm nëse anëtarët e saj, pra qytetarët, kanë informacion të besueshëm dhe kjo varet nga puna e medias, që ua përcjell atë informacion. Këtë mund ta realizojnë gazetarë të informuar e me njohuri mbi rolin e detyrat e institucioneve të drejtësisë e magjistratëve në demokraci, që raportojnë e kritikojnë patjetër, me përgjegjshmërinë e detyrimit për t’i dhënë publikut informacion të saktë, të paanshëm. Dhe jemi me fat që kemi gazetarë të tillë në Shqipëri, madje edhe në këtë tryezë.
Patjetër që ka raste, që edhe media reflekton defektet, që vetë shoqëria ka. Nuk ka si të ndodhë ndryshe ne nje shoqeri ne zhvillim. Por zhvillimin demokratik të shoqërisë, të medias dhe të institucioneve nuk e ndihmojmë duke i vendosur kufizime, por duke e lënë të lirë debatin. Edhe kur jemi të ndjeshëm ndaj kritikave të padrejta që marrim, kjo ska rëndësi. Rëndësi ka transparenca, mundesia per debat per te drejten dhe te vërteten. Ky është një proces, është një zhvillim demokratik që kërkon durim dhe natyrisht kohë, por kjo është një kosto, të cilën duhet të jemi gati dhe bashkëpunues sa mundet për ta përballuar.
E dëgjoj shpesh shprehjen, që më vjen edhe në formë këshille, se “beteja me shtypin është gjithmonë e humbur”. Dhe mendoj se po. Eshtë e humbur sepse e humbur është beteja me lirinë e shoqërisë për të parë dhe kuptuar administrimin e drëjtësisë. E pikërisht në emër të interesit publik, liria e medias nënkupton të drejtën për të kundërshtuar e kritikuar dhe kjo e drejtë e saj duhet mbrojtur e garantuar. Një media e fortë dhe profesionale, padyshim që do ndikojë në përgjegjshmërinë e institucioneve tona dhe sic është po ashtu e qartë, se keqinformimi apo lajmet e rreme e gërryejnë besimin e publikut, si tek media ashtu edhe tek institucionet dhe pasojë është pengesa, që e gjithë shoqëria të ecë përpara.
Në këtë kontekst ka dhe një specifikë, të cilën dua ta nënvizoj. Ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet kritikave që bëhen ndaj magjistratëve dhe kritikave ndaj zyrtarëve të tjerë publikë. Magjistratët nuk mund të përgjigjen për kritikat që u bëhen, nuk mund të komentojnë për cështjet e tyre, qoftë edhe për të hedhur poshtë shtrembërimet mediatike të vendimeve të tyre. Ndryshe nga institucionet që burojnë nga politika, institucionet e pavarura dhe magjistratët e kanë këtë lloj kufizimi, që vjen me detyrën. Por, gjyqtarët dhe prokurorët, zyrtarët e institucioneve të drejtësisë nuk e kanë keqkuptimin me median, mendoj. Beteja është me transparencën. Vërtetë magjistratët nuk mundet të shprehen apo komentojnë mbi vendimet e tyre, por nëse vendimet që ata marrin, shprehin qartë dhe pa asnje ekuivok, thjeshtë dhe kuptueshëm, drejt dhe pa lakime, mendimin e tyre juridik dhe diskrecionin e tyre të bazuar në ligj, atëherë publiku dhe media do të jenë të qartë se cfarë u duket e drejtë dhe e padrejtë në atë vendim. Sa më të qartë të jenë gjyqtarët me vendimet e tyre, sa më të qartë të jenë ata për rolin e tyre, aq më e thjeshtë është edhe për median, të transmetojë në publik rëndësinë e kësaj vendimmarrjeje.
Sot do flasim për rritur garancitë për ushtrimin e detyrës nga gazetarët dhe fatmirësisht në Shqipëri nuk ka raste të vrasjes së gazetarëve, sic është rasti i gazetarës së ndjerë malteze Dafne Galicia, që u soll në vëmendje në fillim të kësaj konference. Një vrasje e tipit mafioz ndaj një gazetareje që bënte detyrën, e që duhet të turpërojë cdo vend ku ndodh. Dhe padyshim që institucionet mund të bëjnë shumë për të parandaluar ngjarje të tilla, e garantuar mbrojtjen e gazetarëve. Për këtë konferencë, konsultova disa shifra të publikuara nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, sipas së cilës 2658 gazetarë janë vrarë prej vitit 1990, 42 prej të cilëve vetëm në vitin 2020 dhe 235 gazetarë janë në burg.
Fatmirësisht nuk kemi situata të tilla në vendin tonë dhe uroj te mos kemi, por pa dyshim që janë denoncuar edhe publikisht raste intimidimi, dhune, pengimi për të bërë detyrën, sic ishte ai që u raportua së fundmi ndaj gazetares së Fax Neës, apo edhe padi në gjykata. Ka raste që mund të dëshmohen edhe në këtë sallë. Janë akte që mbeten shqetësuese, e që duhet të na bëjnë të gjithëve të reflektojmë dhe te marrim masa. Perpara se te na duhet te merremi me pasojat.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vullnetin për të bërë pjesën që i takon në mbrojtjen e garantimin e të drejtës së gazetarëve për të kryer detyrën e tyre, sepse e përsëris, i qëndroj mendimit se duke mbrojtur gazetarët, ne garantojmë të drejtën e shoqërisë për të patur lirinë për të gjykuar punën e secilit në çdo dimension.
*Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani në konferencën: “Siguria dhe mbrojtja e gazetarëve: ndarja e standardeve dhe adresimi i sfidave të përbashkëta”