Nga Agim KRASNIQI
I.Ballkani Perëndimor do të vijojë të mbetet rajon i një rëndësie të madhe gjeopolitike për perëndimin por jo vetëm. Sot në vazhdën e përballjes së “fuqive dhe interesave të mëdha” pasojat kryesore duket që po i bartë vet Ballkani, i cili gjithmonë për këto interesa ka shërbyer si një fushë shahu në të cilën këto fuqi kanë garuar për të dëshmuar rëndësinë dhe influencën e tyre prej të fortit. Në këtë rast dy blloqet klasike të Luftës së Ftohtë po vazhdojnë garën ideologjike për Ballkanin Perëndimor.
Për t’ju kundërvënë politikës perëndimore në Ballkan, e në veçanti asaj amerikane, Rusia kohë pas kohe dëshmon që është “ujk i vjetër” me tendencën e saj për të zbehur ndikimin Perëndimor, sidomos të Bashkimit Evropian. Disa zhvillime në vendet e Ballkanit, si krizat politike, demokracitë e brishta, paqëndrueshmëria në qeverisje, duket se i shkojnë për favor Rusisë dhe kanë tendencë për të përforcuar sentimentin rus. Të gjitha këto ngjarje po ia lehtësojnë Moskës të ushtrojë ndikimin e saj në Ballkan dhe përpjekjet e mbajtjes së rajonit larg Perëndimit. Janë elitat politike të shteteve ato që po ua krijojnë ndjenjën qytetarëve të vet, që nuk kanë mundësi të bëhen pjesë e komunitetit euroatlantik në një të ardhme të afërt. Shto kësaj edhe idenë gjeostrategjike turke për krijimi i një shteti mysliman të ndërvarur nga Ankaraja, që ndërlidhet me Bosnjë Hercegovinën.
Gjeopolitika neo-otomane turke me Bosnje-Hercegovinën, lidhet me atë çfarë ka thënë establishmenti turk se, “Historia osmane e Ballkanit është një histori e mrekullueshme dhe duhet rinovuar tani”. Në atë “histori të mrekullueshme” turke, si personazh kryesor janë myslimanët boshnjakë. Prandaj idetë strategjike gjeopolitike janë zbatuar për dekada, madje qindra vjet dhe ato ide nuk janë kurrë një akt i momentit. Por qëllimet e një gjeopolitike të caktuar, nuk arrihen vetëm me mjete ushtarake; ato realizohen edhe me luftë asimetrike si në kohën e informacionit që jetojmë tani. Ngritja e sentimentit fetar tek shqiptarët në përgjithësi, tek boshnjakët dhe migrimet e mëdha që po ndodhin, janë një shembull tipik i një lufte të tillë asimetrike e cila i shërben gjeopolitikës. Bosnja dhe Hercegovina ndodhet brenda një ngërçi të madh politik. Kjo përveç se ka shqetësuar tërë shoqërinë brenda kësaj federate, ka alarmuar edhe rajonin se gjërat mund të kthehen në brutalitetin e viteve të 90-ta. Mirëpo shtrohet pyetja se pse kjo krizë po shpërthen tani në këtë shtet? Marrëveshja e Dejtonit ruajti kufijtë ndërkombëtarë të Bosnjë-Hercegovinës (Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Srpska), ndërsa e ashtuquajtura Republika Srpska mendohet të jetë produkt i gjeopolitikës anglosanksone të atlantizmit, e cila u krijua në 1987.
Në juglindje të Evropës, për të luajtur kartën e shqiptarëve në planin afatgjatë dhe për të veçuar Kosovën si akti i parë drejt Shqipërisë Natyrale, serbët duhej të kompensoheshin për këtë diku territorialisht dhe kjo ishte e mundur vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk ka fare rëndësi për gjeopolitikën e të fuqishmëve që krijimi politik i të ashtuquajturës “Republika Srpska” u bë në bazë të gjenocidit. Qëllimet afatgjata gjeopolitike nuk përcaktohen nga balanca aktuale e fuqive apo ndonjë lëvizje e nxituar, sado fitimprurëse të duken. Dejtoni dhe Bosnja e Hercegovina, siç u tha, është krijuar nga gjeopolitika anglosanksone dhe ajo mund ta ndryshojë nëse i përshtatet interesave të saj. Vështirë se dikush tjetër mund ta bëjë këtë dhe nuk funksionon pa një luftë të re.
Tensionet sektare midis komuniteteve fetare kanë vazhduar që nga fundi i luftës dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA të cilat po i kontribuojnë krizës në Bosnjë dhe Rajon. Si pasojë e ndryshimeve të mëdha dhe vet ndryshimeve gjeopolitike në rajon, në kohën e lulëzimit të të gjitha feve, ideologjive dhe të të gjitha shkollave fetare, është e natyrshme të nxjerrin kokën edhe ekstremet, me qëllim të caktuar, për të përfituar sa më shumë besimtarë dhe për t’i krye me zell punët, që i ka caktuar padronët që i paguajnë. Në këtë përpjekje për ta dëmtuar bazamentin e demokracisë dhe konsolidimin e saj në Ballkan, po marrin pjesë edhe misionarë të caktuar fetarë, por edhe analistë dhe fetarë të vonuar të konvertuar, me prejardhje nga komunizmi i dikurshëm ateist, tash të konvertuar në fetarë të përdalë dhe fanatikë. Nëse këto fakte nuk shihen, atëherë evropianët e mëdhenj njihen nga “Mjeshtrit e Kaosit” dhe mbi to ndërtojnë “kaos të vendosur” ose “çrregullim të kontrolluar” për ta bërë një situatë në falcitet.
Pra, kur jemi këtu në të gjitha këto pika, çështja e trajtimit dhe qasjes së gjeopolitikës, sot kemi filluar të jetojmë në ditët e “Big Brother” të Orwellit dhe tre kampeve të tij gjeopolitike, ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, e të cilat furishëm ja kanë mësyrë Ballkanit. Dhe kur të mëdhenjtë luftojnë, atëherë, thotë një thënie e mençur, të vegjlit vuajnë. Përgjegjësitë e Perëndimit janë të mëdha, sidomos për ndryshimet globale të cilat po ndodhin, dhe mu për këtë kërkohet që përveç Ballkanit, të trajtohen disa zona të cilat mund të jenë linja të rrëshqitjes gjeopolitike të shekullit XXI, e që kanë ndikim edhe në rajonin tonë.
II.
Sot, zgjerimi i NATO-s dhe BE-së pas Luftës së Ftohtë, tregon se kufiri i ndikimit gjeopolitik është zhvendosur ndjeshëm dhe se zona e Ballkanit ka humbur pozicionin e saj të mëparshëm si rajon kufitar në mes lindjes dhe perëndimit. Kjo i ka krijuar një avantazh të jashtëzakonshëm shqiptarëve, sepse, në nivelin strategjik afatgjatë, zgjidhja është e thjeshtë, janë krijuar mundësitë reale të promovimit dhe mbrojtja e interesave tona kombëtare, pavarësisht se kush mund të jetë kërcënimi dhe çfarë fuqie mund të kenë. Është forca morale e njerëzve ajo që fiton gjithmonë në fund. A nuk ishte lufta e UÇK-s një konfirmim i qartë i kësaj çfarë po them?
Problemi më i madh shqiptar është mungesa e një elite politike patriotike të vetëdijshme dhe e fortë. Për fatin ton të keq, elitat politike shqiptare kishin të njëjtin emërues të përbashkët – mungesën e të kuptuarit të proceseve rajonale gjeopolitike, dhe mungesën e interesave kombëtare shqiptare, domethënë, në momente të caktuara, ata vepruan me vetëdije në kundërshtim me ato interesa (si ishin marrëveshjet me Serbinë, sidomos me pasoja afatgjata ishte çështja e trashëgimisë kulturore-me theks asaj fetare).
Elita politike shqiptare, nuk e di a e ka kuptuar se gjeopolitika anglosanksone po luan në hartën e “Greate Albania ” pikërisht për interesa gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Kjo sepse ” Grate Abania ” nën kontrollin e politikës anglosanksone, parandalon depërtimin e Rusisë në mes të Mesdheut, të Gjermanisë në lindje dhe pret një nga degët thelbësore të “Rrugës së Mëndafshit” të re kineze drejt Evropës. Serbët tashmë janë “vendosur” nga e ashtuquajtura “Republika Srpska”.
II.
“Nuk është e panjohur që krijimi i “Shqipërisë Natyrale” i përshtatet politikës anglosanksone. Në këtë dritë interesash, prandaj nuk fshihet qëllimi që Shqipëria e sotme të jetë me Kosovën, një të tretën e pjesës perëndimore të Maqedonisë së Veriut, një pjesë e Malit të Zi dhe një pjesë e Greqisë, ku jetojnë shqiptarët. Një Shqipëri e tillë do të ishte një pengesë për depërtimin e Rusisë në Mesdheun qendror dhe do të ndërpriste ‘Rrugën e Re të Mëndafshit’ kinez, e cila përfundon në Luginën e Savudrijës. Prandaj Savudrija është kaq e rëndësishme. Në të njëjtën kohë do të ndalonte objektivin e njohur të gjeopolitikës gjermane për shtrirjen e ndikimit drejt Mesdheut dhe Lindjes. Dhe për këtë populli e thotë – “Një e shtënë, tre lepuj”.
Nga ana tjetër, mund të konkludohet se, me gjasë, ka një marrëveshje mes Trump-it dhe Putin-it; nëse “Shqipëria e Madhe” tashmë mund të krijohet, atëherë për hir të ekuilibrit gjeopolitik, duhet krijuar një ‘Serbi e Madhe’, e cila duhet të përfshijë Serbinë dhe Republikën Srpska në BiH, por edhe një cep të Maqedonisë Veriore ku jeton një pakicë e vogël serbe. Kjo është arsyeja pse Maqedonia e Veriut është tashmë një shtet pothuajse i dështuar. Mali i Zi është në rrugën e tij drejt thyerjes, ndërkaq BiH si shtet nuk ka funksionuar kurrë. Prandaj, analizat serbe kanë dy vite që flasin, se si Serbia do të shkojë në det. Kjo lojë gjeopolitike, në një farë mënyre, e konfirmon këtë.
Zgjedhjet në Malin e Zi kanë treguar se sa mirë e luajnë lojën perëndimorët – nuk është rastësi që rezultati ishte 41:40 për opozitën dhe nuk është rastësi që një shqiptar është ai që vendosi për krijimin e qeverisë.
Kjo do të thotë se mund të ketë lëvizje në Malin e Zi, por në atë rast Republika Srpska do të hynte në atë Serbi të Madhe; dhe kjo krijon shumë mundësi që, Ballkani do të vazhdojë të ndahet strategjikisht në dy blloqe gjeopolitike: aleanca pro-ruse e Serbisë dhe Republikës Srpska në njërën anë dhe aleanca euroatlantike e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës (minus Republika Srpska ). Gjithashtu nuk ka gjasa që NATO do t’i lejojë aleatët e saj të bashkohen me një Ballkan të mundshëm të orientuar nga Rusia. Kjo është arsyeja pse Evropa është ende duke ëndërruar ëndrrat e saj të humbura prej kohësh. Me gjasë nuk do të ketë konflikt të armatosur, sepse “të mëdhenjtë” vetëm sa po e mprehin pak situatën, dhe po testojnë forcat e tyre, e cila si gjithmonë, kalon mbi kurrizin e të vegjëlve.
Kjo histori ka të bëjë me një lojë të fuqive të mëdha. Kujtojmë, që në vitet ’90 të shekullit të 20-të kemi pasur një shqetësim të madh gjeopolitik tektonik, ose rënie të ndarjes bipolare të botës. Atëherë u shfaq unipolariteti, në të cilin SHBA dhe gjeopolitika e saj e konsideruan, madje u theksua, se ishin “policët e vetëm në botë”. Kështu ndodhi vërtet për 20 vitet pasuese, ose më saktë, deri në shfaqjen e Vladimir Putinit, domethënë derisa e ai e ngriti Rusinë në këmbë. Nga ana tjetër, fuqia ekonomike e Kinës është forcuar. Ky fakt ka bërë të jetojmë një shqetësim të ri të madh tektonik, dhe ai është krijimi i multipolaritetit të botës. Këtë e ka shkruar tashmë George Orwell në romanin e tij ‘1984’, duke paralajmëruar se do të jenë tre entitete të mëdha gjeopolitike – Oqeania, dmth bota anglo-saksone e udhëhequr nga SHBA, e dyta është Euroazia e udhëhequr nga Rusia dhe e treta është Istasia dhe kjo është Kina. Kjo është bota e sotme. Këto tre kampe nuk do të shkojnë kurrë në luftë kundër njëri-tjetrit.