Numri i gazetarëve të burgosur në mbarë botën nga qeveritë që kërkojnë të shtypin raportimet kritike arriti nivelin më të lartë ndonjëherë në vitin 2021, thuhet në raportin vjetor të hartuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, CPJ.
Deri më 1 dhjetor, thotë raporti i përpiluar nga CPJ, 293 gazetarë ishin burgosur në 37 vende të ndryshme, nga 280 një vit më parë. Kina mban vendin e parë në botë, duke mbajtur të burgosur 50 gazetarë. Vende të tjera që burgosën një numër të madh gazetarësh përfshinin Mianmarin, Egjiptin, Vietnamin dhe Bjellorusinë.
Gypsy Guillén Kaiser, e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve shkurtimisht CPJ, i tha Zërit të Amerikës se vendet që burgosin gazetarët ndajnë gjëra të përbashkëta.
“Ka patur një rënie të demokracisë dhe parimeve demokratike në shkallë globale në pothuajse çdo fushë, jo vetëm në lirinë e shtypit. Në veçanti, qeveritë autoritare po i portretizojnë gazetarët si gënjeshtarë dhe kriminelë. Kjo qasje i shërben polarizimit politik që po pllakos botën dhe është gjithashtu një komponent kritik në erozionin e besimit tek media e lirë dhe e pavarur në mbarë botën.”
Zonja Kaiser tha se regjimet autoritare kanë punuar për të miratuar ligje të reja që i mundësojnë ata të vënë në shënjestër gazetarët. I tillë ishte shtimi i seksioni 505A në kodin penal të Mianmarit që ndalon veprime të paqarta si “shkaktimi i frikës”.
Raporti nga CPJ ka për qëllim të ofrojë një portret kohor, duke treguar se sa gazetarë ishin në burg në orën 12:01 të mëngjesit të 1 dhjetorit. Raporti nuk përfshin gazetarët që ishin në burg për një pjesë të vitit 2021, por u liruan përpara publikimit.
Samiti i Demokracisë
Raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, CPJ, u publikua një ditë para se Shtëpia e Bardhë të niste takimin e parë të nivelit të lartë për demokracinë. Në këtë takim virtual po marrin pjesë më shumë se 100 vende, mes tyre nga ato që janë, gjoja, të përkushtuara ndaj parimeve të demokracisë.
Megjithatë shtatë nga vendet pjesmarrëse, sipas listës së Departamentit të Shtetit, aktualisht mbajnë të paktën një gazetar të burgosur, thuhet në raportin e CPJ. Ato janë: Brazili, Republika Demokratike e Kongos, India, Iraku, Izraeli, Nigeria dhe Filipinet.
“Është i rëndësishëm angazhimi në dialog me vendet që kryejn veprime represive”, tha zonja Kaiser. Megjithatë, ajo vuri në dukje se një nga çështjet kryesore që administrata e Presidentit Biden pret të trajtojë në samit është qëndrueshmëria e medias të lirë dhe të pavarur. Kjo i vë shtatë vendet e mësipërme në konflikt të drejtpërdrejtë me një nga objektivat kryesore të samitit.
“Nëse gazetarët nuk janë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të pavarur, qëndrueshmëria e medias nuk është një qëllim i arritshëm”, tha zonja Kaiser.
Ndryshime të dukshme
Për herë të parë gazetarët me bazë në Hong Kong janë në listë, pas vendosjes së ligjit të ri të sigurisë kombëtare të Kinës në përgjigje të protestave pro-demokracisë vitin e kaluar.
Mes 50 gazetarëve të burgosur në Kinë përfshihen edhe 8 nga Hong Kongu, mes tyre Jimmy Lai, themelues i gazetës “Apple Daily” dhe “Next Digital”. Zoti Lai fitoi Çmimin e Lirisë së Shtypit Gwen Ifill të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve për vitin 2021.
Të martën, Reporterët pa Kufij (RSF), publikoi vlerësimin e vet për numrin e gazetarëve kinezë të burgosur aktualisht nga Pekini, duke nënvizuar një numrër shumë më të lartë, 127 gazetarë. Një faktor që kontribuon tek ndryshimi i shifrave është se RSF i numëron edhe gazetarët joprofesionistë në mesin e të burgosurve.
Sipas raporit nga CPJ, nga një gazetar të burgosur një vit më parë Mianmari këtë vit ka burgosur 26 gazetarë. Rritja e papritur erdhi pasi junta ushtarake çmontoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike./VOA