Familjarë të shqiptarit Adem Rusi nga Zvezda e Korçës, i cili u raportua i vdekur brenda furgonit kafaz të burgut Malandrinos në Greqi hedhin dyshime që ai ti ketë marrë jetën vetes me lidhëset e këpucëve.
Shkëlqim Rusi, në një prononcim për mediat, akuzon se të vëllanë ja vranë gardianët e burgut.
“Unë kisha folur 3 orë para ngjarjes me vëllanë në mënyrë private, më pas më morën në telefon dhe më thanë se e kemi dërguar në spital për vizitë mjekësore rutinë, më ka thënë drejtori i burgut. Pastaj më thanë që kish pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali vari veten me lidhësen e këpucëve. Kjo për mua është e papranueshme, është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin. Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetvrasje, atë e kanë vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar.
Rusi evidenton edhe raportimet kontradiktore mbi vdekjen e të vëllait.
“Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjellën e furgonit”.
Shoqërimi i tij me lidhëse, një element i ndaluar për të burgosurit, është një tjetër dyshim.
“Kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke”.
Për tu dhënë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të tyre, familja Adem Rusit kërkon që ti bëhet autopsia në Shqipëri.
“Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë. Të bëhet autopsia pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë. Kemi shkuar në prokurorinë tonë dhe më kanë thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush se merr përsipër, nuk duan belara, nuk di çtë them. Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor.Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta”.
Raportimi i mediave greke për vdekjen e shqiptarit
“Adem Rusi i dha fund jetës ndërsa po transferohej nga spitali i Amfisës për në burgun e Malandrinos brenda një furgoni të burgut, si kafaz. Mësohet se 38-vjeçari është varur me lidhëse këpucësh nga dritarja. Më herët, ai u dërgua në spital nga gardianët e jashtëm të burgut, për shkak të problemeve shëndetësore”, raportuan mediat greke.