Familjarë të viktimave të tragjedisë së 9 janarit 2004 u paraqitën sot në SPAK me të dytën kërkesë për hetimin e kësaj çështje.
Për mediat ata thanë se letrën e parë ja kanë drejtuar 4-5 muaj më parë, por përgjigjja ju ka ardhur nga prokuroria e Vlorës.
“Kallëzimi është bërë para 4-5 muajsh. Këta e kanë çuar në Vlorë. Ne u kemi thënë që nuk e duam në Vlorë. Ne u kemi bërë kërkesë këtyre dhe përgjigjen na e ka kthyer Vlora. Fola me këta këtu dhe thanë do ta shohim. Ne kërkojmë ta hetojë SPAK, Vlora dy herë e ka mbyllur. Janë të korruptuar, nuk hetojnë. Ne e duam nga SPAK”, shprehet një prej tyre.
Kërkesa për SPAK është e qartë: Hedhja dritë mbi 9 janarin dhe vënia e përgjegjegjësve para drejtësisë.
“Ne kërkojmë nga SPAK zbardhjen e çështjes, vënien para përgjegjësisë të kriminelëve që na kanë vrarë fëmijët. Kanë vrarë 30 veta, i kanë lënë 17 orë 3 km afër bregut, nuk kanë shkuar me i marrë që të fundosen. Ne kemi 8 veta të zhdukur, ata kërkojnë varret e tyre. Noci këtu, një djalë të vetëm, nuk ja ka gjetur varrin akoma”, shton.
Ai kujton edhe njëherë dinamikën e asaj ngjarje.
“Në orën 6:30 të mëngjesit, Sokol Bizhga, shef i krimeve në Ministrinë e Rendit, e ka gjetur gomonen te Gjiri i Dafinës. Ka njoftuar sallën operative. Ka shkuar një mjet i marinës dhe interforcës. I ka pyetur çfarë ka gomonia brenda. 8 vetë të zhdukur, kanë thënë. Gomonia tjetër me 20 veta të tjerë është gjetur në orën 10, katër orë pas. Gomonen e parë e kanë gjetur me trupa të vdekur dhe e kanë zhdukur, e di shteti ku i ka çuar. Ky do trupin e djalit, kockat e djalit”.
Hetimi nisi mirë, tregon më tej ai, por më pas ngeci.
“Është bërë një punë e mirë fillimisht por ka ndërhyrë dikush. Në letra është e zbardhur por nuk ja japin çështjen gjykatës për me e gjykue. Ne duam zbardhjen e çështjes, ata fajtorë janë. Pëllumb Qazimi që nuk urdhëroi operacionin e kërkim-shpëtimit, Bajram Ibra që pengoi operacionin e kërkim-shpëtimit, dy ministrat Igli Toska dhe Pandeli Majko që nuk kanë ndërhyrë, Kudret Çela. Janë 30 faqe në SPAK, me fakte se shteti na vrau fëmijët. Këta nuk e zbardhin mos me dënu njerëzit që janë të veshur me pushtet. Nuk duam ta hetojë prokuroria e Vlorës se nuk ka tagrin me fut në burg ministra, deputetë e drejtorë policie”.
Vendi, thotë një prej familjarëve, ka njohur shumë tragjedi, por ky rast është i paprecedent sesi shteti njoftohet dhe nuk ndërmerr asnjë hap për të shpëtuar qytetarët e vet.
“Kemi hapur disa çështje në prokurorinë e Vlorës, ka qenë e korruptuar, s’ka pas as kompetenca ligjore për të gjykuar njerëz që e kanë bërë krimin. Aty kanë qenë shefa policie bashkë me drejtorin e policisë së shtetit Bajram Ibra, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Pëllumb Qazimi që nuk ka dhënë urdhrin me i shpëtu. Nuk është bërë operacion kërkim-shpëtimi fare. E vetmja tragjedi ku shteti është njoftuar, u është thënë hajde se po vdesim, e ka marrë vesh gjithë Shqipëria dhe nuk është krijuar operacioni për me i shpëtu. Pasi e kanë bllokuar gomonen e kanë lënë aty me u fundos, si kanë rënë pas 18 orë. Të nesërmen është njoftuar pala italiane, i ka gjertur anija dhe ka nisur ti sjellë në Vlorë, ka thënë Ministri i Majkos do ti çoni në Sazan. Aty kanë dalë mosmarrëveshje, në atë gjendje i kanë mbajtur dhe katër orë në det”.
Tragjedia e 9 Janarit ndodhi në afërsi të Vlorës në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar mbi 6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Si pasojë e mbytjes së gomones 28 persona humbën jetën të moshës nga 15 në 33 vjeç.