Nga Edmond Hoxhaj, BIRN
Hetimi i një informacioni të përcjellë nga Antiterrori në praverën e vitit 2018 pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, ku ngriheshin dyshime për planifikimin e ekzekutimit të një politikani shqiptar gjatë një vizite të tij në Bruksel, zbuloi se gjithçka ishte një sajesë e disa trafikantëve për identifikuar informatorin e policisë belge brenda grupit të tyre.
Megjithëse kjo ‘taktikë’ u ka dhënë sukses, pasi informatori është dekonspiruar, por anëtarët e grupit që kultivonin dhe shisnin lëndë narkotike në Belgjikë, janë zbuluar nga autoritetet vendase.
Në kërkesën për pushim të procedimit penal të regjistruar në dhjetor të vitit 2019 që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka dërguar në gjykatën respektive, sqarohet se hetimi i kryer për një informacion për planifikimin e një atentati ndaj një politikani shqiptar ka qenë “karremi” për të mbërritur tek bashkëpunëtori i policisë që ishte infiltruar brenda një grupi kriminal që kultivonte dhe shiste lëndë narkotike.
Shërbimet e Antiterrorit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit Tiranë, i kanë dërguar më 21 maj të vitit 2018 ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda informacionin në lidhje me planifikimin e vrasjes së një politikani shqiptar. Sipas informacionit, personi që po planifikonte këtë ngjarje kriminale ishte shtetas belg, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë të dhënë rreth identitetit të politikanit shqiptar.
“Konkretisht, shërbimet e policisë gjyqësore kanë informuar se personi me emrin A.D, lindur më 12.02.1978, me shtetësi belge dhe mbajtës i pasaportës së shtetit të Belgjikës, me Nr.xxxx, i parregjistruar në rregjistrin kombëtar të gjëndjes civile në Shqipëri, është shprehur se, në fund të muajit maj 2018 do të realizojë vrasjen e një politikani shqiptar në Bruksel”, – citohej në informacionin e mbërritur të prokurori.
BIRN siguroi një kopje të kërkesës për pushimin hetimeve nga SPAK, pas një kërkese për të drejtën informimi drejtuar Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Shtetasi belg me origjinë shqiptare është shprehur se do të paguhej në shumën 200 mijë euro për kryerjen e kësaj vrasje. Antiterrori ka ngritur dyshimet se A.D. mund të ishte në rolin e ndërmjetësit dhe se porositësi i atentatit mund të ishte në Shqipëri.
“[…]Sulmi mund të kryhej ndaj politikanëve shqiptar duke përfshirë edhe deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të shkonte në Bruksel në datën 18.05.2018”, – citohej në informacion mbi bazën e të cilit është rregjistruar proçedimi penal për kryerjen e veprave penale “vepra me qëllim terroriste” dhe “organizata terroriste”. Ndërkohë, procedimi nuk është regjistruar për ndonjë emër konkret.
Nga hetimi i kryer ka rezultuar se shtetasi A.D nuk ka pasur shtetësi shqiptare, por vetëm shtetësinë belge. Prindërit e tij rezulton se kanë banuar në zonën e Matit dhe në vitet 1960 janë arratisur nga Shqipëria duke fituar azil pas tetë vitesh në Belgjikë.
Pasi oficerët e Antiterrorit kanë komunikuar me oficerin ndërlidhës së policisë belge në Tiranë, kanë mësuar se po në maj të vitit 2018, pak ditë pas sigurimit të informacionit, është zhvilluar një operacion për goditjen e një grupi kriminal në Belgjikë, ku bënte pjesë edhe A.D.. Gjatë kontrolleve të kryera nga policia belge janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri si dhe një parcelë me bimë narkotike të llojit cannabis sativa.
Në lidhje me informacionin për panifikimin e vrasjes së një politikani shqiptar, është sqaruar se ka qënë një sajesë që është bërë nga një anëtare e grupit kriminal me qëllim për të mësuar se kush ka qënë informatori i policisë belge në këtë grup. Gjithashtu, oficeri ndërlidhës i policisë belge ka informuar se në këtë rast informatori ishte dekonspiruar.
Bazuar në këtë informacion, SPAK ka konkluduar se nuk ka pasur asnjë rrezik për sulme ndaj politikanëve shqiptarë nga A.D. dhe anëtarët e tjerë të kërij grupi kriminal, aktiviteti të cilëve ka qenë në drejtimin e prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, si dhe në grabitje të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Antiterrorit kanë kryer edhe një vlerësim mbi informacionet për planifikimin e atentatit, por gjithçka ka rezultuar e rreme.
“[…]fakti i pretenduar në momentin e fillimit të hetimeve paraprake se shtetasi A.D, me shtetësi belge, ka planifikuar vrasjen e një politikani shqiptar në Bruksel që do të kryhej në muajin maj të vitit 2018, kundrejt marrjes së një shume monetare, është i pavërtetë dhe nuk ekziston”, – konkludon SPAK dhe ka vendosur të kërkojë pushimin e çështjes pas një viti hetimesh, në dhjetor të 2020-ës.
Kjo nuk është hera e parë që në organi akuzës heton informacione për vrasjen e një politikani shqiptar. Në mars vitin 2015, ish-deputeti Tom Doshi deklaroi publikisht se kishte marrë informacion nga kolegu i tij Mark Frroku për një tentativë për vrasje ndaj tij dhe një deputeti të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Sipas Doshit, porositësi i atentatit ishte Presidenti Ilir Meta. Meta mohon akuzat.
Megjithatë, edhe në rastin e “Doshit” akuzat rezultuan të rreme. Pas hetimit 3-javor mbi deklaratat publike të zotit Doshi, ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e tij dhe të ish-deputeti Mark Frroku. Pas hekurave përfundoi dhe Durim Bami, një personazh me të shkuar kriminale nga Fushë Kruja. Në vitin 2018, Frroku dhe Bami u dënuan për kallëzim të rremë, ndërsa Doshi u shpall i pafajshëm.