Zbulohen detaje te ngjarjes ne Sarande, ku persona te maskuar e armatosur grabiten noterin e njohur Thoma Kaci. Per ngjarjen ne fjale ndodhen te arrestuar, Oltjon Kolonja allias Oltjon Pula, Vladrias Himaj dhe Elis Avduli allias Mile Xhafa.
Te dyshuarit nuk e kane pranuar asnjehere akuzen, madje duke kerkuar ne nje seance te para pak diteve edhe “sigurim prove”, per nje prove ende te pa bere publike qe sipas te dyshuarve provon pafajesine e tyre, kerkese kjo qe eshte rrezuar nga Gjykata.
Sic shkruhet ne fashikullin hetimor, rezulton se:
“Mëngjesin e dates 20.10.2021, rreth ores 07.40, bashkëshortët Thoma dhe Martha Kaçi kanë dalë nga banesa e tyre, një apartament i gjendur në katin e shtatë të një pallati, në lagjen nr.4, Sarandë. Teksa bashkëshortët Kaçi kanë qënë duke pritur ashensorin për të zbritur, dy persona të panjohur prej tyre, ku njëri prej të cilëve mbante një armë zjarri të ngjashme me armën automatike të modelit 56, kalibrit 7.62 mm, e njohur në publik me emrin “Kallashnikov”, rrethanë për të cilën shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “kur po zbriste nga çanta ka nxjerrë një kallashnikov”, nëpërmjet kërcënimeve me këtë armë, rrethanë për të cilën shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “në fillim nuk e vura re mirë por kur pashe se po bënte mbushje kuptova se ishte armë kallashnikov dhe vura re se kishte dy karikatorë të lidhura me njëra tjetrën”, i kanë rikthyer në banesë.
Për mënyrën e rikthimit në banesë shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “personi që mbante armën në dorë më pyet “ti je Tomi Kaçi? Unë kam ardh me porosi për të të vrarë ty pasi je me hasmëri dhe une nuk mund të iki pa kryer porosinë, ose do të më japësh lekë, në të kundërt do të të vras. Më tha “hape derën e shtëpisë dhe i thotë shokut të tij “merre zonjën”, dhe na detyruan të hymë në brendësi të banesës”.
Sapo kanë hyrë në apartamentin e tyre, bashkëshortët Thoma dhe Martha Kaçi janë lidhur me letër ngjitëse natriban të ulur në karrige, dhe në vijim kanë ushtruar kontroll në banesë, rrethanë për të cilën në deklarimet e tij shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “personi i shkurtër që nuk kishte kallash dhe ishte pa maskë, i paruar, ka shkuar në dhomë për 2-3 minuta, është kthyer përsëri dhe i thotë shokut të vetë “nuk gjeta gjë”.
Ndodhur në këto rrethana, personi i armatosur ka ushtruar vetë kontroll në banesë, çaste për të cilat në deklarimet e tij shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “personi me kallash filloi të acarohej dhe i thotë “do shkoj të kontrolloj unë” dhe shkoi kontrollo dhe mbasi është kthyer thotë “ne morëm këto që gjetëm dhe çelsat e mjeteve”. Unë i thashë “merrini, makinat janë në parkim”. Kështu, “agresorët” e bashkëshortëve Kaçi, nën kërcënimin e armës së zjarrit, kanë mundur të vjedhin shuma në të holla, rreth 13’506,5 euro dhe 528’000 Lekë për të cilat në deklarimet e saj shtetasja Martha Kaçi shpjegon “personi i gjatë i cili ishte me doreza nxjerr portofolin nga xhepi i pantallonave të Tomit dhe i marrin 80 ’000 Lekë të vjetra që kishte në brendësi të portofolit dhe nga çanta e dorës i marrin 4’000 euro, të cilatishin prerje 20 x 200 euro.
Këto euro i ka tërhequr firma “A…” sh.p.k. nga Banka “C…… Bank”, dhe pikërisht shtetësja A.P. Personi që hapi çantën e Tomit hapi dhe çantën time dhe ka marrë ngaçanta ku kam pas në një qeskë plastike 1 ’000 euro dhe 2 ’700 ’000 lekë të vjetra, të cilat ishin të administrimit të pallatit pasi unë jam administaratore.
Në një zarf kam pat për t’i dhënë tek shoqëria “A…” sh.p.k.për pagesat 4’506,50 euro. Në çantë kam patur dhe lekë personale në një qese portokalli për përdorim dhe depozitim të mëvonshëm në bankë, ishin rreth 4 000 euro dhe 2 500 000 Lekë të vjetra”.
Pasi kanë mundur të vjedhin shumat në të holla, “agresorët” e bashkëshortëve Kaçi, kanë dalë nga shtëpia, duke mbyllur derën e apartamentit nga jashtë, dhe në vijim kanë zbritur me këmbë nëpër shkallë. Duke përfituar nga fakti se shtetasja Martha Kaçi nuk ish lidhur mirë, kjo e fundit ka mundur të lirohet dhe nëpërmjet telefonit celular ka njoftuar për ngjarjen e ndodhur Komisariatin e Policisë Sarandë, forcat e të cilit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.