Nga Klodian Tomorri
Ti mund të kesh 30 vjet që qarkullon me automjet. Ndoshta dhe më shumë. Por kur të vijë koha për të rinovuar patentën do të të marrin në provim. Një nëpunes i DPSHTRR-se do qëndrojë përballë teje si aga dhe do të të marrë në pyetje.
Me pak fjalë provim për herë të dytë për patentën. Një hallkë burokratike më shumë, një zgavër korrupsioni më tepër.
Sigurisht që këta e kanë gati justifikimin se pse u shtojnë hallet njerëzve. Gjithmonë e bëjnë për interesin publik, për te ulur numrin e aksidenteve në rrugë etj etj. Por një pyetje lind natyrshëm. Mbi bazën e cilit studim e vendosi Drejtoria e Transportit Rrugor këtë masë?
A mund të thotë DPSHTRR-ja se sa aksidente ndodhin për shkak se drejtuesit e automjeteve nuk njohin sinjalistikën apo bazën teorike? Sa aksidente ndodhin për shkak të pakujdesisë?
Sa për shkak të alkoolit? Dhe sa për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit me qëllim, pra jo nga mosnjohja? Ata nuk e dinë, por sërish duan te shtojnë hallka burokratike mbi qytetarët.
Tani, meqë DPSHTRR-ja digjet për interesin publik dhe për hallet e popullit lind edhe një pyetje tjetër. Po atë koncesionin e bazës së të dhënave të kolaudimit për cfarë e propozoni cdo vit në buxhet?
Per cfarë ngulmon aq shume DPSHTRR-ja për ta kaluar atë koncesion? Cili eshte motivi që DPSHTRR do t’u ngarkojë qytetarëve një faturë 165 milionë euro për t’ia kaluar një privati?
Apo dhe këtë e bën për interesin publik?
Ky vend ka parë nga të gjitha sojet dhe takëmet e ofiqarëve. Ka parë nga ata që vjedhin, ka parë nga ata që i nxijnë jetën me masa idiote. Por ka dhe nga këta që edhe të vjedhin edhe të nxijne jetën. Këta janë zevzek-zuzarët.