Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka reaguar pas letrës së kongresmenëve amerikanë drejtuar presidentit Joe Biden. Në këtë letër, shtatë kongresmenë në SHBA i kanë kërkuar Joe Biden të ndërhyjë për situatën politike dhe korrupsionin e lartë në Serbi.
Presidenti serb është shprehur për këtë se vendimin përfundimtar do ta marrin qytetarët e Serbisë.
Sipas kongresmenëve, situata politike në Serbi mund të ketë ndikim në Ballkanin Perëndimor dhe gjithë Evropën, ndaj kërkojnë nga Biden që të veprohet me ligjin për shpalljen “non grata” të personave që rrezikojnë stabilitetin e rajonit.
Lidhur me kërkesën e kongresmenëve amerikanë, të cilët i kërkuan presidentit amerikan, Joseph Biden, të konsiderojë vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe e akuzuan presidentin serb për “thellim të korrupsionit dhe presion ndaj mediave”, Vuçiç tha se “Serbia është një faktor stabilizues në Ballkan”, shkruajnë mediat serbe.
Ai tha se nuk ka frikë nga ngrirja e pronave dhe llogarive jashtë vendit “sepse nuk ka të tilla”.
“Ju kërkoj të më ngrijnë pronën jashtë vendit. Nuk më gjeni asnjë llogari. Nuk kam asnjë llogari jashtë këtij vendi, nuk mund ta ngrijnë, nuk kam para as llogari”, ka thënë Vuçiç.
Vuçiç thotë se kongresmenët janë lobistët janë shqiptarë dhe nuk ka problem që ambasadori serb Marko Gjuriç është takuar me ta, ai është përgjigjur se është detyrë e ambasadorit të takohet dhe të bisedojë me të gjithë.
Shtatë kongresistë amerikanë ia kanë dërguar një letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden, përmes së cilës i kërkojnë që të vendos sanksione ndaj atyre që e destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.
Dokumenti është i nënshkruar nga kongresistët Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa.
Në qendër të kritikave të kongresistëve është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç për thellim të korrupsionit dhe presion ndaj mediave.
“Gjatë vizitës suaj në Beograd në vitin 2016, ju folët për një të ardhme shpresëdhënëse për Serbinë dhe popullin serb. Për fat të keq, për të arritur në atë të ardhme më optimiste, ne besojmë se veprimet e mëtejshme diplomatike nga SHBA-ja dhe nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë në veçanti janë vendimtare për t’u siguruar që Serbia mund të jetë efektive në zbatimin e reformave demokratike, duke bërë këtë, ata do të jenë në gjendje të përmirësojnë marrëdhëniet me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën”, thuhet ndër të tjera në letër.