Kosova e ka humbur mundësinë e mbështetjes financiare nga jashtë për ndërtimin e termocentralit të ri me qymyr, e kjo u konfirmua edhe pas samitit të fundit të vendeve G20-ës të dielën, më 31 tetor.
Liderët e shteteve G20 (19 shtete dhe BE-ja) janë zotuar të ndalojnë financimin ndërkombëtar të impianteve të reja të qymyrit deri në fund të këtij viti. Megjithatë, liderët e G20-ës nuk ranë dakord për t’i dhënë fund energjisë së qymyrit në vendet e tyre.
Qymyri është njëri nga burimet kryesore për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë. Për shkak të vjetërsisë së termocentraleve Kosova A dhe Kosova B në Obiliq, si dhe kapaciteteve të limituara të tyre, vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri është marrë që në vitin 2005.
Një përpjekje për të ndërtuar termocentralin e ri ka rezultuar pa sukses, pasi kompania amerikane “ContourGlobal” më 2020, në vitin kur planifikohej të fillonte ndërtimin, është tërhequr me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me qymyr në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë në atë kohë. Në atë kohë, drejtimin e qeverisë kishte marrë Albin Kurti. Lëvizja e tij, Vetëvendosje, është shprehur kundër marrëveshjes me “ContourGlobal”, duke thënë se kompania në fjalë mund të rrisë çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike.
Ndërtimi i këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, llogaritej të kushtonte 1.3 miliardë euro. Një investim i tillë i kësaj kompanie kërkonte garancinë shtetërore, të miratuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve.
Fonde publike në shërbim të projekteve energjetike
Në vitin 2018, Banka Botërore pati njoftuar se nuk do ta mbështesë Termocentralin “Kosova e Re”, të ndërtuar për energji me qymyr.
Investimet në ndërtimin e termocentralit të ri tashmë duhet të bëhen nga vetë buxheti i shtetit, vlerëson ish-drejtori në Korporatën Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka.
“Kur flas për djegie të qymyrit, flas për përdorimin e teknologjisë më të avancuar dhe të pastër që nënkupton ndotje dhe efekte anësore minimale. Shteti ka mundësi të bëjë investime në këtë. Ne kemi shembullin e ndërtimit të autostradave, ku i kemi ndërtuar me para të buxhetit. Nëse do të kishim një prioritizim të parasë publike, deri tani ishte dashur ta kemi termocentralin”, thotë Gjuka.
Dy autostradat, njëra që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada Prishtinë –Shkup, ishin ndërtuar me para të buxhetit të shtetit dhe kishin kushtuar rreth 1.3 miliardë euro.
Kryetari i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet ta ketë një qëndrim të qartë me resurset e veta, siç është linjiti.
“Ende ka hapësirë, ende ka mundësi dhe teknologji, që edhe e shfrytëzojnë linjitin edhe fitojmë energji dhe jemi në minimum të ndotjes së ajrit, por për të arritur në këtë, qeveria nuk ka krijuar asnjë hap strategjik. Jemi vonuar dhe jemi larg planifikimit energjetik”, thotë Shala.
Ministria e Ekonomisë deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje rreth së ardhmes energjetike të Kosovës, pas deklarimeve të vendeve të G20-ës se nuk do të investojnë më në projektet energjetike me thëngjill.
Raporti i Progresit për Kosovën (2021) kishte vënë në pah përparimin që ka bërë Kosova sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe rritjes së investimeve në energjinë e ripërtërishme, por “burimet e energjisë me bazë në thëngjill vazhdojnë të jenë shqetësuese”.
Abazi: Nuk ka të ardhme nga djegia e thëngjillit
Projektet për energji nga qymyri vazhdojnë të kundërshtohen nga shoqëria civile. Nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) thonë se duhet aplikuar vetëm politika që mbështeten në burime të ripërtërishme.
Dardan Abazi, nga INDEP-i, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e vendeve të G20-ës duhet të jetë një moment reflektimi për ata që kanë qenë fanatikë të qymyrit në Kosovë.
“Edhe pse e kemi linjitin, ai është karburant që shkakton ndryshime klimatike edhe shkakton ndotje të përshkallëzuar të tokave e ajrit. Vetëm fakti që e kemi nuk do të thotë ta përdorim në mënyrë të pakontrolluar”, thotë Abazi.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të mendojë të projektojë impiante të mëdha të djegies së qymyrit për të prodhuar energji, të cilën energji mund ta prodhojë edhe nëpërmjet paneleve solare, erës dhe integrimit të Kosovës në tregun rajonal.
“Kosova ka kapacitete të mëdha në sektorin e energjisë alternative”, thotë Abazi.
A ka Kosova kapacitet për energji alternative?
Megjithatë, ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, thotë studimet e bëra tregojnë se Kosova është e varfër në aspektin e energjisë alternative.
“Kosova është e varfër sa i përket ujit. Një pjesë e territorit nuk mbulohet me ujë të pijshëm, ka pak ujë për bujqësi apo ujitje. Sa i përket energjisë diellore ne kemi shumë ditë me diell, por problemi është se nuk kemi zona ku mund të vendosim panele solare, përjashtimisht vetëm në raste individuale në shtëpi apo biznese të vogla dhe të mesme. Sa i përket burimit tjetër siç është era, ka pak studime për këtë”, shprehet Gjuka.
Këto burime të varfra alternative, shton Gjuka, e kufizojnë Kosovën prandaj duhet të drejtohet kah linjiti.
Sa është e pasur Kosova me qymyr?
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata qymyr dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.
Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e qymyrit në termocentralet e Obliqit.
Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kapaciteti total i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2020 ka qenë 1,110 megavat.
Nga kjo sasi 86.5 për qind janë nga termocentralet dhe pjesa tjetër janë hidrocentrale dhe burimet të ripërtërishme të energjisë (hidrocentrale, centrale me erë dhe panele fotovoltaike).
Vitet e fundit, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B, e po ashtu edhe nga djegia e qymrit nga bizneset dhe shtëpitë private.
Në matjet që bëhen vazhdimisht, Kosova shpesh herë renditet ndër vendet me ajrin më të ndotur në botë. Kosova, po ashtu, vazhdon të përballet me ndërprerje të kohëpaskohshme të energjisë elektrike.
Në programin e Qeverisë së Kosovës për katër vjetët e ardhshëm, thuhet se do të hartojnë Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe do të rishikojnë kornizën ligjore, që të jetë në harmoni të plotë me strategjinë e re të energjisë.
Aty thuhet se qeveria do të punojë në përmirësimin e menaxhimit të kapaciteteve ekzistuese energjetike, si bazë për siguri në furnizim energjetik dhe rrugë të drejtë gjatë tranzicionit e dekarbonizimit energjetik.
Rëndësi të veçantë, qeveria ka paraparë t’i kushtojë shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut sa më konkurrues energjetik. /REL/