Nga Gjergji Koja
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shfaq sot në sallën e Kuvendit kundër kastës politike dhe oligarkike të vendit, sikundër e quajti ai, grupin me 10 apo 15 emra që vendosin gjithçka në politikë dhe jetën ekonomike.
Basha zgjodhi sot të barazojë Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën, me brinjët e një trekëndëshi, duke i bërë të tre bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës, në atë që e konsideron llum.
Kreu demokrat sot ka një betejë të hapur brenda PD-së me ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili nga ana e tij nuk gëlltiti dot vendimin e 9 shtatorit, kur Lulzim Basha artikuloi me një qetësi “vrastare” përjashtimin nga Grupi Parlamentar.
Me apo pa mbështetjen e Berishës, Basha kishte dhënë më parë provat e politikanit që merr vendime të befta, ndoshta të paparashikuara, deri në kapjen në befasi të atyre që me një të rënë të lapsit e panë veten jashtë Partisë Demokratike.
Këtë bëri në 2017-ën kur hoqi nga listat e kandidatëve për deputet të PD disa nga figurat kryesore deri në atë moment, ndërsa në opinion krijoi idenë se çdo vendimmarrje ishte e konsultuar apo e miratuar nga lideri historik i kësaj partie.
Por para kësaj vendimmarrjeje, Basha kishte dhënë provën e uljes në një takim kokë më kokë me Edi Ramën, gjithashtu në një mënyrë të beftë, ndërsa qindra militantë të PD-së, i kishte ngujuar në një çadër për ditë e javë me rradhë.
Dy momente që kaluan pa shumë komente, duke u justifikuar në rastin e takimit të Ramës me presionin ndërkombëtar, ndërsa në atë të pastrimit të partisë nga kundërshtarët, me ofrimin e figurave të reja, pavarësisht se lista e 2017 rezultoi një katastrofë.
Ndoshta fakti se kaloi shumë lehtësisht momentet kur flaku nga PD një seri emrash, që me meritë ose jo, qëndruan në pozicione kyçe për rreth dy dekada, duke përdorur edhe presionin në rritje nga DASH, kreu demokrat u shfaq befas duke deklaruar vendimin ndaj Berishës.
Në Kuvend, Basha u shfaq një politikan agresiv, që zgjodhi të sulmojë njëherazi Ramën, Metën dhe Berishën, madje nuk u kujdes aspak, për të mos vendosur shenja barazie. Pas tyre përmendi një grup biznesmenësh, që sipas tij po marrin miliarda nga paratë publike, dhe që po i shërbejnë asaj që prej disa ditësh Basha e konsideron si llum tranzicioni.
Në vitin 2017, kreu demokrat nisi një reagim, nëse mund të quhet anti-sistem. Çadra që ngriti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” veç të tjerash ishte edhe si një tentativë e Bashës për t´u shkëputur nga PD zyrtare. U përpoq në atë kohë që disa nga simbolet e demokratëve t´i anashkalonte, ndërsa gjithçka e lidhte me atë që e pagëzoi si “Republika e Re”.
Për të kamufluar gjithë këtë lëvizje, që njëherë interpretohej si kundër reformës në drejtësi, dhe herë të tjera si një formë e re proteste kundër Ramës, Basha hodhi disa ide për ndryshime kushtetuese, duke nisur që me reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 100, Parlamentin me dy dhoma, gjë që në propozmet e tanishme Kushtetuese, duket se i ka harruar.
Nuk dihet nëse kjo formë agresiviteti është një strategji e zgjedhur nga Basha në betejën e brendshme në Partinë Demokratike, një paralajmërim se ai po përgatitet për të ndërtuar një forcë të re politike, apo është një mesazh drejtuar ndërkombëtarëve për t´u shfajësuar lidhur me rrezikun që mund të humbasë PD dhe në krye të saj të vijë Berisha.
Nëse merren një nga një të tre opsionet, mënyra që ka zgjedhur për të vijuar betejën në PD duke barazuar Berishën me Ramën, mund të mos i rezultojë aspak e sukseshme. Kjo për faktin se militantët e PD, mund të justifikonin deri diku vendimin për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, si një presion nga DASH, por nuk mund të pranojnë që lideri i tyre historik të jetë po aq i “zi” në sytë e tyre sa Edi Rama. Ndoshta Basha e ka harruar se drejton një parti, militantët e së cilës i kanë qëndruar Berishës në krah edhe në 1997, edhe në 1998, edhe në vitet e mëpasshme, duke i mbushur sheshet e rrugët, edhe kur deputetët, drejtorët apo ministrat, përfshi edhe Lulzim Bashën, nuk i hapnin telefonat dhe nuk i gjenin një vend pune.
Opsioni i dytë, ai i një alternative të re politike, mund ta pozicionojë Bashën si liderin e një partie apo grupimi, që do të luftojë njëherazi me 3 emrat që për 30 vite kanë zotëruar dhe mbijetuar në skenën politike, 16 prej të cilave i kanë bashkë me Lulzim Bashën. Pra Basha është një politikan që për 16 vite ka qenë pjesë e këtij sistemi politik, llumi apo katrani, xhungle apo loje, ku rregullat përcaktoheshin në tryeza të vogla dhe më pas zbatoheshin nga ata që duatrokisnin dhe shfaqeshin nga njëra studio në tjetrën për t´i shitur si marrëveshje të arta. Në këto kushte, duket jo fort e besueshme, që Basha një ditë të bukur shfaqet në sallën e Parlamentit si politikani që nuk i përket këtij sistemi që e proddhoi, promovoi, e mbajti në krah dhe e ngjiti në piramidën e një prej partive kryesore, duke i dhënë mundësinë dy herë për të qenë kandidat për Kryeministër.
Opsioni i tretë lidhet pikërisht me atë që mund të ndodhë në PD, marrjen e drejtimit të saj nga Sali Berisha, i cili zyrtarisht ka pohuar se do të jetë kandidati për kreun e partisë, në një garë të re të brendshme. Basha duket se nuk po arrin të ndalë zhvillimet në Partinë Demokratike, as të pengojë mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar, as të ruajë balancat në grupin parlamentar, ku pothuajse në çdo mbledhje përballet me deputetë që i kërkojnë llogari, apo të tjerë që po lëkunden dita-ditës. Siç duket çdo ditë që kalon shton presionin, ndërsa përballë tij ndodhet Berisha, mjeshtri i çdo zhvillimi brenda Partisë Demokratike, që nga dita e parë e themelimit të saj.
Berisha nuk është Jozefina, Ridvani, Astriti, Majlinda apo Eduarti, nuk është as Arbeni apo Genci, që dufin e tyre anti-Basha e shfrynë në media apo duke themeluar nga një parti dhe e lanë të qetë të ndjehet kryetar i PD-së. Ish-Kryeministri nisi një betejë, të cilën po e drejton vetë, duke shfrytëzuar jo vetëm mbështetjen që ka mes militantëve, por mbi të gjitha terrenin që vetë Lulzim Basha ka krijuar ndër vite. Nëse kreu i PD do të kishte një qasje tjetër ndaj strukturave partiake, në frymë dhe drejtim, sot ndoshta do të kishte një tjetër panoramë, një tjetër situatë të brendshme dhe një tjetër komoditet.
Të humbësh në zgjedhje është diçka normale, por varet nga humbja. Ka humbje që mund të justifikohen, si në rastin e atyre parlamentare, ku akuzon palën tjetër se të vodhi apo bleu. Ka humbje që justifikohen edhe kur i ke brenda partisë, sepse mund të akuzosh sërisht atë rivalin në garë.
Por në pozitat ku ndodhet, Bashës ndoshta i duhet të justifikohet qoftë edhe moralisht para atyre që i konsideron partner strategjikë, për atë që po ndodh aktualisht në Partinë Demokratike. I shpalluri “non grata” nga DASH mund të marrë drejtimin e PD dhe rrëzon të gjithë alibinë që deri para pak javëve thuhej në takime shqip-shqip apo anglisht-anglisht, se partinë e kontrollonte Lulzim Basha.
Ndoshta kjo është arsyeja që sot kreu i PD u shfaq duke sulmuar njëherazi Berishën, Ramën dhe Metën, për të cilët as më pak dhe as më shumë, tha se po mbështesin njëri-tjetrin. Se sa bindës mund të jetë me këtë argument koha do e tregojë, por e sigurtë është që me të paktën dy nga ato që i quan brinjët e trekëndëshit nuk mund të bëjë paqe, as nën ulli as nën hijen e ndonjë peme tjetër.