Një lajm shqetësues dhe alarmant për të rinjtë shqiptar, pasi Shqipëria nuk është më vetëm një vend tranzit për drogat e forta, por edhe një strehë në zgjerim për përdoruesit e tyre.
Hulumtimi mbi përdorimin e kokainës në vendin tone i publikuar në emisioni “Unpublished”, thekson se kokaina klasifikohet ndër lëndët narkotike të luksit, edhe për shkak të çmimit të saj të lartë, ndryshe nga drogat e tjera si hashashi p.sh. Por asgjë nuk po i ndal të rinjtë shqiptarë t’i hyjnë rrugës së konsumit të kokainës.
Raportuesja për Shqipërinë në Evropë e përdorimit të lëndëve narkotike, mjekja toksikologe Esmeralda Thoma, e veçon përdorimin e kokainës duke e kategorizuar me fjalët, epidemia e re.
“Momentalisht dhe për vendin tonë dhe për SHBA dhe Europën Perëndimore po flitet të paktën këto 3-4 vitet e fundit, po flitet për një epidemi kokaine, pra përdorimi i kokainës është aq i shprehur aq në shifra të larta, tashmë në këto vende po flitet për epidemi kokaine”, deklaron znj. Thoma.
Kjo është renditja e qyteteve sipas konsumimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në Fier dhe Elbasani dominon shpërndarja dhe konsumimi i heroinës. Ndërsa Tirana dhe Durrësi kanë kokainën lëndë të parë konsumi. Le të shohim edhe zonat më problematike në Tiranë.
“Zonat nuk është se janë të ndara të prera me thikë. Pothuajse në të gjithë territorin e Tiranës ka konsumim të lëndëve narkotike. Zonat që kanë më shumë fluks ka qenë zona e parkut që u godit. Ka qenë zona e pallatit me shigjeta, ka qenë zona e bllokut, por që edhe aktualisht dominon për përdorimin në fundjavë të lëndëve narkotike të llojit kokainë. Zona e Freskut, Alliasi dhe Kamza”, Maringlen Beqo, shef i Antidrogës në Tiranë.
Çmimi i kokainës varion sipas cilësisë së saj. Pavarësisht çmimeve shumë të larta për blerjen e kokainës, ajo shitet në masë. Tregtia nis nga blerja me kilogramë e përfundon deri tek blerja sipas dozave.
“Kemi 2 lloje kokaine, kemi kokainë peruanë dhe fleks. Çmimi i një kilogram peruanë varion nga 35 deri në 40 mijë euro. Ndërsa i fleksit kalon në 28 deri në 35 mijë euro për kilogram, me shumicë flas gjithmonë”, tregon Maringlen Beqo, shef i Antidrogës në Tiranë.
Sipas tij nuk është vetëm Porti i Durrësit pikë kyçe e futjes së lëndëve narkotike ndërsa kokaina që hyn në Shqipëri nuk vjen në cilësinë e vendit të origjinës. Kjo pjesë që vjen merret, përpunohet dhe më pas shpërndahet në doza.