Dy vjet pas një krimi të rëndë në Zall-Xhuxhë të Mirditës, ku mbeti i vrarë i riu Eri Zefi, Prokuroria e Lezhës kërkon dënimin me 30 vite burg të shokut që akuzohet se e nxori në pritë. Pas ngjarjes së rëndë, Policia arrestoi 42-vjeçarin Mikel (Gjovalin) Alia, ndaj të cilit u ngrit akuza e vrasjes në bashkëpunim.
Ai akuzohet se më 2 tetor të vitit 2019 nxori në pritë shokun e tij të fëmijërisë, Eri Zefi, për ta ekzekutuar. Konkluzionet përfundimtare janë dhënë nga prokurori Erjon Shehaj, i cili ka hetuar çështjen dhe tashmë do të jetë gjykata e cila do të vendosë për fatin e 42-vjeçarit.
Mikel (Gjovalin) Alia është personi i vetëm i marrë i pandehur për vrasjen e Eri Zefit, në ZallXhuxhë të Mirditës dhe ai u zbulua përmes mesazheve, tabulateve telefonike dhe pamjeve filmike.
Sipas dosjes hetimore, 42- vjeçari Alia i kishte kërkuar shokut të fëmijërisë ta ndihmonte për të vjedhur një sasi kanabisi në zonën malore të Mirditës, ku ndodhi krimi.
Ekzekutorët ndërkohë besohet se ishin dy persona të tjerë, të cilët sot e asaj dite janë ende të paidentifikuar nga ana e Policisë.
Për të mbërritur te ta, Prokuroria e Lezhës i kërkoi të arrestuarit Mikel (Gjovalin) Alia të bashkëpunojë me drejtësinë në këmbim të lehtësirave. Por 42- vjeçari në vazhdimësi ka mohuar çdo lidhje me vrasjen duke u deklaruar i pafajshëm.
Eri Zefi u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e prekën në kokë, ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës së 1 tetorit të vitit 2019, pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës në një kanal 50 metra larg Rrugës së Kombit.
Dyshimet janë se i riu u ekzekutua për hakmarrje, pasi i vëllai është dënuar për një vrasje në Durrës, por megjithatë asnjëherë nuk janë përjashtuar as konflikte të tjera të vetë 34- vjeçarit.
Nga të dhënat e tabulateve telefonike që janë pjesë e dosjes hetimore ka rezultuar se viktima ka komunikuar vazhdimisht me shtetasin Mikel (Gjovalin) Alia. Në dosje thuhet se gjatë kësaj kohe viktima ka komunikuar edhe me bashkëshorten e tij, Nazli Karagoz.
Në deklarimet e saj, ajo ka thënë se Eri Zefi i ka shkruar rreth orës 00:01 të datës 2 tetor 2019 në “WhatsApp”: “10 për qind baderi kam jet”.
“Dua të theksoj se fjalën ‘baderi’ bashkëshorti im nuk e ka përdorur kurrë, por përdorte fjalën ‘karikim’ dhe dyshoj që mesazhin e fundit mund të mos e ketë shkruar ai”, është shprehur bashkëshortja.
Shtetasja Nazli Karagoz ka deklaruar se më datë 01.10.2019, rreth orës 19:20, ka qenë në shtëpi bashkëshorti i saj, Eri Zefi dhe i ka thënë se do të takonte dy shokë në Tiranë, me të cilët do të shkonte në FanëMirditë për të grabitur bimë narkotike kanabis sativa.
Ajo shpjegon se ka komunikuar disa herë me bashkëshortin e saj nëpërmjet aplikacioneve sociale me video, ku ka parë se ka qenë i ulur në një lokal në lagjen ku banojnë, duke pritur për t’u takuar me shokët e tij dhe për herë të fundit ka komunikuar rreth orës 22:44, i cili i ka thënë: “Jam tu ik për Fanë”.
Më tej, ajo ka shpjeguar se bashkëshorti i saj ishte në hasmëri me familjen e shtetasit Martin Ndreca, i cili është vrarë nga kunati i saj.