Partizani do të luajë kundër Kukësit në sfidën e vlefshme për javën e pestë të Kategorisë Superiore. Sfida ishte planifikuar të luhej të shtunën në kalendarin paraprak, por është vendosur data zyrtare dhe dy ekipet do të përplasen ditën e diel në “Air Albania”.
Për këtë takim, Daja pritet që të ketë në dispozicion të gjithë kontingjentin e lojtarëve, përveç qendërmbrojtësit Dajan Shehi, i cili po rikuperohet nga një tërheqje muskulore. Në katër javët e para, Partizani nuk ka bërë një nisje shumë të mirë duke marrë vetëm 3 pikë nga 12 të mundshmet, por për takimin kundër Kukësit, optimizmi është i lartë dhe lojtarët kanë besim se do të gjejnë triumfin e parë.
JUNIOR – Sulmuesi kryesor i skuadrës, Stenio Zhunior, ka pasur një shqetësim fizik në këmbë, pasi ndjente dhimbje kur gjuante. Këtë dëmtim, sulmuesi e pësoi në miqësoren e parë kundër Turbinës, ndërsa në miqësoren e së dielës ndaj Shkëndijës së Tetovës nuk u grumbullua për të mos rrezikuar. Por nga dita e sotme, braziliani do të jetë gati për trajnerin Daja dhe pa diskutim që është një lajm shumë i mirë për teknikun e të kuqve. Madje, Zhunior ka shkruar në rrjetet sociale se ekipi është shumë i fokusuar dhe se po punohet shumë që të jenë në gjendje sa më të mirë fizike.
KAÇE – Njëjtë si Zhunior, edhe Kaçe është një ndër pikat kryesore të skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja. Mesfushori 28- vjeçar bëri një rezonancë në fillimin e javës së shkuar për gjurin e tij, por nuk kishte asgjë serioze. Megjithatë, gjatë javës së shkuar, Kaçe është stërvitur individualisht dhe mungoi në të dyja miqësoret. Por nga dita e sotme, edhe mesfushori pritet të jetë 100% gati për ekipin.
MBROJTJA – Daja do të ketë në dispozicion edhe dy mbrojtësit, Damçevski e Musta në sfidën kundër Kukësit. Të dy lojtarët kanë pasur probleme dhe vetëm së fundmi janë rikthyer në 100%. Damçevski nuk është stërvitur për shkak se ka ndjerë dhimbje për tri dhëmballë, ndërsa Musta mori një goditje në brinjë javën e shkuar në stërvitje dhe për të mos rrezikuar bëri disa ditë pushim. Ndërsa nga sot, të dy mbrojtësit do të jenë në gjendje optimale për të vijuar përgatitjet në prag të sfidës kundër Kukësit.