Nga Andi Bushati
Të dielën në mbrëmje në PD ka ndodhur një përplasje që është rrjedhojë e drejpërdrejtë e konfliktit në të cilin është ngërthyer kjo parti. Në njërën anë qëndronte Oerd Bylykbashi që ka dalë hapur në mbështetje të “Foltores” së Berishës dhe në tjetrën kryetari aktual, Basha.
Tema e diskutimit që Lapsi.al e ka raportuar në detaje ka qenë: Si duhet të sillemi ndaj ofertës së qeverisë për të ndryshuar kushtetutën në lidhje me zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut.
Eshtë shumë interesante të shihet se si janë komportuar palët.
Bylykbashi ka mbajtur qëndrimin se, nëse kjo bëhet, pa e kushtëzuar edhe me reforma të tjera, si psh. ndryshimi i sistemit zgjedhor që i i jep Ramës sa herë të dojë fitoren në tavolinë, një gjë e tillë do të qe në dëm të PD-së.
Qasja e Bashës ka qenë hileqare dhe dredharake. Ai nuk është shprehur për thelbin e çështjes. Ai nuk ka pasur një version të vetin se si duhet ti përgjigjet partia që kryeson ndaj një problemi tashmë të hedhur në tavolinë, si ai për të dhënë votat për ndryshimin e kushtetutës. Ai është marrë me cicmice, me kunja mbi bashkëbiseduesin duke e pyetur se ku e di ai ekziston ndonjë ofertë dhe pazar.
Pikërisht kjo lloj politike pa shtyllë kurizore po e fut PD në qorrsokak. Ajo e ka atrofizuar opozitën, i ka shndërruar deputetët e saj në lolo të urdhrave të ambasadorëve dhe i ka brejtur besueshmërinë deri në pikën më ekstreme.
Pak ditë më parë, e pashë më keqardhje një nga kritikët dhe njohësit më të mirë të reformës në drejtësi, Enkelejd Alibeajn, tek mundohej ti bishtnonte pyetjes nëse partia e tij do ti votonte ndryshimet kushtetuese (shiko ketu). Edhe personalisht, qoftë në debate televizive, qoftë në biseda private, kur i kam pyetur të zgjedhurit demokratë se çdo të bëjnë me këtë çështje, ata kanë ngritur supet në injorancë të plotë.
Dhe për çfarë! Për një problem që duket në letër tejet i thjeshtë. PD prej kohësh ka mbajtur qëndrime të qarta se vettingu ka qenë selektiv dhe i politizuar. Ajo ka denoncuar njerëzit e afërt me qeverinë, që e kanë drejtuar atë dhe gjyqtarët apo prokurorët që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë prej tij. Dhe tani, kur edhe nga ana profesionale ai po rezulton një dështim (në pesë vite kanë arritur të filtrojnë vetëm gjysmën e 800 kandidatëve që duhej të kalonin nëpër duar), PD po shpreh dilema nëse kësaj maskarade i duhet zgjatur jeta.
Ndonëse ish deputeti Genc Pollo kishte 100% të drejtë kur thoshte se një votë pro do të qe më e fëlliqur se ajo që dhanë kolegët e PS-së për shembjen e teatrit, eksponentët e opozitës vijojnë të jenë të mëndyshur.
Po nga burojnë këto dilema?
Ato janë pasojë logjike e qëndrimeve, as mish as peshk, të Lulzim Bashës. Eshtë krejtësisht e pa logjikshme dhe e pa moralshme, që ai të mos shpalosë kredon e tij për një çështje kaq themelore. Ai nuk mund të sillet si në kohën e paktit me Ramën në 2017, si atherë kur nxori gjysmën e krerëve nga listat elektorale, po si në rastin kur përjashtoi Berishën. Ai nuk mund ta anashkalojë këtë pikë kyçe të reformës në drejtësi pa debat në parti dhe në fund të thotë kështu e mendova dhe vendosa vetë, për të lehtësuar të tjerët, ndërkohë që mund të hyjë në pakt personal me qeverinë apo të kapet për veshësh nga ambasadorët.
Basha nuk e ka më lluksin për tu sjellë si autokrati i pakicës. Dhe pikërishtë në këtë pozicion të ri e ka vënë “foltorja” e Berishës dhe mbështetja që ajo po merr nga demokratët. Sado dyshime që të ngrihen, sado gënjeshtra që ti zbulohen, sado inkoherenca ti kapen, lëvizjes së Berishës i duhet njohur një meritë, ajo po e zgjon PD prej sundimit të një liliputi. Qoftë me thirrjet reale për më shumë demokraci të brendëshme, qoftë me akuzat komplotise për pakte të fshehta me Ramën, lideri historik po e bën PD të jetë më e kujdesshme.
Në këtë prizëm duhet parë edhe debati i fundit i Bylykbashit që s’do të kishte ndodhur kurrë më parë, në kushte të tjera.
Natyrisht, vetë duhet ta bëj të qartë, se jam kundër asaj që propozon ai. Ai mund të mbrojë interesat e PD, duke ofruar një këmbim mes votës për zgjatjen e vettingut dhe marrjes mbrapsht të ndryshimeve në sistemin zgjedhor. Ato vërtet mund të ndihmojnë opozitën për një objektiv katë vjeçar, por janë në dëm të publikut, pasi dërmojnë përfundimisht reformën në drejtësi.
PD-së, nëse i ka mbetur edhe një fije e vetme morali politik është e dënuar mos e votojë zgjatjen e jetës së organeve të kapura të vettingut. Ajo mund të japë votën vetëm për përmbysje radikale, duke i filtruar gjysmën e mbetur të gjykatësve dhe prokurorëve me njerëz të rinj dhe me metodologji të re.Ajo nuk mund të bëjë pazar me një gjë që afekton regullat e bashkëjetëses të të gjithëve me objektivin e zgjedhjeve të ardhshme.
Por, pavarësisht kësaj, pra ndonëse nuk mund të jesh dakord me rrugën që ofron Bylykbashi, rëndësi ka se në PD kanë filluar të zgjohen dhe të japin opinione kundër gjumit të Bashës pjell kusisa. Ndaj qoftë dhe për këtë, ‘foltorja” ka një efekt pozitiv. /Lapsi.al/