Nga Judy Dempsey, Carnegie Europe
Pak kohë para se Polonia t’i bashkohej zyrtarisht Bashkimit Evropian në majin e vitit 2004, zyrtarët polakë ftuan një grup gazetarësh, përfshirë edhe mua që të vizitonim vendin ish-komunist për të parë nga afër përgatitjet për atë ngjarje madhore.
Ne kaluam disa ditë duke vizituar fermat dhe duke biseduar me banorët. Në një moment, ne u dërguam në kufirin me Bjellorusinë. Miqtë tanë polakë donin të na tregonin sesi qeveria po mbronte kufijtë e jashtëm të BE-së. Bëhej fjalë për përgatitjen e Polonisë për t’u bashkuar me zonën Shengen, e cila i lejon qytetarët e bllokut që të udhëtojnë në të gjithë zonën pa kufizime.
Nuk kishte shumë dëshmi për ndërtimin e një muri të ri midis shteteve të reja anëtare të BE-së dhe Bjellorusisë, që në atë kohë ashtu siç edhe tani drejtohet nga udhëheqësi autoritar Alexander Lukashenko. Aty ndodhej kulla e çuditshme e vrojtimit, disa shenja të reja kufitare dhe kamera.
Situata ishte thuajse e njëjtë në Lituani, e cila gjithashtu ndan një pjesë të kufirit me Bjellorusinë. Sa shumë kanë ndryshuar gjërat që nga gushti i vitit të kaluar! Ajo ishte koha kur mijëra emigrantëve nga Lindja e Mesme – dhe sidomos nga Iraku – iu dhanë viza për të udhëtuar në Bjellorusi, një vend i mbyllur jo për shkak të koronavirusit, por sepse Lukashenko ka shtypur çdo lloj kundërshtimi kundër regjimit të tij.
Por nuk i pengoi emigrantët të shkonin atje (sikur ta dinin ata vërtetë se çfarë po ndodhte në Bjellorusi). Represioni filloi në gushtin e vitit 2020, kur qindra mijëra bjellorusë dolën në rrugë për të protestuar paqësisht kundër zgjedhjeve të manipuluara presidenciale, dhe për të kërkuar dorëheqjen e Lukashenko, dhe ka vazhduar që atëherë.
Dy vendet më të zëshme të BE-së që kundër politikave të tilla dragoniane kanë qenë Lituania dhe Polonia. Të dyja qeveritë, dhe veçanërisht Lituania, e kanë nxitur Brukselin të vendosë sanksione kundër individëve kryesorë të përfshirë në këto akte represive, si dhe kundër drejtuesve të kompanive shtetërore.
Pikërisht aty shkojnë emigrantët. Këtyre njerëzve fatkeq iu premtohet perspektiva për të shkuar në BE nëpërmjet Bjellorusisë. Ata transportohen me autobus në kufijtë e Lituanisë
dhe Polonisë. Brenda disa javësh, Lituania u detyrua të përballej me një fluks emigrantësh. Qeveria lituaneze ndërtoi me shpejtësi disa kampe. Ajo e kritikoi Lukashenko për instrumentalizimin e emigrantëve, por pa asnjë dobi. Në këmbim, Vilniusi dhe Varshava forcuan kufijtë e tyre, duke ndërtuar gardhe prej çeliku apo me tela me gjemba. Këto të fundit patrullohen nga ushtarët. Të dy qeveritë janë kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut për trajtimin ndaj emigrantëve.
Përgjigja e qeverisë lituaneze, është se emigrantët janë të paligjshëm. Në rast se duan të hyjnë në Lituani, mund të aplikojnë. Ndërkohë, fshatarët që jetojnë përgjatë kufirit janë të zemëruar dhe të frikësuar nga ky fluks emigrantësh ilegalë.
Deri kohët e fundit, Lituania dhe Polonia kishin pak përvojë me refugjatët apo emigrantët që vinin nga Lindja e Mesme, ndryshe nga vendet jugore të BE-së, dhe veçanërisht Greqia, por edhe Gjermania. Në fakt, nuk ka pasur ndonjë kërcënim të përbashkët të ndarë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Përdorimi i emigrantëve si një armë politike nga Lukashenko, po e ndryshon situatën. Migrimi po shihet tani gjithnjë e më shumë si një kërcënim, dhe jo si një aset që ndihmon në adresimin e mungesës në rritje të krahut të punës dhe rënies së shpejtë të lindjeve në të gjithë bllokun.
Por në vend se të krijojë një politikë të përbashkët mbi emigrantët apo refugjatësh, pasi kancelarja gjermane Angela Merkel u dha siguri gati 1 milionë njerëzve që iknin nga lufta në Siri në vitin 2015, Bashkimi Evropian është marrë me të duke e eksportuar gjetiu problemin. Ajo e ka paguar Turqinë që të mbajë emigrantët dhe refugjatët në vend, dhe të forcojë kufijtë e saj me BE-në. Edhe Egjipti është “shpërblyer” për forcimin e kontrolleve të tij kufitare.
Në shtator të këtij viti, kompania gjermane e teknologjisë “Siemens” njoftoi një investim prej 3 miliardë dollarësh, për të ndërtuar një rrjet hekurudhor modern në Egjipt.
Kur është fjala për marrëdhëniet me Egjiptin, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti Francez Emmanuel Macron, kanë pasur si prioritet stabilitetin, luftën ndaj terrorizmit, dhe frenimin e fluksit të refugjatëve drejt Evropës.
Situata e tmerrshme e të drejtave të njeriut në Egjipt, e cila është përkeqësuar nën sundimin e presidentit aktual Abdel Fattah El-Sisi, është për ta aspekt dytësor. Gjermania ka luajtur një rol të madh në dhënien fund të luftës civile disa vjeçare në Libi.
Por sërish, frika nga emigrimi i pakontrolluar dhe refugjatët që përpiqen të hyjnë në Evropë, e ka nxitur Berlinin të ndërmjetësojë arritjen e zgjidhjes së këtij konflikti. Stabiliteti – sido që të arrihet – është një prioritet për BE-në kur është fjala për Lindjen e Mesme.
Kjo është tashmë një pikëpamje që ndahet nga gati të gjitha vendet anëtare të BE-së, pasi lidhet me perceptimin e migrimit. Kjo politikë është miope, pasi shpesh mban në pushtet udhëheqës autoritarë. Një stabilitet i tillë, do të krijojë paqëndrueshmërinë e vet në rast se ekonomitë e Lindjes së Mesme nuk do të mundin të ofrojnë vende pune, arsim, strehim, sisteme të mira shëndetësore, dhe një qeverisje të mirë.
Nuk është çudi që emigrantët, si ata që shtyhen nga regjimi bjellorus në kufijtë e Polonisë dhe Lituanisë, t’u paguajnë kontrabandistëve dhe agjentëve të udhëtimit shuma të mëdha parash për të arritur në Evropë. Muret e reja të Evropës nuk janë zgjidhje për këtë problem.