Teksa e gjithë bota ka hyrë në një krizë energjetike, kryeministri Edi Rama paralajmëroi për një situatë të ngjashme në Shqipëri, që mund të shoqërohet me shtrenjtim të energjisë elektrike, ndërsa ai i karburanteve ka kohë që ka filluar.
Një shtrenjtim i energjisë do të sjellë kosto për familjarët, sidomos ata me të ardhura të ulëta, ndërsa dhe karburantet rrisin shpenzimet për përdoruesit e automjeteve dhe biletat e transportit publik urban për ata që nuk përdorin automjetet. Këtyre u shtohen dhe çmimet e shtrenjtuara të ushqimeve, duke filluar që nga produktet bazë, si mielli, buka, vaji, orizi etj.
Sipas INSTAT, që i referohet vitit 2019 (të dhënat e 2020 pritet të publikohen të hënën), një familje shpenzon 41.3% të totalit për ushqime (më e larta në Europë), rreth 10% për Shpenzime për “banesën, ujë, energji elektrike, qera të paguar” dhe gati 6% për transport, pra në total rreth 57% të totalit shkojnë për mbulimin e nevojave të domosdoshme.
Për familjet e varfra kosto e një rritjeje tjetër të ushqimeve dhe shërbimeve utilitare është e papërballueshme, pasi sipas INSTAT klasa I (më e varfra) shpenzon gati 54% për ushqime, 17.5% për energji, ujë e qira dhe 2.2% për transport, me një total prej gati 74% të shpenzimeve totale, që shkon për mbulimin e nevojave bazike.
Por, sa shpenzohet në vit vetëm për energji elektrike dhe karburante. Sipas përllogaritjeve të Monitor, kjo shumë është rreth 1.2 miliardë euro, e ndarë si më poshtë:
470 milionë euro për faturat e energjisë
Sipas bilancit të “Furnizuesit të Shërbimit Universal”, pjesë e OSHEE Group, që ka objekt kryesor të aktivitetit furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë që veprojnë në tregun e rregulluar, të ardhurat e kompanisë, (që arkëton faturat e energjisë së klientëve) janë rreth 58 miliardë lekë për vitin 2020, ose 470 milionë euro.
Prej disa vitesh çmimi i energjisë për familjarët ka mbetur i pandryshuar në 9.5 lekë për kilovat orë, pa TVSH. Ndërsa për bizneset tregu është liberalizuar dhe gradualisht ata janë të detyruar ta sigurojnë vetë energjinë në tregun e lirë, me çmime që luhaten dhe që kanë arritur edhe në 17-20 lekë për kilovat orë, teksa sipërmarrjet janë të pambrojtura nga luhatjet e vazhdueshme.
Sipas Eurostat dhe Komunitetit të Energjisë, Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon për energjinë e familjarëve dhe bizneseve.
Shqipëria ka një varësi të lartë nga burimet hidrike dhe reshjet, duke e detyruar atë të importojë energji në momentet që prodhimi vendas nuk arrin të garantojë gjithë konsumin e brendshëm.
Të premten, Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group mbylli ankandin e fundit për blerjen e energjisë për muajin tetor dhe bëhet fjalë për furnzimin gjate periudhës 4-10 tetor. Çmimi mesatar i një megavati të blerë rezulton 233 euro, çmimi më i lartë me të cilin vendi ynë ka siguruar ndonjëherë energji nga tregu i lirë teksa një vit më parë e njëjta sasi energjie u sigurua për afërsisht 50 euro.
Në një intervistë për Monitor, Adrian Çela, administrator i “OSHEE Group”, tha se parashikimet për rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve në tregun e energjisë gjatë pjesës së mbetur të vitit pritet të rrisin kostot e blerjes së energjisë dhe ndikimin në performancën financiare të shoqërisë.
710 milionë euro për karburante
Në vitin 2020, sipas INSTAT importet e karburanteve ishin rreth 533 mijë ton, niveli rekord i pas viteve ’90. Në tregun e pakicës nafta ka një vlerë totale rreth 710 milionë euro (me çmimin mesatar 160-165 lekë që zbriti vitin e kaluar).
Gjatë këtij viti çmimi i naftës është rritur 5 herë, duke arritur në rreth 176-178 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 28 lekë për litër ose rreth 20%, duke iu afruar niveleve të parakrizës.
Sa taksa paguhen për energjinë dhe a mund të lehtësohet konsumatori nga një pjesë e tyre
Vetëm TVSH për energjinë dhe karburantet konsumatorët paguajnë mbi 200 milionë euro në vit (llogaritje e përafërt bazuar në shpenzimet vjetore për këto dy shërbime). Norma e TVSH-së është standarde prej 20% ndryshe nga shumë vende që e kanë të përshkallëzuar për shërbimet jetike. Për më tepër që rreth 60% e çmimit të karburantit janë taksa (qarkullim, akcizë, makrim etj), duke e bërë karburantin në Shqipëri ndër më të shtrenjtët në Europë.
Të ardhurat në buxhet janë rritur muajt e fundit, duke reflektuar përmirësimin e ekonomisë dhe rritjen e ndjeshme të importeve. Të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 324 miliardë ose 103 % të planit të 8-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë rritje prej 53.2 miliard lekë, ose me 17%. Ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019, rritja është rreth 6%, duke treguar se vendi mund të kapë nivelet e parakrizës që këtë vit.
Kjo situatë mundëson lehtësimin e taksave direkte që paguan konsumatori, sidomos për energjinë dhe mund të kompensohet nga ana tjetër me një frenim të shpenzimeve të larta që po kryhen për infrastrukturën (natyrisht dhe një kursim në koston e lartë me të cilën taksapaguesit po paguajnë kilimetrat e reja të rrugëve).
Një përvojë e tillë vjen dhe nga shtetet e Europës. Vendet e tjera po shohin lehtësimin e konsumatorëve nga taksat si një mjet për të zbutur pasojat e shtrenjtimit të energjisë te konsumatorët.
Psh, Bloomberg shkruan se Spanja tashmë ishte e detyruar të ulte taksat e energjisë pasi çmimet e energjisë u rritën në një rekord.
Çfarë po ndodh në botë me çmimet e energjisë
Çmimet e energjisë po rriten në të gjithë botën ndërsa ekonomia globale del nga pandemia, çka ka nxitur shqetësimet për inflacionin. Në Europë, kanë ndikuar dhe planet për dekarbonizimin e ekonomisë që ka detyruar operatorët e shërbimeve utilitare të paguajnë çmime gati rekord për të blerë lejet e ndotjes që u nevojiten për të vazhduar prodhimin e energjisë nga lëndët djegëse fosile, shkruan Bloomberg.
Mungesat e gazit natyror janë në tjetër faktor që po rrisin energjinë elektrike dhe kjo është një faturë që do të duhet ta paguajnë përfundimisht konsumatorët.
Kostot e larta të energjisë pritet të vazhdojnë. Rusia po furnizon më pak gaz në Evropë dhe Azia po has vështirësi në rimbushjen e rezervave me gaz natyror të lëngshëm, pas një dimri të hidhur. Çmimet referencë të gazit evropian tashmë kanë arritur një rekord dhe e gjithë kjo po nxit çmimet e energjisë.
Bloomberg paralajmëron se një rritje në faturat e shërbimeve të energjisë – shpesh kostoja më e madhe fikse pas qirasë – mund të shtyjë shumë biznese të vogla në botë në falimentim, sidomos pas periudhës së vështirë që kanë kaluar nga pandemia.
Inflacioni është rritur shumë në Evropë ndërsa ekonomitë po rimëkëmben dhe çmimet e mallrave po rriten. Inflacioni i Eurozonës arriti nivelin më të lartë 13-vjeçar muajin e kaluar dhe duket se do të rritet edhe më tepër, duke errësuar edhe më tej parashikimet e Bankës Qendrore Europiane.
Çmimet u rritën kryesisht për shkak të rritjes së kostove të energjisë, duke shkaktuar një përmbysje të situatës pasi çmimi i naftës ra ndjeshëm gjatë pandemisë COVID-19. Ndikimi nga pengesat në prodhim dhe transport, u bë i dukshëm pasi çmimet e mallrave u rritën me 2.3% që nga gushti.
Ndwrsa nw Shqipwri, në gusht, INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Gusht 2021 është 2,4%. Ky është niveli më i lartë që nga janari i vitit 2017, kur treguesi kërceu në 2.8% vetëm për një muaj./MONITOR