Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme, ku ka folur në lidhje me krizën e re që i kanoset vendit, ajo e energjisë elektrike.
Duke iu drejtuar shqiptarëve, Rama tha se një tjetër krizë natyrore, e kombinuar edhe me politikat gjeopolitike dhe tregtare, po i farohet Shqipërisë. Kryeministri theksoi se kjo krizë nuk është as tërmet, as pandemi, por kriza energjitike.
Rama e ka quajtur krizën energjitike të ngjashme dhe po aq goditëse sa pandemia dhe tërmeti. Rama tha se në të gjithë botën po ndihen tashmë efektet e rritjes së çmimit të gazit dhe karburantëve.
“Të dashur bashkëqytetarë, vala e radhës po i vjen ekonomisë sonë, ka efekte shumë tronditëse mbi jetën e familjeve, kjo është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila ka dhënë efektet e para në të gjithë botën”, tha Rama.
Ai shtoi se Qeveria do të bëjë çfarë është e mundur për të mbrojtur shtresat në nevojë, konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël.
Ndërsa shprehu bindjen se nga kjo krizë shqiptarët do të dalin edhe më të fortë, Rama tha se ashtu si nga tërmeti ashtu edhe nga pandemia, ne nuk do të rrëzohemi.
Pjese nga deklarata e Rames
“Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të 2021, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit.
Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar. Në bursën HUPX, energjia elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 eur/MWh vitin e shkuar, ndërsa sivjet ky çmim ka arritur shifrën e 110 eur/Mwh, duke shënuar një rritje prej 182%.
Për shumë studiues e analistë financiarë, kjo krizë energjie është e ndryshme nga të tjerat. Ajo lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t’i frenuar ato, por po ashtu edhe me një kombinim faktorësh të tjerë.
Një seri eventesh të motit ekstrem, me tipare të pazakonta sezonale, kanë impaktuar si kërkesën, ashtu edhe ofertën për gaz. Dimri jashtëzakonisht i ftohtë i fillim-vitit në hemisferën veriore, Azi, apo edhe ngricat e jashtëzakonshme në SHBA, ndikuan në reduktimin drastik të eksporteve të gazit të lëngshëm gjatë muajit shkurt.
Pranvera e ftohtë dhe përmbytjet në Europë, automatikisht rritën kërkesën për gaz për ngrohje. Po njësoj valët e të nxehtit ekstrem gjatë verës në Kinë, Europë dhe SHBA, rritën kërkesën për gazin për ftohje.
Prodhimi i energjisë nga burimet alternative është zvogëluar. Impiantet e prodhimit të energjisë së erës në Europë kanë prodhuar shumë më pak energji se nivelet mesatare. Rrjedhimisht, mungesa e prodhimit të energjisë alternative, ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe çmimeve të gazit dhe të qymyrit.
Në Gjermani, mbyllja e tre reaktorëve të tjerë bërthamorë, si pjesë e programit të stopimit të prodhimit të energjisë nukleare, ka reflektuar në rritje të kërkesës për energji edhe nga burimet natyrore të parinovueshme.
Rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë, ka qenë e fortë si në Europë dhe në Azi, duke rritur kërkesën për energji nga konsumatorët familjarë, fabrikat dhe sipërmarrjet në përgjithësi. Pavarësisht rritjes së kërkesës dhe çmimeve bazë në tregje me 250%, Rusia nuk e ka shtuar furnizimin drejt Bashkimit Europian, duke u kufizuar vetëm në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale afatgjata.
Së fundi, vetë politika për adresimin e ndryshimeve klimatike, ka ndikuar indirekt në rritjen e cmimeve. Në Britani, 15 milionë familje pritet të afektohen negativisht nga rritja e çmimit të energjisë.
Në Itali, qeveria ka njoftuar qytetarët për një rritje prej 40% të faturave të tyre gjatë muajve të ardhshëm. Po kështu në Bullgari, çmimet shënojnë një rritje prej 72% nga fillimi vitit, duke e çuar çmimin mesatar të energjisë në 133 Euro/Mwh.
E gjithë kjo panoramë e situatës energjitike, me vetëm disa prej shembujve larg e afër nesh, vlen për të krijuar një ide të përgjithshme të kësaj krize, ku duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale.
Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjitike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh.
Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat, se ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre.
Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurtë, se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit, e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i Armikut të Padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur, e as as nuk na ve dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme.
Fatkeqësisht dhe pavarësisht prej dëshirës apo vullnetit tonë, këto vitet e fundit u bënë si ajo fjala, “nga lufta vijmë në luftë shkojmë”, por siç dolëm më të fortë nga tërmeti, e siç po dalim më të fortë edhe nga pandemia, çka e tregojnë kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike, pas mbylljes dramatike të ekonomisë, kështu do të dalim edhe nga kjo fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare që nuk i kemi ne në dorë.
Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë.”