Kosova nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC). Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha se vendimi është marrë pasi Kosova “ka nevojë për më shumë informata, për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.
Nga Fatos Shala
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtim të infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj, kjo sepse “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”, ndërsa nga ana tjetër “MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”
“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazsjellësit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit. Në këtë situatë përballë afateve kohore që ka MCC, ne kemi vendosur që të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët, por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, theksoi ajo.
Ministrja e Ekonomisë tha se do të vazhdojnë punën e përbashkët intensivë me ekipin e MCC-së për energji.
“Gjatë muajve në vijim, ne do të vazhdojmë punën e përbashkët intensive me ekipin e MCC-së në këtë drejtim dhe i jemi mirënjohës MCC-së dhe qeverisë amerikane dhe agjencive zhvillimore amerikane për ndihmën teknike dhe financiare që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin sektorit të energjisë në Kosovë”, theksoi Rizvanolli.
Gjatë dy ditëve të fundit Qeveria e Kosovës ka qenë nikoqire e ekipit menaxherial nga Uashingtoni përkatësisht nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit(MCC).
Me ekipin nga Uashingtoni dhe me drejtoreshën e MCC-së për Kosovë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se takimi ka qenë i frytshëm ku është diskutuar për hapat e ardhshëm në dizajnimin e Projektit të Programit të MCC-së dhe është nënshkruar një marrëveshje që përmbledh vendimet dhe hapat e ardhshëm për muajt e ardhshëm.
Rizvanolli edhe ditë më parë ka dhënë detaje për media lidhur me polemikat në publik për gazin amerikan dhe vendimet e qeverisë për sektorin e energjisë.
Më 17 shtator ajo pati deklaruar se kostoja për shtetin, si dhe përputhshmëria me Ligjin për Ndihmën Shtetërore janë çështje të cilat kërkojnë sqarim para se të ecet përpara me gazsjellësin, parafizibilitetin e të cilit e kanë financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.
Për ndërtimin e kësaj infrastrukture janë ndarë 200 milionë dollarë, por llogaritet që investimi të shkojë deri në 600 milionë ose më shumë.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa parti opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pranojë investimin amerikan për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas refuzimit të qeverisë së Kosovës për të çuar përpara projektin për gazsjellësin. Haradinaj ka pyetur kryeministrin Kurti nëse gjatë qëndrimit në Greqi ka takuar ndonjë përfaqësues të Gazpromit rus.
Haradinaj ka shkruar se refuzimi i gazsjellësit amerikan është kundër interesave të Kosovës.
“Po iu pyes Kryeministër Kurti: Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!? Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj.
Për një projekt të tillë ditë më parë ka folur presidentja, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se sa i përket aspektit gjeopolitik dhe gjeostrategjik një projekt i tillë nuk duhet të refuzohet.
Presidentja e Kosovës në një intervistë për Deutche Welle kishte deklaruar se për Kosovën s’mund të ketë rrugë tjetër pos asaj të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje. Sepse afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit. Pra, ata duhet të merren me çështjen e ndërtimit të pipeline-it me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë, etj”.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova duhet të përkrahte projektin për gazin, si një vendim gjeostrategjik. /Monitor/