Nga BoldNews.al
Ka tetë vite që vetëm trashet, rrëmben, kafshon pasuri për vete e oligarki dhe tashmë po vuan pasojat e “obezitetit të korrupsionit”. Janë shumë ministra, ish-ministra dhe superdeputetë që në fillimin e mandatit të tretë të qeverisë duan të nginjen edhe më shumë, duke iu kthyer njëri-tjetrit. Kërkojnë edhe më tepër pushtet, kanë mani për llokmën e madhe të parasë publike, duan influencën në punësime nepotike. Të kapin hipotekat, doganat, tatimet dhe tenderat, nga ato lokale deri në nivel qëndror.
Disa superdeputetë dolën të zhgënjyer kur kryeministri nuk u dha atë që ata prisnin, një “copë ministrie”, apo benefite të tjera që mbajnë era korrupsion. Nuk ia dha disave, për ti shpërndarë tek disa të tjerë, më të besuar, më të “drejtë” në ndarjen e parasë së korrupsionit.
Edhe në kupolën e partisë ka plasur. Një superministër i Rama 1 dhe 2, sot është kthyer në “siperdeputet” e madje mban të varur në kyçin e dorës bashkë me simbolin e Gurusë indian, edhe çelësat e zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së. Damian Gjiknuri është koka e partisë sot, më parë ajo kokë ishte Taulant Balla. Po dy “koka të mëdha” e mund të qëndrojnë në një “kotec të artë”?
Përgjigjen për këtë e ka dhënë vetë ai, i madhi i dosjes 184, Damian Gjiknuri, që drejtësia e re e varrosi në Dibër. “Mund të ketë pasur pritshmëri të tjera, është legjitime, e sidomos njerëzit që kanë pasur sukses elektoral. Por Taulanti ka aq eksperiencë politike sa mos ta hedhë dëm të gjithë kontributin e tij në Partinë Socialiste vetëm për një moment të caktuar. Kështu që jam i bindur, marrëdhëniet me të i kam shumë korrekte. Bashkë kemi qenë në Elbasan, kemi takuar strukturat,” tha Gjiknuri.
Djalë me “guxim”. Ja tha hapur kolegut të tij që të mos e hedhë dëm konributin në PS, ndryshe mund të ketë pasoja. Ai po i bën thirrrje që të thellohet, të reflektojë dhe në mos të bëjë një autokritikë të shëndoshë para “byrosë”, të paktën të mos e shtojë zullumin, por të ulë krye dhe të punojë aty ku e internoi partia, në Fier.
Thonë se ky “superdeputeti” i Ramës është me ndikim të madh. Shkoi edhe në Shkodër, duke i bërë thirrje drejtorëve aty që të hapin krahun nëse nuk kanë punuar për partinë, duke siguruar vota. Ai e tha hapur se donte një listë me drejtorët aty në zonë dhe më pas sipas kontributin do emëroheshin në poste të madha. Pra kush kishte mbledhur më shumë vota në zgjedhjet e kaluara do kapte postet e larta në drejtori të ndryshme.
E shihni sa i drejtë është? Të punësuarit në administratë duhet të kalojnë nga konkurse, eksperianca që kanë, studimet e kryera apo njohuritë për gjuhët e huaja, por Damiani i Rilindjes është “çun bob”, bën drejtor të madh edhe një të paditur, vetëm se ai ka dhënë vota për partinë.
Dhe kur ata që presin nuk marrin dot postet e larta kanë nisur të grinden, të shfryjnë mbi pushtetin dhe të hanë njëri-tjetrin, duke i kërcënuar, apo edhe kacafytur për një vend pune që nuk paguhet më shumë se 80 mijë lekë të vjetra në muaj. Po kush po pyet për rrogën, posti të bën që ta harrosh se ka edhe rrogë, pasi paraja e korrupsionit e mposht disa herë atë pagë që vlen sa një parfum që harxhohet në lëkurën e tyre të trashë.
Ka mundësi korrupsioni për të gjithë sorollopin e Rilidnjes, por ekziston mes tyre një kuçedër e frikshme që nuk ka të ngopur duke ngrënë paranë, pasurinë e vendit dhe shpërndarë më pas me oligarkinë dhe botën e krimit e cila lulëzon frikshëm në çdo moment.
Mazhoranca është sëmurë nga korrupsioni, vuan shumë nga kjo flamë kronike, që ka vetëm një “ilaç” për ta shëruar e cila është drejtësia, por ajo as nuk po vjen dhe as ka gjasë të vijë, ndonëse përfaqësuesi i një “Superambasade” thotë se ka ardhur… Duhet ambulanca gati, Rilindja është vërtetë sëmurë!