Siç e dimë sistemi ynë diellor përbëhet nga 8 planetë (qëkur Plutoni u klasifikua si një planet xhuxh në vitin 2006). Por vitet e fundit janë promovuar disa hipoteza në lidhje me ekzistencën e mundshme të një planeti të nëntë në orbitën përgjatë kufirit të jashtëm të sistemit tonë diellor.
Deri më tani kjo gjë nuk është arritur të vërtetohet. Por një studim i fundit nga dy studiues nga CalTech (SHBA), pretendon se ka gjetur prova të ekzistencës së këtij planeti (bazuar në efektet gravitacionale që ka ky planet tek objektet e tjera në atë rajon të sistemit diellor).
Madje ata kanë llogaritur orbitën e tyre.
Në fakt, nëse planeti i nëntë nuk është një fantazmë, graviteti i tij duhet të ndikojnë domosdoshmërisht tek orbitat e objekteve të tjera të sistemit tonë diellor, të cilat janë të vendosura në afërsi të tij. Dhe nëse diçka tërheq, mjaftojnë disa llogaritje matematikore për të zbuluar shkakun e këtij fenomeni.
Sigurisht që nuk do të ishte një metodë e re. Pasi po kështu u zbulua Neptuni, kur Xhon Adams dhe Urbain Lë Vërrie llogaritën – secili pa dijeninë e tjetrit – pozicionin e një objekti në atë kohë i padukshëm, që po tërhiqej në orbitën e Uranit.
Një vrimë e zezë?
Megjithatë në rastin e planetit të nëntë, ne nuk kemi një planet tjetër të madh aty pranë, që do të na jepte mundësinë të zbulonim anomali gravitacionale. Në vend të kësaj, ajo që shohim është një grupim i rastësishëm i trupave të vegjël të akullt tek brezi i Kuiperit, për të cilën mund të priteshin orbita rastësore në planin orbital të sistemit diellor.
Përkundrazi, orbitat e atyre objekteve janë koherente dhe solidare me njëra -tjetrën, njëlloj si të kishte një objekt të madh që kushtëzon lëvizjen e tyre. Ka të ngjarë që kjo të jetë vetëm për shkak të rastësisë, por ndoshta jo.
Në vitin 2016 autorët e këtij studimi, shqyrtuan shpërndarjen statistikore të 1 mijë e objekteve në brezin e Kuiperit, të njohur si KBO. Ata arritën në përfundimin se gjendja e tyre shkaktohet nga ekzistenca e një planeti që ndodhet në skajin e sistemit, që është 5 herë më i madh sesa Toka, dhe 10 herë larg sa distanca e Neptunit nga Dielli.
Në këtë rast studiuesit kishin llogaritur edhe një zonë të gjerë të qiellit, se ku mund të gjendej ky planet. Por kërkimet nuk çuan gjëkundi. Dhe kjo bindi një pjesë të madhe të komunitetit shkencor se Planeti nr.9 nuk ekziston. Pastaj dikush shkoi aq larg sa të argumentonte se ndoshta Planeti 9 ekziston, por ne nuk mund ta shohim, pasi ai është një vrimë e zezë e sapokrijuar.
Ekziston, dhe është më pranë nga sa mendohej?
Studimi i ri rishikon atë të vitit 2016, nën dritën e disa prej kritikave që ka marrë. Duke ripërpunuar të dhënat, studimi i ri arriti në përfundimin se ekziston vetëm një shans prej 0.4 për qind, që trupat e vegjël të kenë atë orbitë të çuditshme, të pandikuar nga ndonjë planet i madh.
Dhe kur shkencëtarët rillogaritën orbitën e mundshme të Planetit Nr.9, ata ishin në gjendje të përcaktonin se ku do të dukej më mirë, duke e vendosur atë më afër Diellit nga sa mendohej më herët. Ky përfundim është i çuditshëm, sepse nëse ai është më pranë, ne tashmë do ta kishim zbuluar…
Megjithatë, autorët e studimit thonë se vëzhgimet e kishin përjashtuar gjithmonë “opsionin e një Planeti Nr.9 shumë afër Tokës”, dhe për këtë arsye kanë kërkuar gjithmonë më larg. A është vërtet kjo arsyeja pse nuk është zbuluar asnjëherë?
E sigurt është se ky studim nuk është përfundimtar, siç pretendohet edhe nga vetë autorët. Shumë astronomë vazhdojnë të argumentojnë se nuk ka asnjë Planet Nr.9. Megjithatë, në qoftë se do të ekzistonte, teleskopi “Vera Rubin” duhet të jetë mjeti i duhur për të gjetur, kur ai të nisë të funksionojë. Ndoshta një përgjigje përfundimtare është më në fund shumë pranë.