Armand Duka, presidenti i FSHF-ës, ka folur për disa nga temat më të rëndësishme të momentit, Kombëtarja, tre sfidat e shtatorit, apo refuzimi i moderuar që i bënë dy lojtarët e Kombëtares, Balliu dhe Taulant Xhaka, ftesës së bërë nga Edi Reja.
A janë këto tri sfida, Polonia, Hungaria dhe San Marino, testet e vërteta për forcën reale të përfaqësueses kuqezi, a varet e ardhmja e trajnerin Reja nga këto sfida dhe mbi të gjitha nga pozicioni që Shqipëria do të ketë në kualifikueset e botërorit “Katar2022”.
I ftuar në “Sport News”, në News24, Presidenti i FSHF foli edhe për sezonin e ri të Superligës që starton më 11 shtator.
106 ditë pa futboll: “Jo gjithmonë e kemi nisur edicionin ne gusht apo në shtator, por këtë radhë kishte arsye, për të mos filluar dhe ndërprerë ndeshjet e Kombëtares, e dyta ishte përfundimi i projektit VAR që do të implementohet këtë sezon. Në një konsensus së bashku me skuadrat kemi vendosur ta nisim në 11 shtator, por për kushtet klimaterike që kemi në do ta bëjë të mundur zhvillimin e një kampionati të mirë”.
Nedim Bajrami: “Në fakt ishte një lajm i mirë për ne që vendimi i CAS ishte pozitiv për Shqipërinë dhe futbollistin, një betejë që ka nisur që në fillim te vitit. Ështe një futbollist kualitativ dhe e ndihmon ekipin Kombëtar, dhe do të dëmtohej dhe karriera e lojtarit. Më ka gëzuar zgjedhja e tij, dhe në qoftë se nuk do të kishte një lajm të mirë do të cënohej e ardhmja e tij. Tani është zyrtarisht që mund të jetë me ekipin, por meqenëse nuk është lajmëruar Empoli do të flasim që Bajrami të udhëtojë drejt Shqipërisë ose sot ose nesër, Dhe vetë djali e ka pritur me padurim debutimin me Kombëtaren”.
Balliu dhe Xhaka: “Me Kombëtaren duhet të kesh nivel të mirë sportiv, duhet të kontribuosh, duhet të selektohesh nga trajneri, duhet dëshira për të luajtur me Kombëtaren dhe të grumbullohesh. Nuk e di nëse është rasti me Balliu dhe Xhakën. Nga komunikimi që kam parë sot mes Babamustës dhe Xhakës e Balliut, të dy janë shprehur se mund të luajnë por nuk janë në 100% të formës, në qoftë se do të thonin jo nuk do të kishin ftesë tjetër, por nuk është ky rasti. Për Kombëtaren duhet sakrifikuar shumë më shumë. Kemi rastin e Abrashit që nuk ka qenë në gjendje të mirë dhe ka provuar modelin me mpirje në Kombëtare dhe jo në klub”.
Objektivi i FSHF-së- “Kemi futbollist me nivel të mirë dhe të kënaqshëm, që aktivizohen dhe marrin minuta me klubet e tyre. Në këtë nivel janë pritshmëritë jo vetëm të federatës, por dhe të sportdashësve. Duke qenë se është dritarja e parë e ndeshjeve, mund të ndodhe çdo lloj surprize. Jo gjithë ekipe apo futbollistët e nisin me një marsh. Faktikisht uria jonë për suksese është me madhe se e tjerëve”.
Situata e futbollistëve të Kombëtares – “Realisht futbollistët po aktivizohen, kemi futbollistë me nivel të mirë, të kënaqshëm, luajnë në ekipe të mira europiane, aktivizohen e marrin minuta. Kjo bën të ketë pritshmëri të mëdha, janë në këtë nivel jo vetëm pritshmëria e FSHF-së por të gjithë sportdashësit shqiptarë, që në Shqipëri janë më shumë se teknikë, njohin nivelin, ndaj kanë pritshmëri të mëdha.
Duke qenë dritarja e parë e ndeshjeve, pas pushimeve, ku ekipet janë ende të pakolauduara, të gjitha rezultatet janë të pranueshme, jo të gjithë e nisin me të njëjtin nivel. Ne do të donim ta nisnim me marsh maksimal, shpejtësi e impenjim maksimal. Uria jonë për sukses është më e madhe se e të tjerëve mendoj unë”.
Kritikat për formacionin ndaj Rejas – “Kritikat për Edi Rejan janë ndryshe, jo për module të ndryshme, por se është besnik i 3-5-2. Është fati i Rejas që drejton një kombëtare në një vend të vogël. Ka shumë që e mendojnë pse të luajmë 3-5-2, po 4-4-2, si më parë e me të cilin morëm pjesë në Europian.
Ajo që kritikohet është pse i rri strikt kësaj skeme. Ai ka argumentet e veta, në bazë të ekipit që ka, e lojës që luajnë lojtarët në klube. Por nuk janë modulet ata që vendosin qoftë në lojën ofensive të ekipit apo difensive, apo në rezultat. Padyshim moduli në varësi të kundërshtarit ndihmon, por asgjë nuk është vendimtare. Asgjë nuk është absolute, se përndryshe do të luanin të gjithë me të njëjtin modul”.
A është ky një provim – “Në presion jemi të gjithë, është edhe skuadra, se ne kemi filluar eliminatoret me tre ndeshjet e para ku kemi humbur 1 e fituar 2 e normalisht e matematikisht jemi në lojë e garë për të pretenduar. Pa harruar e pa qenë euforikë më shumë se duhet se është objektiv jashtëzakonisht i vështirë se kemi Anglinë, finaliste e Europianit që u mund me penallti, Hungarinë e Poloninë.
Matematikisht fillon tani dhe këto ndeshjet e shtatorit i ndajnë rrugët e skuadrave, kush shkon më lart apo kush lufton për një vend në klasifikim. Polonia është një skuadër e mirë, ka kualitete të jashtëzakonshme si Levandovski e të tjerë, por nuk duhet të cilësojmë mision të pamundur, të pretendojmë të fitojmë ndeshjen. Mos harrojmë se Polonia humbi me Sllovakinë në Europian.
Ndaj ne duhet t’i synojmë të gjitha. Objektiv maksimal objektiv që në Poloni. Hungaria gjithashtu është një kundërshtar shumë i fortë që bëri mirë në Europian pavarësisht që nuk u kualifikua. Kemi diçka negative me Hungarinë që në gjithë historinë e Shqipërisë nuk e kemi pasur, një rezultat pozitiv. Ndaj urojmë që në këtë fillim të shtatorit të bëjmë diçka historike”.
Deklarata e Bushit se Shqipëria ka ekipin më të mirë në histori – “Alban Bushi të shohë skuadrën e tij e të bëjë mirë ndeshjen me Çekinë, t’ia lërë Rejas të mendojë për ekipin. Kemi nivel të mirë kualitativ, cilësor, që luajnë në ekipe të mira.
Por kemi defektet tona. Por në një ndeshje futbolli, në një kompeticion, shumë më e rëndësishme është të kesh skuadër të mirë se sa futbollistë. Uroj që skuadra të jetë skuadër, duke filluar nga Reja e deri te i fundit të binden që kanë mundësi të bëjnë rezultat. Kushdo që zbret në Poloni, ata që zbresin në fushë, apo kundër Hungarisë, kushdo që do të mendojë për veten e tij, do të dëmtojë veten e tij”./Balkanweb