Trajneri i kombëtares kuqezi, Edoardo Reja foli nga Varshava në prag të ndeshjeve eliminatore që ka Shqipëria në muajin Shtator. Grumbullimi i skuadrës do të nisë nga Varshava ku dhe kuqezinjtë do të përballen me Poloninë, e më pas me Hungarinë dhe San Marinon dhe këto teste do të tregojnë shumë se ku mund të arrijë skuadra jonë kombëtare.
Fillimisht trajneri kuqezi komentoi listën me lojtarët e grumbulluar.
“Kemi një listë prej 30 lojtarësh, por kemi probleme me disa futbollistë të dëmtuar siç janë Dermaku, Veseli dhe Lenjani të cilët duan disa javë të rikuperohen dhe të jenë në formën optimale. Risia e listës është Ivan Balliu i cili luan në La Liga me Vallecanon dhe po paraqitet shumë mirë në fillim sezoni. Mendova ta riktheja në listë por dje folëm në telefon dhe nuk ishte mirë fizikisht pasi ka probleme me pubalgjinë dhe ka inflamacion te abduktorëve e për këtë arsye nuk është në kushtet më të mira. Gjithsesi e kemi lënë që të flasim sërish për të parë nëse kemi mundësi ta grumbullojmë”.
Reja më pas foli edhe për prurjen e re Muçi dhe për disa të rinj të tjerë.
“Për herë të parë me ne vjen Muçi, I cili ishte pjesë e Shpresave dhe e kishim nën vëzhgim. është një djalosh I vitit 2001 dhe gjithashtu kemi marrë Çepelen, të cilin e njohim tashmë. Po integrojmë këto të rinj me Brojën, Çokajn, Muçin dhe Çepelen, të cilët janë lojtarë të rinj që duhen vëzhguar për perspektivën”.
Trajneri kuqezi shpjegoi edhe situatën e disa lojtarëve në klubet e tyre.
“Më vjen keq për Strakoshën dhe Berishën që janë në stol me klubet e tyre, por janë lojtarë që meritojnë besim. Ata stërviten rregullisht por nuk kanë mbase reflekset e ndeshjes pasi nuk kanë pasur shumë mundësi të luajnë. Për pjesën tjetër, Ismajli, Gjimshiti luajnë rregullisht, Kumbulla ndihet mirë, edhe pse nuk ka luajtur me Romën së fundmi. Hysaj po luan, Doka po ashtu, Roshi ka ndeshje tani, Trashi, Mitaj, Çekiçi po luajnë. E njëjta edhe për Baren, Laçin dhe Cikalleshin. Manaj është pjesë e skuadrës së Barcelonës, qëndron në stol ka luajtur pjesën e parë të miqësoreve. Më ka informuar se është në gjendje shumë të mirë edhe pse nuk luan”.
Trajneri Italian shpjegon edhe grumbullimin e lojtarëv, fazën përgatitore në Poloni dhe rastin e Taulant Xhakës pas zërave se ai ka refuzuar ftesën.
“Do ta shikojmë dhe do t’i verifikojmë lojtarët në Varshavë, duke parë që do të kemi 3 ditë përpara. Xhaka ishte pothuajse 6 muaj i dëmtuar, ndërkohë që tani është rikuperuar. Kam parë që po luante, një pjesë, 75 minuta, por edhe ndeshje të plota. Ai thotë se ka akoma probleme në gju, nuk ndihet akoma në gjendje duke parë që ka pak kohë që ka filluar të luajë. Jemi dakordësuar që të flasim nesër për të vendosur nëse do ta grumbullojmë apo jo. Ky është një vlerësim që sinqerisht do ta bëjmë nesër. Ai është thërritur këtë herë, ashtu si edhe herët e tjera, por nuk ka qenë në gjendje në ndeshjet e mëparshme, për shkak të dëmtimit në gju”.
Nuk mung të mungonte edhe shpjegimi i trajnerit të përfaqësueses për rastin Nedim Bajrami.
“Për Bajramin, ashtu siç e dini është zhvilluar një seancë gjyqësore mbi mundësinë për të ardhur e për të luajtur me Shqipërinë, unë kam folur me lojtarin dhe babain e tij. Ata duan të luajë për Shqipërinë absolutisht, vetëm se ka qenë ky ngërç. Përgjigjen do ta kemi të hënën ose të martën maksimumi. Datat e FIFA-s janë këto kështu që do të presim. Unë uroj që ai të arrijë të vijë me ne duke parë që është një lojtar që mund të na jape diçka më shumë nga mesfusha e përpara sepse është lojtar që ka cilësi, driblon kundërshtarin dhe synon portën. Ka pasime cilësore, filtruese, do të ishte një vlerë e shtuar për këtë skuadër”.
Për Rejan nuk do të jetë e lehtë që skuadra të luajë çdo tre ditë por ai theksoi se diçka e tillë do të vlejë për çdo kundërshtar ndaj dhe kjo situate do të jetë njësoj për të gjithë.
“Të luash njëherë në tre ditë nuk është asnjëherë diҫka e lehtë. Por e njëjta gjë është edhe për kundërshtarët tanë kështu që jemi në barazim le të themi. Unë jam i bindur që ky grup mund të bëj mirë. Jemi rritur, kemi pasur dy eksperienca të rëndësishme në miqësoret që kemi luajtur në Uells dhe Ҫeki. Dy skuadra Kombëtare që kanë luajtur në Europian dhe kanë treguar cilësitë e tyre. Ne kemi qënë kompetitiv me ta. Bëmë paraqitje pozitive”.
Për këto tre ndeshje trajneri kuqezi ka shumë besim te lojtari dhe te cilësitë e grupit që ka në dispozicion, shkruan Ora News.
“Kam përshtypjen se jemi duke u rritur. Ky grup është i bindur për cilësitë që ka. Unë edhe në këto dy ndeshje të para pres akoma aspekte pozitive. Siҫ e thashë edhe më lart, ne kemi treguar progres, dhe duke luajtur me këto dy skuadra të forta kemi nevojë të përmirësohemi akoma. Jemi përmirësuar nga mesfusha e përpara në lidhje me lëvizshmërinë dhe djemtë kanë brenda tyre një bindje se janë të fortë. E dinë shumë mirë vlerën e tyre. Dimë gjithashtu shumë mirë edhe difektet tona. Do të punojmë të korigjojmë diҫka në mënyrë që të jemi më kompetitiv”.
Optimizmi nuk mundon për Rejan në prag të dy dueleve shumë të rëndësishme, ku ai e pranon se Hungaria dhe Polonia janë ekipe më cilësore por ekipi sipas tij mund të na dhurojë kënaqësi.
“Unë jam i bindur që do të bëjmë paraqitje shumë të mira. E kemi të qartë se do të luajmë ndaj dy skuadrave të rëndësishme, Hungaria dhe mbi të gjitha Polonia, që kanë treguar se janë ‘përpara’ në aspektin e cilësisë, por as ne nuk jemi më pak. Unë jam shumë i bindur që kjo është një skuadër që mund të na dhurojë kënaqësi të mëdha. E kemi të qartë se për të arritur këtë, të gjithë lojtarët duhet të jenë në gjëndje maksimale. E theksova edhe më lart, do të shikoj dhe do të verifikoj këto tre ditë, edhe se janë pak, duhet të bëj zgjedhjet e duhura, për të hedhur në fushën e lojës lojtarët që janë në gjëndjen më të mirë. Më mungojnë lojtarët e dëmtuar që janë lojtarë të rëndësishëm për ne, sepse do të kisha mundësinë për të bërë ndonjë zgjedhje, por jam i bindur që këto 27 lojtarë që kam grumbulluar janë zgjedhja më e mirë përballë asaj që ofron Shqipëria. Ndërkohë rritja ka qënë, dhe pres akoma një rritje të mëtejshme në këto kualifikuese për Kampionatin Botëror”, përfundoi Reja në fjalën e tij nga Varshava lidhur me ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë.
https://www.youtube.com/watch?v=sNPRKyW-pyU